e premte, 3 dhjetor 2010

ZGJEDHJET: Duam shtet të ri për kombin shqiptar, e jo komb të ri për shtetin e Kosovës

Në ditën e tretë të fushatës elektorale, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tubim me qytetarët e Gjilanit. Tubimi u mbajt në palestrën sportive “Bashkim Selishta-Petriti” dhe filloi në ora 13:00.

Hapjen e tubimit e bëri kandidatja Zanita Halimi. Kurse menjëherë pas hapjes fjalën e mori kandidati tjetër, Ismajl Kurteshi. Ai falenderoi qytetarët për pjesëmarrje masive në këtë tubim, dhe iu tregoi atyre idetë dhe qëllimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
“Të irrituar nga qeveritarët  e korruptuar që mungesën e ofertave serioze mundohen ta kompensojnë me ofrimin e drekave e darkave ose të ndonjë thesi me miell që e kan ble me parat tuaja, për ta korruptuar kështu edhe procesin zgjedhor, e në këtë mënyrë për t’u lënë pa ardhmëri. Duhet t’i kundershtojmë ata që marrin vendime pa e rrespektuar vullnetin e popullit. VETËVENDOSJA!, për çështje të rëndësishme do ta aplikojë referendumin. Ajo nuk do te marrë vendime pa qytetarët për:  bashkimin me Shqipërinë, decentralizimin, flamurin, hymnin, privatizimin dhe shumë qështje të tjera me rëndësi”- tha Kurteshi.
Pas tij, qytetarëve gjilanas iu drejtua ambasadori William Walker, i cili shprehu zhgënjimin e tij për qeverisjen e deritashme që ka pasur Kosova. “Dy vite pas pavarsisë së Kosovës, qeveritarët tuaj ju kanë orientuar në drejtim të gabuar. Kosova ka nevojë per fytyra të reja, e për ide të reja. Mendoj se Albin Kurti dhe të gjithë perkrahësit e aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë ide e plane të qarta për të zhvilluar shtetin e Kosovës. Unë besoj në idetë e juaja. Prandaj, më 12 dhjetor, të gjithë duhet të dilni e të votoni, për ta ndryshuar Kosovën”.
Para qytetarëve u prezentuan kandidatët për deputë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! si Liburn Aliu, Besnik Bislimi, Shkurte Aliu, Nexhmedin Shaqiri, Bejtush Isufi, Rexhep Selimi, Avdullah Bajra, Avni Rudaku e Zanita Halimi. Këta i ftuan qytetarët e Gjilanit që të dalin në zgjedhje, dhe me moton “BASHKË ËSHTË E MUNDSHME”, ta ndryshojnë Gjilanin dhe Kosovën.
Me duartrokitje të shumta e me brohoritje “VETEVENDOSJE” dhe “ALBIN KURTI”, fjalën e mori Albin Kurti. Ai u foli qytetarëve të Gjilanit, për  keqqeverisjen e deritashme, dhe konkretisht për proceset që dëmtuan Kosovën, e veçanërisht Anamoravën. “Viti 2008 ishte vit i shpresave të mëdha, kurse viti 2010 u bë vit i zhgënjimeve të mëdha. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk lejon që ky zhgënjim të kthehet në dëshpërim, por punon që ky zhgënjim të kthehet në një shpresë të re. Kur të pakënaqurit bashkohen, atëherë ata shpresojnë dhe veprojnë për këtë ndryshim të madh, që do nis me 12 dhjetor,  në ditën kur populli do të vendos per vetën. Pavarsia e Kosovës do të mbetet vetëm pavarsi formale, nëse nuk ia shtojmë sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik. Sovraniteti Kosovës nuk i shtohet duke shkuar në negociata kronike me Serbinë, e zhvillimi ekonomik nuk arrihet duke i shitur ndërmarrjet publike fitimprurëse. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta bëjë Kosovën sovrane”- u shpreh Albin Kurti.
Ai shtoi se “Ne duam një shtet të ri për kombin shqiptar, e jo komb të ri për shtetin e Kosovës. “30.000 qytetarë të Gjilanit e nënshkruan peticionin kundër decentralizimit, që e coptoi këtë rajon. Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta ndërrojë pushtetin që po i bën dëmë qytetarit, e do ta aplikojë peticionin për ta mbrojtur vullnetin e qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! kurrë nuk do t’i tolerojë strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, e as mallrat serbe ne tregun e Kosovës. Duhet të mblidhemi të gjithë bashkë, ti largojmë nga pushteti këta që duan votën dhe paratë e qytetarit, e jo qytetarin.  Të bëhemi bashkë, që të vendosim për veten tonë. Më 12 dhjetor së bashku do ta ndryshojmë Kosovën”- perfundoi Kurti.
shko