Gjatë viteve, U2 kanë prekur majat më të larta të suksesit, famës dhe pasurisë, duke i lënë vend edhe mbështetjes së çështjeve të mjedisit dhe atyre të të drejtave të njeriut. Njeriu pas aktiviteteve të tilla është këngëtari Bono, i cili ka marrë shpesh edhe shumë kritika.
Të marrësh pjesë në një koncert të grupit irlandez është si të marrësh pjesë në një parakalim të shkurtër të historisë së Irlandës. Në të gjen gjelbërimin e fushave të ulëta të ishullit magjepsës, karakterin burrëror e krenar të meshkujve e besnikërinë e ndërthurur me fisnikëri të femrave, vuajtjet e konfliktit dhe gëzimet e paqes.
Zakonisht grupi e nis një koncert me këngën “Sunday Bloody Sunday”, që ndërthuret me pamje të konfliktit irlandez. Në një nga koncertet e tyre, një vit më parë, që dhanë në Amsterdam, U2 ndërsa luajtën këtë këngë, transmetuan në një ekran të madh ngjarjet e fundit nga përleshjet post-zgjedhore në Teheran.
Në sfond janë shfaqur edhe vargjet e famshme të poetit pers Rumi. Kjo këngë e fuqishme e shkruar 26 vjet më parë për dhunën në Irlandën e Veriut ka gjetur një kontekst të ri e në një tjetër kohë. Ajo ka qenë edhe një përshëndetje ndaj lideres së burgosur të opozitës, Aung San Suu Kyi. Më pas, koncerti vazhdoi me një mesazh të regjistruar të të famshmit Dezmond Tutu, për fushatën e mbështetur pjesërisht nga Bono në mbështetje të përhapjes së mjekimeve kundër përhapjes dhe kurimit të AIDS-it në Afrikë.
Kjo është vetëm një nga fushatat e mbështetura nga grupi i famshëm dhe veçanërisht nga lideri i tyre Bono. Irlandezët janë ndër të paktat grupe që kanë zhvilluar paralelisht një karrierë shumë të suksesshme muzikore, duke dhënë edhe një kontribut të çmuar në çështjet më të ndjeshme të njerëzimit. Por njëherazi, me ndihmën e tyre, ata e dinë se kontributi që japin në fusha të tjera, përveç asaj artistikes, ka një kufi dhe sa herë që ata e shohin këtë kufi, me keqardhje thonë se të paktën ia kanë dalë të bëjnë atë që kanë mundur.
Koncerti i parë i turit të ri të koncerteve që grupi do të organizojë në të gjithë botën, nisi në Amsterdam, pikërisht vendin ku është vendosur edhe një pjesë e djemve, për shkak të lehtësive të taksave që ofron ky vend. Bono, zemra dhe shpirti i grupit dhe iniciatori i të gjitha nismave të tij, është një burrë i shkurtër, ndryshe nga sa mund të duket në ekran, robust e me flokët gjithmonë të prera shkurt. Më shumë të jep përshtypjen e një boksieri të dalë në pension se të një këngëtari të famshëm pop. Ndërsa djemtë e tjerë janë më shtatlartë, por si për të respektuar një rregull të pashkruar hierarkie, preferojnë që t’ia lënë gjithmonë fjalën e parë Bonos.
Kitaristi i U2, Edge, tepër i qetë dhe i heshtur, basisti Adam Clayton është gjithashtu i qetë, të paktën në publik, ndërsa bateristi dhe themeluesi i grupit, Larry Myllen është si gjithnjë shumë i drejtpërdrejtë. “Asgjë brenda grupit tonë nuk ka ndonjë kuptim të veçantë. Nuk e kam idenë se sa ia arritëm kësaj dite me famën dhe rëndësinë që kemi sot”, thotë ai. Historia e bandave muzikore, që veç muzikës tentojnë të ndërhyjnë edhe në punët e politikës, nuk është vetëm historia e U2 dhe është mbi të gjitha një çështje e ndërlikuar.
