e premte, 3 dhjetor 2010

ZGJEDHJET: Ambasadori Dell shpreh vlerësimet e tij për punën e Demokracisë në Veprim

Zyrat e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, të premten janë vizituar nga ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Christopher Dell, i cili është njoftuar për së afërmi me punën dhe përkushtimin e Demokracisë në Veprim për procesin e monitorimit të zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit- thuhet në një komunikatë për media të këtij koalicioni.

“Ambasadori Dell shprehu vlerësimet e tij për punën e Demokracisë në Veprim dhe për rëndësinë e madhe të vëzhgimit të procesit zgjedhor. Ai më pas u shpreh se është i mahnitur me cilësinë e punës së Demokracisë në Veprim lidhur me përgatitjet për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe se është i bindur që Demokracia në Veprim do të sigurojë një proces të vëzhgimit të nivelit të lartë të rangut botëror”, thuhet në komunikatë.


Udhëheqësi i koalicionit, Ismet Kryeziu, falënderoi ambasadorin dhe popullin amerikan për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që po i ofrojnë Demokracisë në Veprim, për ta vëzhguar procesin zgjedhor si një nga proceset shumë të rëndësishme në Kosovë. Në emër të Demokracisë në Veprim, Kryeziu ofroi përkushtimin maksimal në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare me 12 dhjetor.


Vëzhguesit e Demokracisë në Veprim janë duke e vëzhguar aktivitetet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore, ndërkohë stafi i koalicionit të OJQ-ve është duke vazhduar me trajnimin e më shumë se 5.000 vëzhguesve që do të jenë të angazhuar në ditën e votimit.

shko