e hënë, 28 shkurt 2011

Gadafi jep intervistë për miqtë serbë

Televizionit serb Pink, i shkoi për dore të bënte diçka që askush nuk ia doli ta bënte deri tash. Të dielën mbrëma ky televizon transmetoi intervistën ekskluzive me liderin libian Moamer Gadafi. Sipas Gadafit, situata në Libi është e qetë dhe pa incidente, ndërsa shteti është nën kontroll. Kjo është intervista e parë që Gadafi ia dha ndonjë mediumi të huaj, ku edhe e paraqiti versionin e tij për situatën në vend. 

Sipas tij, numri i të vrarëve është minimal dhe është gënjeshtër ajo që raportohet në mediat e huaja. Gadafi nuk mundi të mos e kritikonte Këshillin e Sigurimit që vendosi sanksione kundër Libisë. Por, pavarësisht nga ekskluziviteti, Gadafi nuk tha asgjë të re, por vetëm e përsëriti atë që një kohë të gjatë po e thotë për televizionin shtetëror të Libisë.

Ende nuk dihet se si ia doli televizioni Pink ta marrë këtë intervistë, për të cilën mediat botërore kishin paguar miliona dollarë, por besohet se meritat i ka selektori i kombëtares së Libisë në futboll, serbi Branko Smiljanic, i cili ka raporte të mira me djalin e Gadafit, Al Said. Sidoqoftë, nga redaksia e Pink kjo interpretohet vetëm si dëshmi e besimit të madh që ka Gadafi ndaj serbëve.
shko