e enjte, 27 janar 2011

Ergysi “propozon për martesë” Klodjanën

Që prej fillimit të spektaklit, Ergysi dhe Klodjana kanë qenë shumë të afërt me njëri-tjetrin. Duke bërë shaka, Ergysi thotë se
ka në plan që t’i kërkojë dorën në shtëpi dhe për këtë arsye po sillet në mënyrë korrekte me të

Një sërë ngjarjesh kanë ndodhur brenda shtëpisë së “Big Brother” orët e fundit. Marieli ka biseduar gjatë me Mirjetën për situatën pas spektaklit të së shtunës, ku pranuan para banorëve ndjenjat ndaj njëri-tjetrit. Marieli i ka thënë Mirjetës se ajo është distancuar pak prej tij, por ajo nuk e pranon, duke thënë se nuk e ka problem se çfarë mendojnë të tjerët. Ervini dhe Ermela bëjnë thashetheme për banorët e tjerë, ndërkohë që Neda dhe Alma kanë fshehur për lojë rrobat e banorëve.

Edisoni i kërkon falje Nedës dhe Almës

Pas një bisede me Mirjetën për ndjenjat që ajo ka ndaj Marielit, Edisoni afrohet te Neda. Ajo fillon ta këshillojë për qëndrimin në shtëpi e sidomos për sjelljen e tij ndaj ushqimit. Neda thotë se ata duhet ta konsumojnë ushqimin në mënyrë të barabartë dhe Edisoni pranon se ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe kërkon falje për sjelljen, duke shprehur konsideratë për Nedën. Më vonë Edisoni shkon tek Alma dhe të dy bashkë fillojnë të bisedojnë në mënyrë që të sqarohen për sa i përket sjelljes së Edisonit. Alma i thotë se ai duhet të jetë pak më i qetë, sepse në disa situata e tepron. Edisoni i kërkon falje edhe Almës, duke shprehur respekt për të.Ai hapet me Almën dhe fillon t’i tregojë për vështirësitë që ka hasur familja e tij. Edisoni tregon se pjesëtarët e familjes së tij kanë qenë pa punë dhe atij i është dashur të punojë edhe punë të tjera për të fituar para. Ai shton se tani gjendja e tyre ekonomike është më e mirë, por se mundohet shumë për t’i ndihmuar.

Filozofia, arti, piktura

Neda dhe Petriti, bashkë me një grup tjetër banorësh, diskutojnë për të bukurën dhe të shëmtuarën. Neda thotë se e bukura dhe e shëmtuara kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe se duhet të ekzistojë patjetër njëra për të kuptuar tjetrën. Më pas vajzat flasin për artin dhe më konkretisht për pikturën. Jonela tregon për disa pikura që i ka në shtëpi dhe bën analizën e tyre. Ajo thotë se më shumë i pëlqejnë pikturat abstrakte. Më pas ato flasin për koleksionet. Jona thotë se koleksionon para të të gjitha llojeve, ndërsa Alma tregon për të fejuarin dhe thotë se ai koleksionon euro që në momentin që ka dalë në treg deri më sot. Në tavolinën e ngrënies Ermela dhe Ergysi bëjnë thashetheme për njërin nga banorët, por kujdesen mirë që të mos thonë asnjë të dhënë për të. Shkëlqimi dhe Marieli ndodhen atje, por i dëgjojnë në heshtje.

Ermela bën thashetheme me Ervinin

“Çifti i shtëpisë”, Ermela dhe Ervini dalin shëtitje në oborr dhe fillojnë të bisedojnë. Ermela i thotë Ervinit që në disa raste ai ka probleme me emocionet e tepërta, me euforinë. Ajo shpjegon se Ervini është personi më i afërt për të brenda shtëpisë dhe mund të flasë shumë hapur me të. Ermela thekson se banorët nuk flasin dot sinqerisht me njëri-tjetrin dhe jetojnë me frikë, ndryshe nga ata të dy që mund të flasin hapur. Ervini thotë për Algenin se është libër i hapur dhe duket qartë kur ka tendencën të ngatërrojë njerëzit. “Është kot pa ushtarë ai”, thotë Ermela.

Ogreni shkon në sallon dhe thotë se “Vëllai i Madh” i ka dhënë mundësinë që mund të zgjedhë një person tjetër për natën e sotme dhe ai zgjedh Marielin. Shkojnë të dy për te dhoma e liderit. Ogreni shikon me vëmendje pjatat dhe enët e kuzhinës dhe thotë se i kanë marrë nga shtëpia e tij. Ata kënaqen me ushqimin dhe thonë se u duket vetja sikur janë në shtëpi.

Neda-Alma, në “operacion fshehje rrobash”

Neda dhe Alma marrin rrobat e Klodjanës dhe Jonelës, të cilat janë duke bërë dush dhe ia fshehin në dhomën e gjumit. Ato përfshijnë dhe Ervinin në “operacion” dhe i kërkojnë atij që të mos tregojë. Pasi binden që nuk kanë lënë gjurmë, dalin jashtë. Vajzat vijnë të lagura nga dushi dhe i hidhen sipër Almës dhe Nedës si për t’u hakmarrë. Më pas kërkojnë rrobat nëpër dhomë dhe i gjejnë.

