e enjte, 11 nëntor 2010

Çfarë mund të mësohet nga presidenti John Kennedy

Revista “Life” me rastin e 50 vjetorit të zgjedhjes President publikon foto të rralla


Më 8 nëntor, 1960, John F. Kennedy u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, duke mundur Riçard Nikson. Kennedy ishte (dhe mbetet) personi më i ri i zgjedhur si President.
Ai mbetet ende si idhulli i miliona njerëzve në botë. Në zgjedhje Kennedy dhe ekipi i tij zhvilluan një fushatë marramendëse, shtytëse, ndryshe nga ç’kishte parë Amerika ndonjëherë. Me rastin e 50-vjetorit të zgjedhjes si President, revista ”Life” publikon fotografi pabotuara të një njeriu enigmatik, tepër ambicioze që bëri historinë. Më poshtë është edhe analiza e revistës më të madhe në botë për Kennedy-n. "Time" analizon presidencën e njeriut që ajo e quan "pararendësit të kohës së tij"


Analiza 
A ishte John Fitzgerald Kennedy një fajkua i Luftës së Ftohtë? Apo ishte një njeri që rendte para kohës së tij, një vizionar në përpjekje për të zgjidhur nyjën nukleare që mbante peng SHBA-në, Bashkimin Sovjetik dhe pjesën tjetër të botës?
Ndihmësit besnikë të John F. Kennedy në Shtëpinë e Bardhë, Kenneth O'Donnel dhe Dave Powers e titulluan librin e tyre të kujtimeve të vitit 1972, "Johnny, ne pothuajse s'të njohëm fare", pavarësisht faktit se ata shërbyen nën administratën e tij që kur ai ishte një kandidat te kongresi i ri në Boston. Kështu që nuk është çudi fakti se amerikanët po përpiqen për gjysmë shekulli që prej Presidencës së tij të ndërprerë se kush ishte në të vërtetë John Kennedy.Ndërsa Shtetet e Bashkuara e gjejnë veten sërish në një luftë të pafundme, kësaj radhe kundër terrorit apo mbase kundër vetë frikës, pyetja mbi trashëgiminë që Kennedy la vjen më se e nevojshme. Cila është mënyra e duhur, sipas së cilës Amerika duhet të lundrojë nëpërmjet një bote kur armiqtë duket se janë kudo dhe askund në të njëjtën kohë? Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si Kennedy po përpiqej të ripërcaktonte rolin e SHBA-së në botë dhe ftonte amerikanët të ishin pjesë e këtij ndryshimi? Kush ishte John Fitzgerald Kennedy i vërtetë?Rebusi fillon me Kennedy-n si person, një njeri politikisht kompleks, fjalimet e të cilit shpeshherë përhapnin në ajër shigjeta ashtu si dhe degë ulliri. Gjatë fjalimit të tij të famshëm inaugurial Kennedy, ndërkohë që u zotua se kombi "do të paguante çdo çmim, do të mbante çdo peshë, të përballej me çdo vështirësi, të mbështeste çdo mik, të kundërshtonte çdo armik për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë", lideri i ri gjithashtu "bëri paqe" me përplasjen e zakonshme sovjetike të kohës së tij dhe ftoi çdo armik që të bashkohej në "synimin e ri për paqe, para se fuqitë e errëta të shkatërrimit të ndërsyera nga shkenca të gllabëronin gjithë njerëzimin".Djaloshi John Kennedy kishte një neveri të thellë për luftën, për shkak të eksperiencës së tij dhe të familjes së tij me të. "Çdo lloj lufte është budallallëk", i shkruante ai shtëpisë nga barka e tij në Paqësor gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lufta shkatërroi sensin e pathyeshmërisë hyjnore të familjes. Vëllai i tij i madh, Joe, vdiq në një shpërthim në Kanalin Anglez, pasi doli vullnetar për një mision të rrezikut të lartë dhe bashkëshorti i motrës së tij të dashur, "Kick" Kennedy, gjithashtu u vra në luftë. Por Kennedy dhe vëllezërit e tij gjithashtu ishin edukuar për të qenë fitues, nga babai i tyre, të mos pranonin asnjëherë humbjen. Dhe kur ai hyri në fushatën presidenciale kundër Richard Nixon, 1960, ai ishte i përgatitur të bënte çdo gjë për të triumfuar.Duke punuar me presidentin e sapozgjedhur të familjes Kennedy në vilën në "Palm Beach" në janar të vitit 1961, shkruesi i fjalimeve Theodore Sorensen, u përpoq të gërshetonte dy anët e J.F.K, kur të dy burrat po përpiqeshin të krijonin fjalimin e inaugurimit të Presidentit. Duke vështruar pas në kohë, thotë Sorensen sot, fjalia më e rëndësishme e atij fjalimi nuk ishte "Mos pyesni se çfarë vendi juaj mund të bëjë për ju, pyesni se çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj". Fjalia më e rëndësishme ishte, "Vetëm kur armët tona të jenë të mjaftueshme përtej dyshimeve, mund të jemi të sigurt përtej dyshimeve se ato mund të përdoren ndonjëherë". Ky mesazh paqeje nëpërmjet forcës "ishte politika e Kennedy-t e thënë shkurt", shprehet Sorensen.Menjëherë pas vrasjes së John F. Kennedy, ai u mbështoll në aventura të pafundme mitesh. Në vitet e mëvonshme, ai ka rënë gjithashtu pre e kundërpërplasjeve revizioniste, i portretizuar në libra dhe media si një princ dekadent që vuri vendin në rrezik me sjelljen e tij moskokëçarëse. Ndërkohë që jeta private e Kennedy-t sigurisht që nuk do të kalonte pa u vënë re nga vështrimet e hollësishme të publikut sot. Ky interpretim patologjik humb thelbin e historisë së presidencës së tij. Në administratën e John F. Kennedy-t ekzistonte një madhështi heroike që s'kishte të bënte fare me mjegullnajat e Kamelotit. Ishte një presidencë që u ndesh me kohën e saj dhe arriti të gjente një pjesë të madhështisë. Në kulmin e Luftës së Ftohtë, Kennedy gjeti mënyrën për t'u tërhequr nga gremina bërthamore. Nën presione të papërkulshme për të shkuar në luftë, ai zgjodhi paqen. Ai foli me armiqtë e tij; ai njohu limitet e fuqisë amerikane; ai kuptoi se fuqia e vërtetë e këtij vendi rrjedh nga idealet demokratike dhe jo nga anijet ushtarake. Ai vazhdon të jetë një pararendës i kohës së tij.


