e diel, 10 tetor 2010

Ndahen Olsi dhe Nocja

Për të gjithë ata që adhurojnë “Big Brother” si spektakël, por dhe personazhet, apo qoftë edhe çiftet e krijuara aty brenda, më në fund na vjen një lajm i ri: Olsi dhe Najada, përfundimisht janë ndarë nga njëri-tjetri. 


Kishin bërë shumë plane, kishin shpallur fejesën, kishin porositur unazat, kishin vendosur të bashkëjetonin, por ja që gjithçka u ka rezultuar aspak e suksesshme.

Sipas informacioneve që morën gazetarët e “Bluetooth”, javën që sapo lamë pas, lidhjes së tyre i ka ardhur fundi. Ata të dy nuk kanë duruar dot më, me njëri-tjetrin. Sipas të dhënave që morëm nga njerëzit afër çiftit, ka qenë Najada, vajza nga Fieri, që i ka thënë “stop” dhe ndal, lidhjes së saj me Olsin. Edhe pse Najada përpiqet t’i shmangë në intervistën e mëposhtme arsyet që e çuan në ndarjen me Olsin, miqtë dhe njerëzit e saj të afërt thonë se gjithçka, ka ndodhur për shkak të disa veseve të kaluara të Olsit, dhe që sikurse është thënë poshtë e përpjetë, edhe nga e fejuara e tij e parë Lusila, kanë pasur të bëjnë me përdorimin e lëndëve apo substancave narkotike.


E pyetëm vetë Najadën se mos është kjo një tjetër lojë e çiftit, sepse ata e kanë provuar dhe herë tjetër të ndahen dhe me pas janë ribashkuar sërish, por ajo këtë radhë thotë “jo”, ndarja e tyre është në mënyrë definitive… Le të lexojmë më poshtë se çfarë na ka rrëfyer Noçja në këtë intervistë ekskluzive për “Bluetooth”…


Najada sa i vërtetë është thashethemi që qarkullon në lidhje me ndarjen tuaj nga Olsi?
Është shumë i vërtetë.


Kush e mori këtë vendim?
Unë, ishte një vendim totalisht i imi.



Çfarë u bë shkak për ndarjen?
Problemet e shumta që ka Olsi me veten…


Mendon se ka gjasa që të riktheheni sërish bashkë?
Kësaj herë është përfundimtare. Nuk më kthehet më mendja sepse duhet të mendojë për veten në radhë të parë, pastaj për të tjerët. Nuk mund të lidhë jetën me një njeri të papërgjegjshëm.



Olsi ka tentuar ribashkimin?
E ka tentuar në mënyrat e tij, por unë ia kam prerë të gjitha shtigjet. Edhe numrin e celularit, prandaj e kam ndërruar… Ato që ka bërë janë gjëra që nuk rregullohen dhe kalohen lehtë.



Ju kishit planifikuar fejesën brenda këtij viti, ishte ky sipas teje një veprim i nxituar?
Nuk mund të them tamam-tamam i nxituar… Gjërat ishin shumë mirë, unë po jepja maksimumin, por ai kishte 2-3 muaj që nuk ishte shumë në terezi, ndaj janë zvarritur edhe kaq shumë gjërat.



Çfarë do të bësh tani Najada?
Kam përfunduar shkollën për pikturë. Kam dëshirë të ndjek masterin dhe aktualisht jam duke ndjekur një kurs kualifikimi në gjuhë të huaj dhe kompjuter.



Sa e lënduar je ti nga kjo histori?
Normalisht nuk mund të bëj indiferenten, diçka është thyer tanimë. Diçka që kisha kohë që e ndërtoja, por nuk jam dhe shumë e lënduar, ju thashë kjo ishte më e mira për mua.



Si do e kujtosh lidhjen me Olsin?
Nuk mundem ta përcaktoj tani se si ka qenë kjo lidhje për mua. Ka pasur momente të bukura, sikundër ka pasur momente të shëmtuara… Nuk mundem seriozisht në këtë moment të jap një përgjigje…



Jetesa
Noçja tani ka një banesë të re, krejt më vete nga Olsi, dhe tashmë po kërkon një punë, kudo qoftë ajo. Një punë më të mirë për të përballuar jetesën në kryeqytet. Jo se Najada nuk ka oferta të deritanishme, por ajo po sheh me kujdes për të zgjedhur më të mirën për veten e saj në këtë moment pak të vështirë që po kalon pas ndarjes me Olsin. Në fakt, sikurse na tregojnë njerëzit afër tyre, por siç na tha dhe vetë Noçja ajo nuk e ka pasur shumë problem këtë ndarje. Madje, ajo më shumë se kurrë është e vendosur për të gjetur një tjetër zgjidhje në jetën e saj, tashmë jo për çështje zemre. Duket se ajo nuk ka hequr dorë as nga argëtimi, por më shumë është kufizuar te njerëz e familjarë të saj por edhe shoqëri shumë të ngushtë.



Olsi: “Nuk jemi ndarë”


Natyrisht që pasi dëgjuam këtë lajm tentuam të flisnim edhe me çiftin. Në fillim tentuam me Noçen, por telefoni i saj rezultonte i fikur (gjithsesi e gjetëm formën e komunikimit). Pas saj kontaktuam me Olsin, i cili me natyrën e tij moskokëçarëse, na u përgjigj me një pyetje: “Ç’janë këto budallallëqe more? Kush i nxjerr këto lajme?” Duke vijuar më pas me frazën që mohon gjithçka: “Si mund të ndahemi kur thuajse një javë më parë unë ju tregova se do të fejohem me Noçen?”, ka përfunduar Olsi duke i mëshuar faktit që e gjitha kjo histori është e sajuar dhe aspak e vërtetë. Por nga ana tjetër pak ditë më parë, në statusin e tij në facebook.com ai shkruan: “U R IN MY MIND”, (ti je në mendjen time e përkthyer në shqip)… E kontrolluam sërish profilin e tij dje, por Olsi e kishte fshirë këtë status…


Fejesa e Olsit dhe Noçes
Vetëm në 10 shtator, pra gati një muaj më parë, Olsi, në suplementin “Summer Pages” të Gazeta Shqiptare, që mbylli siparin më 15 shtator, shpalli lajmin se shumë shpejt do të fejohej me Najadën. “Pse të mos ta bëjmë më tradicionale lidhjen?” shtroi Olsi pyetjen retorike për fejesën e tyre të shpejtë. Olsi na tregoi se fejesa e tyre do të kryhej brenda këtij viti, do të ishte një ceremoni tradicionale me prindërit gjatë ditës, ndërsa në darkë, do të ishte një ‘party’ me miqtë. Dhe jo vetëm kaq, por Olsi dhe Noçja kishin zgjedhur edhe unazat e tyre të fejesës. Ceremonia do të ishte tradicionale dhe Olsi tregon në intervistën për “Summer Pages” se pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte me Noçen, te shtëpia e saj. Ja dhe ëndrrat e tyre përfunduan, dhe më në fund, brenda vitit nuk do të ketë më fejesë, unaza apo gjithçka tjetër.
shko