Kështu kemi Bob Dylan, John Lennon e të tjerë, ndërkohë që në kohën tonë, U2 është një ndër grupet lider në këtë fushë. Aktivizimi i tyre politik u formësua dhe lulëzoi nga fakti se ata ishin irlandezë dhe të rinj në moshë në fund të viteve ‘70. Për shkak të temperamentit dhe sigurisht shumë rrethanave e koincidencave që u pikëprenë, U2 janë përpjekur që të mos mbajnë anë të caktuara. “Njerëzit në jug të ishullit revoltoheshin gjithmonë nga aktet e terrorizmit dhe brutalitetit në veri. Po të shprehje një gjendje të tillë, do të thoshte që të kishe simpati për britanikët, ndaj ishte një situatë e komplikuar.
Ne ishin pjesë e kërkimit të të gjithëve për një përmasë shpirtërore dhe jo për ngritjen e barrikadave dhe acarimin e situatës”, thotë Clayton. Në fillim të viteve ‘80, U2 ishin të përfshirë nga sinqeriteti dhe i kushtoheshin temave të tilla si lufta kundër Aparteidit, kërcënimi bërthamor e çështjeve të tjera përmes një perspektive shpirtërore të ndikuar nga muzika “soul” dhe vetë personi i Bob Marley-t. Ai thotë se kjo vihet re sidomos gjatë periudhës së regjistrimit të pjesëve të reja dhe nga intensiteti me të cilin ato shprehin ndjenjat.
Shpesh ato përcillnin dëshpërim, sepse vetë jeta e njerëzve ishte shumë e lidhur me këtë ndjenjë, që në fakt mbyllte rrugët dhe të linte pa shpresa. Por ky ishte vetëm fillimi, sepse me kalimin e kohës U2 nisën të ndjenin pozitivitetin dhe të prodhonin e përcillnin në vend të dëshpërimit shpresë dhe dritë. E tillë është kënga “In the name of Love”. Me këngë të tilla, imazhi i tyre nisi që të imponohej jo vetëm në skenat kombëtare, por edhe në ato kombëtare. Njerëzit nisën të dëgjonin për një grup djemsh irlandezë, tepër seriozë dhe të dedikuar në misionin e tyre, të cilët thoshin përmes këngës të vërteta të mëdha.
Në dhjetëvjeçarin e fundit, gjërat janë ndërlikuar. Menaxheri i grupit është munduar që gjatë kësaj kohe t’i ngulisë Bonos idenë se detyra e artistit është përshkrimi i problemeve dhe jo dhënia e zgjidhjeve të tyre. Ndërkohë Bono ka dashur gjithmonë që të ecë në një fushë të minuar, të bëjë zëdhënësin dhe të ngrejë zërin për çështje konfliktesh madhore. Madje për këtë ka marrë edhe titullin “këngëtari-diplomat”, që disa e thonë me ironi. “Detyra jonë është që ta rikthejmë Bonon në pozicionin fillestar, atë të artistit. Artistët nuk duhet dhe nuk kanë pse të futen në realitetin gri e të fëlliqur të politikës.
Ata duhet të vazhdojnë ta shohin botën përmes idealeve”, thotë Edge. Bono pati edhe fatin e keq që të mbështeste Uashingtonin dhe Presidentin Bush në njërën prej luftërave më të përgjakshme të viteve të fundit, asaj në Irak. Ndërsa dështimi i luftës sa vinte e rritej, Bono pas entuziazmit në mbështetje të saj, vendosi që të ruante një heshtje diplomatike, por e shkuara nuk harrohet dhe pamjet e tij pranë Presidentit Bush do ta përndjekin përgjithmonë. Në fakt ka pasur nga ata që e kanë akuzuar Bonon se “ka ngrënë në të njëjtin sahan” me kriminelët e luftës. Por ndërsa Bono është i vendosur të ndjekë rrugën e tij të aktivizimit edhe kur ku kritikohet, shokët e grupit nuk ndajnë me të të njëjtin qëllim dhe nuk duan që për shkak të zgjedhjes së Bonos të demonizohen.
