E marta e ardhshme do të duhej të ishte një festë për shqiptarët e Zvicrës, që duhej të nderonin kontributin e madh të Micheline Calmy- Rey për Kosovën. Çmimi i ishte ndarë më herët, ndërsa më 21 dhjetor do ti ndahej në Zvicër.
Në vend të kësaj, tashmë shihen efektet e para negative të dëmtimit të imazhit ndërkombëtar të Kosovës, pas raportit të Dick Martyt.
Presidentja në pritje, Calmy Rey ka refuzuar marrjen në këtë kohë të dekoratës nderuese nga ambasadori i Kosovës atje, Naim Malaj. Mediat në Zvicër raportojnë se vendimi i tillë erdhi pas presioneve të deputetëve të Parlamentit zviceran.
"Në dritën e publikimit të raportit të Martyt, tani nuk është koha për të pasur një ceremoni solemne për ndarjen e çmimit," njoftoi Departamenti i Punëve të Jashtme (DFA). Ceremonia e dhënies së çmimit është shtyrë. Calmy Rey është ministre e Jashtme dhe e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës qysh në vitin 2005. Në janar të vitit të ardhshëm, ajo zyrtarizohet për presidente të vendit./indeksonline