e premte, 18 shkurt 2011

Anas Aremeyaw Anas, Gazetari i guximshëm

Për të realizuar investigimet është bërë prift, kamerier apo i çmendur. Ka denoncuar skandale seksuale dhe diplomatike, trafikun e prostitutave minorene dhe lëndëve narkotike. Në jetë ka një mision: të denoncojë korrupsionin në shoqërinë ganeze 
Spitali psikiatrik i Accra-s ndodhet në një kompleks kaotik në zemër të kryeqytetit të Ganës. Është i rrethuar me mur dhe tela me gjemba, i cili të jep përshtypjen e një kampi për punë të detyruar se sa të një spitali për të sëmurët mendorë. Aty Anas Aremeyaw Anas ka kaluar gjashtë muaj për të bërë një investigim. Është shtirur si taksist dhe shitës buke në mëngjesin e 20 nëntorit të vitit 2009. Gazetari ndryshoi edhe një herë identitet duke qethur flokët shkurt dhe duke veshur një xhaketë të zezë me pulla. 

Tek pullat ishte vendosur një telekamerë e fshehur, ndërsa një tjetër gjendej tek ora e dorës. I ndihmuar nga një mik, Anas arriti të kalonte portën e zezë metalike dhe duke u shtirur si i çmendur, u mbyll në çmendinë. Në spital askush nuk mund të dyshonte se pacienti i ri, i cili kishte thënë se quhej Musa Akolgo, ishte në fakt gazetari investigativ më i famshëm i vendit. Në dhjetë vitet e fundit, Anas është kamufluar shumë herë, duke “imituar” persona të ndryshëm, nga imamët tek polici i korruptuar. Në vend janë shumë të paktë ata që e njohin fytyrën e tij të vërtetë: edhe fotot që gjen në internet janë pothuajse të gjitha të modifikuara. Anas tregon se ka të paktën 30 paruke në shtëpi. 
Një herë, teksa ndiqte ngjarjet për prostitucionin me minorenet, ka punuar si shërbëtor brenda një bordelloje: lante dyshemetë, ndryshonte çarçafët dhe mblidhte prezervativët e përdorur në tokë. Një herë tjetër, teksa ishte në gjurmët e trafikantëve të vajzave kineze, veshi një uniformë kamerier për të hyrë në dhomën e hotelit ku gjendej bosi me prostitutat e tij. 
Metodat që ai përdor e kanë bërë të arrijë rezultate konkrete: trafikantë kinezë u arrestuan, u nxorën para drejtësisë dhe u dënuan me 41 vjet burg. Për këtë reportazh dhe për atë mbi prostitucionin minoren, Departamenti amerikan i Shtetit e përgëzoi Anas, i cili kontribuoi në denoncimin e dy organizatave të rrezikshme që merreshin me trafikun e qenieve njerëzore. Po ashtu, ky departament, në vitin 2008, i dorëzoi “Heroes acting to end modern –day slavery”, më vonë reporteri mori nga Instituti për Luftën dhe Paqen çmimin “Kurt Schrok”, për ndryshimet vendimtare në aktivitetin gazetaresk. Disa muaj më parë, një komision i përbërë nga Jimmy Carter, Kofi Annan dhe Desmond Tutu e shpalli fitues të çmimit “Every human has rights”. 
Në vitin 2009, gjatë vizitës në Gana, Barack Obama e përmendi Anas në fjalimin e tij përpara Parlamentit vendas, për faktin se kishte treguar të vërteta duke rrezikuar jetën. Kur e pyet se cili është modeli i tij, Anas përgjigjet: Gunter Wallraff, gazetari gjerman i cili prej më shumë se 40 vjetësh merret me gazetari investigative. Por Anas e di mirë se të shkruash reportazhe me emra të rremë është më e vështirë në Accra se në Berlin dhe Nju Jork. “Pas publikimit të një artikulli nuk jam i qetë. Nuk mund ta lë qeverinë të thotë se ato çfarë shkruaj janë vetëm gënjeshtra. Ata përpiqen të fshihen pas shprehjes: “duam prova” dhe unë jam i gatshëm t’ua jap.

Aktor i lindur

Anas ka lindur në vitin 1978 në Accra, një qytet bregdetar me rreth 2 milionë banorë. Babai ishte ushtarak, ndërsa e ëma infermiere. Që i vogël e kishte pasion aktrimin. Anas ka studiuar gazetari në Ganë dhe si fillim ka punuar për një revistë të përjavshme në vend. Që atëherë nisi të merrej me shkrime të mirëfillta investigative. Në 2006-n shkroi dy reportazhe që e përforcuan famën e gazetarit më të famshëm, i cili kërkon të denoncojë korrupsionin në vend. Në fillim hetoi në një fabrikë biskotash që përdorte miell të helmuar për produktet. Shumë shpejt fabrika u mbyll. Më vonë zbuloi edhe korrupsionin që bëhej në zyrën e pasaportave. Shoqata e Gazetarëve të Ganës e shpalli “Gazetarin e Vitit” për kontributin e tij. BBC dhe shumë shoqëri sigurimi kanë kërkuar që të bëhen bashkautorë në investigimet e tij.

Në spital

Tri ditë pas hyrjes në spitalin psikiatrik, Anas zbuloi se një punëtor i thjeshtë me emrin Carter u shiste kokainë, heroinë dhe marijuanë pacientëve. U hoq edhe vetë si përdorues i tyre për të mos rënë në sy. Anas e dinte se kur të hynte në atë spital do t’i jepeshin qetësues, madje ishte konsultuar edhe me mjekë se si të neutralizonte efektin e tyre. Gjithsesi. për pak kohë. e pa veten keq: ilaçet, edhe pse shumicën e tyre nuk i pinte, po jepnin efekt. Me pretekstin e një funerali vendosi të dilte nga spitali. Jashtë e priste një makinë me dy nga mjekët e tij. Pasi e mori veten, pas tri ditësh u kthye sërish.
Në artikullin e tij “I fshehur brenda çmendinës së Ganës” tregoheshin detaje se si punonjësit nuk u shërbenin të sëmurëve, të cilët kërkonin për të ngrënë nëpër kazanët e plehrave, askush nga mjekët nuk i kuronte, dhe se si një pacient që kishte humbur jetën, u la për shumë në një kanal para se punonjësit ta largonin me të njëjtin furgon që përdornin për të transportuar ushqimin. Anas është ftuar në emisione të ndryshme televizive dhe radiofonike, pa treguar asnjëherë fytyrën e tij të vërtetë. Kryetari i Gjykatës së Lartë të Ganës i dërgoi një letër përgëzimi ndërsa zëvendëspresidenti i vendit, telefonoi tek revista ku ai punon për ta falënderuar. Ndërkaq një asistent i presidentit i dërgoi Anas-it një zarf me rreth 450 euro. “Mua nuk më intereson të heq njeri nga puna. Thjesht dua të zbuloj korrupsionin dhe t’ua tregoj atë njerëzve. T’u tregoj atë që fshihet në vendin e tyre. Për të tjerat duhet të mendojë qeveria”, thotë ai.
shko