“Unë e di se për shkakun tim, ata marrin një pjesë të kritikave dhe kjo nuk është e drejtë”, thotë Bono.
“Është shumë e vështirë. Ajo për çka më vjen keq është se ne në grupin tonë nuk flasim më së bashku për çështjet ndërkombëtare, as për ndonjë përfshirje të mundshme në fushatat pro apo kundër nismave të ndryshme politike, çka për mua nuk është gjëja e duhur që bëjmë, por kështu e kemi vendosur. Ajo çka më shqetëson është fakti se disa njerëzve mund t’iu dukem hipokrit duke qenë se kam shumë para dhe këto të depozituara në bankat e Ishujve Cayman, e ndërkohë bëj fushatë kundër varfërisë, kundër ADIS-it, pro të drejtave të afrikanëve.
Sigurisht që shumëkujt kjo mund t’i duket si hipokrizi. Njerëzit të cilët i kam mërzitur me veprimet dhe këmbënguljen time për çështje të ndryshme, ata që kanë dashur që të dështoj, më në fund mund të thonë se ia kanë arritur qëllimit. Unë thjesht jam përpjekur të bëj më të mirën që mundem dhe me paratë e mia e pa përfituar asgjë. Ndodh që bëjmë edhe gabime, por nuk do të tërhiqem nga ajo që kam për vokacion”, thotë këngëtari i U2. Në momente të tilla kupton që edhe Bono ka përjetimet e tij të dhimbshme dhe pikat e dobëta dhe të errëta.
Edhe pse U2 janë të ndërgjegjshëm për pozicionin e tyre shpesh kontradiktor dhe kjo për shkak të fushatave në të cilat merr pjesë Bono, nuk munden që t’i ndryshojnë gjërat dhe këndvështrimet. Ndonjëherë ajo që për dikë është një sakrificë, për një tjetër është hipokrizi. Kur e pyesin se përse në këngët e tij nuk ka objektiva shumë të qartë, Bono përgjigjet: “Objektivi goditës numër një është pikërisht hipokrizia njerëzore”.
Ai është i ndërgjegjshëm që ka shumë njerëz që nuk e pëlqejnë, sikundër ka shumë të tjerë që e pëlqejnë dhe e admirojnë për të shkuarën, për këngët dhe për impenjimin e tij shoqëror. “Unë mund të jem i mërzitshëm, kam një gjen mërzie, por jam një qenie me një ego të zhvilluar dhe këngëtarët e rokut e kanë këtë karakteristikë. Ata janë njerëz që kanë nevojë që të tjerët t’i duan, t’i admirojnë, t’i duartrokasin. Por nuk jam pishman, sepse pa ego, gjërat do të ishin të mërzitshme”, thotë Bono.
Albumi i fundit i grupit është një sukses i vërtetë muzikor, që të gjithë anëtarët e grupit duan ta ruajnë dhe ta mbajnë sa më larg veprimtarisë tjetër të Bonos. Në një varg të tekstit të këngës “Cedarët e Libanit”, që është edhe kënga e fundit e albumit “Asnjë linjë në Horizont” thuhet: “Zgjidhi me kujdes armiqtë e tu, sepse janë ata që të japin formë. Ky është edhe vargu më i rëndësishëm që sipas Bonos shpjegon gjithçka. U2 zgjodhën objektiva më të rrezikshëm dhe më interesantë se shumë grupe të tjera të suksesshme dhe si pasojë zgjodhën armiq më të fuqishëm që i bënë ata të jenë siç janë sot: të famshëm, kontradiktorë, por pafundësisht të mëdhenj.