Ogreni: Nuk e di nëse duhet të zgjedh Nedën

Ogreni i tregon Marielit në dhomën e liderit për familjen. Ai thotë se ka dy motra më të mëdha se vetja, të cilat janë Belinda dhe Pamela. Ogreni tregon se është bërë tre herë dajë. Më pas fillojnë të tregojnë histori me njëri-tjetrin. Ogreni i thotë Marielit se më vonë do t’i japin mundësi që të shikojnë film në dhomë, por e ka problem se cilin nga banorët të marrë. Marieli i këshillon të marrë Nedën, por Ogreni thotë se nuk kërkon që të futet në telashe. Marieli i thotë se nuk ka pse ta shikojë si telash dhe më pas fillon t’i flasë për Mirjetën dhe natën e spektaklit. Marieli tregon për Mirjetën dhe thotë se ajo çohet natën dhe e pyet për diçka, por ndërkohë që ai i jep përgjigjen, Mirjetën e ka zënë sërish gjumi. Ai thotë se asaj i ndodh shpesh që të flasë natën përgjumësh.

Marieli: Ndjehesha në siklet kur flija me Mirjetën

Marieli i tregon Ogrenit për Mirjetën dhe thotë se e mendon shpesh atë gjatë ditës dhe ka filluar të ndiejë për të çdo ditë gjithnjë e më shumë. Ai thotë se është njeri që e shpreh dashurinë dhe duke e pasur afër për gjithë ditën Mirjetën, ka mundësi që t’ia shprehë duke e puthur dhe përqafuar. Ogreni e pyet se ku pozicionohen ndjenjat e tij duke nisur nga 1 tek 10. Marieli thotë se në fillim e shikonte thjesht si shoqe, pak më vonë mund ta shikonte si motër. Tregon se në fillim ka qenë shumë në siklet kur kanë fjetur bashkë, por tani nuk ndihet më ashtu. Marieli thotë se nga 1-shi tek 10-a, ai mund të pozicionohet tek 7-a. Marieli tregon se duke qenë se rrinë për 24 orë bashkë, ai e ndjen shumë të afërt. Marieli i tregon Ogrenit se ka nevojë që familjarët e Mirjetës të pohojnë që janë të kënaqur për lidhjen e tyre. “Ashtu marr zemër”, thotë Marieli. Ogreni thotë se ai është treguar vërtet i kujdesshëm.

Ergysi “propozon për martesë” Klodjanën

Klodjana dhe Ergysi rrinë në krevat. Ergysi thotë se ka në plan që t’i kërkojë dorën në shtëpi dhe Klodjana qesh. Ai thotë se nuk mendon se është perfekt, por as ajo nuk është perfekte. Ergysi thotë se po i qëndron korrekt asaj në mënyrë që ta ketë sa më të lehtë për të marrë dorën. Më pas atje shkon Mirjeta dhe i tregojnë edhe asaj për “propozimin për martesë”.

Marieli dhe Mirjeta sqarohen për raportin e tyre

Në dhomën e gjumit, tashmë janë ndezur dritat dhe muzika, ndërkohë që banorët fillojnë të zgjohen. Të parët që çohen nga gjumi janë Mirjeta dhe Marieli dhe pas tyre fillojnë të zgjohen një e nga një edhe banorët e tjerë. Pas punëve të mëngjesit, Marieli dhe Mirjeta dalin jashtë në oborr dhe ulen përballë rrezeve të diellit. Aty fillojnë të bisedojnë për raportin që kanë krijuar mes tyre dhe për atë që ndjejnë. Pas së shtunës, kur u treguan banorëve për ndjenjat ndaj njëri-tjetrit, Marieli shprehet se po kalojnë një situatë të bukur. Mirjeta tregon se u ndie në siklet dhe Marieli shprehet se mendon që për këtë arsye Mirjeta po i mban më tepër distancë se më parë. Marieli i thotë Mirjetës se i erdhi keq që ajo natën që kaloi nuk e përshëndeti dhe as e puthi. Mirjeta justifikohet duke i thënë se ajo mendoi se ai ishte në gjumë dhe nuk deshi që ta zgjonte, sepse ata do të fillonin bisedat dhe do të shkonte ora shumë vonë për gjumë. Marieli përsërit se Mirjeta ka filluar të distancohet pas spektaklit të së shtunës, por Mirjeta nuk e pranon. Ajo shprehet se nuk i intereson se çfarë mendimi kanë njerëzit për të, por ajo vepron ashtu si ndihet më mirë.

Banorët nuk gjejnë dot rrobat

Ogreni shkon në banjë dhe gjen atletet e lagura, bashkë me Nedën ankohen për banorët që kanë bërë këto veprime. Jonela thotë se asaj i mungon një pjesë e rrobave dhe mendon se këtë veprim e ka bërë një grup banorësh që akoma nuk dihet se cilët janë.

Petriti diskuton me Ogrenin dhe të dy janë të irrituar nga ky veprim. Petriti thotë se kjo nuk është lojë dhe se do të hakmerret me personin që ka kryer veprimin. Ermela thotë se nuk ka se si të reagojë ndryshe, vetëm duke i folur personit në fjalë. Të gjithë banorët mblidhen në oborr dhe diskutojnë për fshehjen e rrobave. Ata janë në një mendje dhe thonë se nuk duhen bërë lojëra të tilla. Ergysi thotë se loja që kanë bërë vajzat mbrëmë, duke i lyer me pastë rroje të gjithë djemtë, ia vlen të bëhet si lojë, por Algeni nuk është në një mendje dhe thotë se nuk dihet se si mund të reagojë dikush që është në gjumë dhe nuk duhen bërë lojëra të tilla./topLajm
shko