Thënie të John F. Kennedy


“Falini armiqtë tuaj, por mos ua harroni kurrë emrat”


“Të mos negociojmë asnjëherë nga frika. Por s’duhet të kemi asnjëherë frikë të negociojmë”


“Njeriu mund të vdesë, kombet mund të ngrihen e të bien, por ideja jeton”


“Njerëzimi duhet t’i japë fund luftës, përpara se lufta t’i japë fund njerëzimit”


“Ndryshimi është ligj i jetës. Ata që shohin vetëm në të kaluarën dhe të tashmen, padyshim që do të humbasin të ardhmen”


“Përpjekjet dhe guximi nuk janë të mjaftueshme pa qëllime dhe orientim”


“Fëmijët janë burimi më i vlefshëm i botës dhe shpresa e saj më e mirë për të ardhmen”


“Jo të gjithë ne kemi talent të njëjtë, por secili prej nesh duhet të ketë mundësi të njëjtë për të zhvilluar talentin që ka”


Jetëshkrimi


John Fitzgerald Kennedy
29 maj 1917 - 22 nëntor 1963
Vendlindja: Bruklin, Masaçusets
Bashkëshortja: Jacqueline Jacqueline Lee Bouvie
Fëmijët: Caroline Bouvier Kennedy, John F. Kennedy, Jr. i cili humbi jetën në një aksident ajror në vitin 1999.


Arsimi
- Ai ndoqi shkollën publike "Edward Devotion School" që prej kopshtit deri në klasë të tretë.
- Më pas frekuentoi shkollën "Noble", "Greenough Lower School" dhe "Dexter School", një shkollë private për meshkuj.
- 1930: Prej klasës së tetë ai u dërgua në shkollën katolike për djem "Canterbury School" në Konektikat.
- 1935: Kreu për herë të parë një udhëtim jashtë vendit, duke lundruar drejt Londrës me familjen e tij për të studiuar me profesor Harold Laski në Shkollën e Ekonomisë në Londër (LSE), por pasi u sëmur me verdhëz u kthye sërish në shtëpi.
- Tetor 1935: U regjistrua në "Princeton University", por iu desh të shtrohej në spital pasi dyshohej për leucemi.
- Shtator 1936: Ai u regjistrua në Universitetin e Harvardit
- 1937 - 1939: Zhvilloi një tur udhëtimesh në Francë, Itali, Gjermani, Holandë, Angli, Bashkimin Sovjetik, Ballkan, Lindjen e Mesme etj. Në një pjesë të këtyre vendeve ai shkoi për të mbledhur informacion për temën e diplomës.


Ushtria
- 1941: Kennedy doli vullnetar në ushtrinë amerikane, por nuk u pranua për shkak të problemeve të tij me kurrizin.
- Shtator 1941: Pas refuzimit Marina Amerikane e pranoi atë si pasojë e influencës së të njohurve të babait të tij.
- 2 gusht 1943: Barka e Kennedy-t po kryente patrullën pranë Gjeorgjisë së Re në Ishujt Solomon kur pas një sulmi nga japonezët ai u plagos në kurriz.
- Ai mori medalje për heroizëm pasi kishte shpëtuar tre persona nga varka që po fundosej natën e sulmit të 2 gushtit 1943.
- 1945: Kennedy u lirua nga ushtria, disa muaj para se Japonia të dorëzohej.


Në fillimet e karrierës
- 1946: John F. Kennedy u zgjodh kongresmen dhe e mbajti atë post për gjashtë vite.
- 12 shtator 1953: Kennedy u martua me Jacqueline Lee Bouvie, periudhë kjo që u shoqërua nga probleme të rënda shëndetësore me shtyllën kurrizore.


Presidenca
-2 janar 1960: Kennedy deklaron qëllimin e tij për të kandiduar si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
- 13 korrik 1960: Konventa Demokratike emëron Kennedy-n si kandidatin e saj për President.
- Shtator 1960: Kennedy debatoi me kandidatin republikan, Richard Nixon, në debatin e parë televiziv presidencial.
- Debati konsiderohet si një gur kufiri: Pika në të cilën televizioni filloi të luante një rol të rëndësishëm në politikë.
- 20 janar 1961: Kennedy betohet si Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
- 22 nëntor 1963: Presidenti Kennedy vritet teksa udhëtonte në makinën e hapur presidenciale në Dallas, Teksas.
shko