"Reagimi im i parë, dhe unë e lexova atë me shumë kujdes, është se jam shumë skeptik në lidhje me realitetin e këtyre akuzave për trafikim të organeve, por reagimi im i dytë është le t'i hetojnë ato”, tha Kouchner në një intervistë për BBC-në.
Ai tha se misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, kishte mjetet dhe mandatin për të hetuar provat që mund të ekzistonin në lidhje me këtë çështje.
Raporti pretendon se kjo tregti ka filluar kur Thaçi ishte udhëheqës politik në UÇK në fund të viteve 1990. Raporti thotë se ka prova se disa të burgosur nga UÇK-ja, përfshirë serbë, ishin vrarë para se t'i merreshin organet dhe t'u shiteshin blerësve të huaj.
Kouchner, që ka qenë shef i UNMIK-ut menjëherë pas luftës në Kosovë në vitin 1999, tha se nuk ka pasur dijeni për ekzistencën e ndonjë rrjeti për trafikim organesh nga ish-pjesëtarë të UÇK-së, përkundër pretendimeve në raportin e Martyt se zyrtarët perëndimorë “kanë bërë një sy qorr” në lidhje to.
"Krim i organizuar, trafik, sigurisht, makina dhe drogë, sigurisht që ishim të vetëdijshëm, por për trafik organesh, ne nuk ishim aspak në dijeni, dhe duket se është e vështirë të besohet, prandaj jam skeptik”, tha Kouchner.