Në sondazhin e realizuar nga Institutit Studimeve Ndërkombëtare për Shqipërinë, 37 për qind e të anketuarve mendojnë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk është as pozitiv dhe as negativ, 35 për qind mendojnë se ai është negativ dhe vetëm nëntë për qind mendojnë se është pozitiv, raportoi Shekulli.
Ndërsa 35 për qind mendojnë se mundësia e bashkimit Shqipëri-Kosovë është e paktë, 18 për qind mendojnë se ka një mundësi mesatare, ndërsa vetëm nëntë për qind mendojnë se është plotësisht e mundshme.
Nëse do të ndodhte organizimi i një referendumi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën pro janë 39 për qind e të anketuarve, kundër 23 për qind, abstenim 21 për qind dhe nuk do të merrnin pjesë 18 për qind e të anketuarve.
Sipas sondazhit, Serbia dhe Greqia janë kërcënim për Shqipërinë. Shumica e të anketuarve - 44 për qind, mendojnë se Italia ka patur më shumë influencë te qeveritë shqiptare pas vitit 1991, më pas vjen Greqia më 35 për qind, SHBA-të me 12 për qind dhe Serbia me nëntë për qind. Kjo e fundit paraqet për 51,6 për qind e të anketuarve kërcënimin më të madh për Shqipërinë, pasuar nga Greqia me 47,9 për qind, ndërsa Italia nuk paraqet asnjë kërcënim.