e enjte, 13 janar 2011

Kush përnjëmend është më i votuari në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është lideri më i votuar në Kosovë me 126 mijë vota, i pasuar nga oponenti i tij politik, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,
 Hashim Thaçi, me 114 mijë vota, shkruan sot “Zëri”.

Por, sipas burimeve të Top Channel, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, del lideri më i votuar në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 dhe ato të përsëritura më 9 janar të vitit 2011. Top Channel dje thirrej në burime të afërta me KQZ-në dhe sipas tyre Hashim Thaçi në këto zgjedhje ka marrë 160 mijë vota, ndërsa lideri i partisë rivale, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë 120 mijë vota, ose 40 mijë më pak se i pari.

Burime të gazetës “Zëri” brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se krahasuar me zgjedhjet e kaluara nacionale të 2007-ës, kur Hashim Thaçi i printe “top- listës” së njerëzve më të votuar, i pasuar nga Fatmir Limaj dhe Fatmir Sejdiu, tani pas tre vjetësh, ai ka rënë në vendin e dytë. Ndonëse PDK-ja më 12 dhjetor ka dalë si partia numër 1, me 32 për qind të votave apo me 206. 929 vota, kreu i saj, Hashim Thaçi nuk ka arritur të marrë më shumë se gjysmën e këtyre votave.

E në anën tjetër, njeriu i cili nga 12 dhjetori e ka marrë primatin si më i votuari, Isa Mustafa, ka arritur që të marrë thuajse vota sa e tërë partia e tij. Derisa LDK-ja ka arritur t’i marrë 159 mijë e 823 vota, ai ka marrë 126 mijë vota, që i bie diku 30 mijë vota më pak se partia.

Rënien në vota të kryeministrit në largim, Hashim Thaçi dhe ngritjen e liderit të LDK-së, Isa Mustafa, të martën nuk kanë dashur ta komentojnë drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës. “Meqenëse unë nuk i kam ato rezultate, nuk mund t’i komentoj, sepse nuk i kam parë. Kur të dalin zyrtarisht, i shohim. Unë nuk mund të operoj tash me informacione tuaja”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Rrustem Mustafa.

Vendin e tretë si njeriu më i votuar në Kosovë e ka zënë Fatmir Limaj, “pozitë” të cilën deri më 12 dhjetor e mbante ish- kryetari i LDK-së dhe ish- presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Edhe pse ka rënë nga “pozita” e dytë në të tretën si njeriu më i votuar në Kosovë, ai ka marrë më shumë vota se sa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se sa kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, etj. Sipas burimeve të gazetës, Limaj ka arritur t’i marrë mbi 64 mijë vota.

Vendin e katërt si njeriu më i votuar në Kosovë në këto zgjedhje e ka zënë “rebeli” i politikës kosovare, Albin Kurti. Ai ka arritur t’i marrë 56 mijë vota. Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka marrë 28 mijë vota, derisa Agim Çeku ka marrë 13 mijë vota.

Për analistët politikë, ndryshimi i “top-listës” së njerëzve më të votuar në Kosovë ka ndodhur për faktin se për të gjitha dështimet në Kosovë është akuzuar kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi, derisa Isa Mustafa ka arritur ta shfrytëzojë këtë moment, duke e kritikuar vazhdimisht atë dhe kësisoj ka fituar simpatinë e elektoratit të LDK-së.

Sipas analistit politik Avni Zogiani, LDK-ja edhe pse ka qenë në koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, Isa Mustafa në momentet e duhura ka filluar kritikat ndaj këtij koalicioni, gjë që më vonë atij i është përkthyer në vota nga elektorati.

“Dorën në zemër, qeveria Thaçi ka qenë qeveri edhe me LDK-në. Problemi nuk është vetëm se si refuzim prej Thaçit. Thaçi gjithmonë është interpretuar si fajtor edhe ndoshta pikërisht këtë ka arritur ta shfrytëzojë Mustafa, sepse në një moment të caktuar ka filluar haptazi të flasë për prishjen e koalicionit... Domethënë, anëtarësia e LDK-së ka parë te Isa atë që kanë kërkuar një kohë të gjatë, sepse mos të harrojmë, LDK-ja me Thaçin personalisht në kohën e Rugovës ka qenë në antagonizma tepër të ashpra, në armiqësi tepër agresive”, ka shpjeguar Zogaini arsyen e ngritjes së Mustafës si lideri më i votuar në Kosovë.

Ndërsa analisti tjetër, Mazllum Baraliu ka thënë se këto rezultate ende nuk janë përfundimtare dhe shumëçka varet edhe prej rastit të Mitrovicës.

“Rasti i Mitrovicës, një komunë e tërë, është njëra nga komunat më të mëdha në Kosovë. Do ta ndryshojë përsëri nomenklaturën, renditjen atje dhe ende nuk dihet dhe nuk mund të thuhet derisa nuk jepen rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja. Prandaj, nuk mund të thuhet se është ai apo ky tash për tash më i votuari”, tha ai.

Gazeta nga burimet e saja ka mësuar se një numër të madh votash kanë marrë edhe disa njerëz të rinj si Arben Gashi i LDK-së, i cili ka arritur t’i marrë mbi 20 mijë vota.

Ndërsa, njerëzit e rinj të PDK-së nuk kanë arritur të marrin edhe aq shumë vota. Berat Buzhala nuk ka rritur që të marrë më shumë se 4 mijë vota dhe në këtë mënyrë nuk ka arritur ta sigurojë “vizën” për të hyrë në Kuvend.

Legjenda: Kreu i LDK-së në zgjedhjet e 12 dhjetorit ka marrë 12 mijë vota më shumë se kreu i PDK-së
Mësohet se ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi nuk ka arritur të marrë më shumë se 19 mijë vota, sa mësohet të ketë marrë edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj. I dyti i ekzekutivit, Hajredin Kuçi ka marrë 14 mijë vota./kn
shko