e hënë, 7 shkurt 2011

Pengesa e Pacollit, bashkëshortja ruse

Derisa në qarqet politike në Prishtinë nuk ka dilemë se mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës do të jetë Hashim Thaçi, ka shumë dilema se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, shkruan gazeta serbe “Politika”.


Duke përcjellë raportimin e mediave kosovare, “Politika” përkujton se në mesin e emrave që tashmë janë përmendur për postin e presidentit të shtetit të Kosovës janë Edita Tahiri, Blerim Shala, Agim Çeku e Veton Surroi.


Por, “Politika” shkruan se mediat e Prishtinës tashmë nuk e përmendin më Behgjet Pacollin si kandidat, edhe pse ai në një intervistë për këtë gazetë serbe citohet të ketë thënë se do të kërkojë të jetë president i Kosovës.


Në partinë e Pacollit, AKR, pohojnë se Pacolli ende është kandidat serioz për president.
“Pacolli është personaliteti më kredibil politik në skenën kosovare. Në fushatën zgjedhore publikisht kemi porositur se marrim pjesë në zgjedhje për të fituar ulësen e njeriut të parë të shtetit. Tash për tash, rreth kësaj kemi pasur vetëm një bisedë joformale me Hashim Thaçin, nga fillimi i muajit janar. Duhet të ulemi në tavolinë. Ndërsa, gjykuar në rrethanat që sundojnë në skenën politike shqiptare të gjitha variantet duket se janë në qarkullim”, ka thënë për “Politikën” Ibrahim Gashi, nënkryetar i AKR-së.


Por, analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se Pacolli, duke marrë parasysh kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që kërkon njerëz me “duar të pastra”, nuk mund të jetë në ulësen e njeriut të parë të shtetit.


“Ai është njeri nga biznesi, në të kaluarën ka pasur shumë afera, padi, ndërsa është e njohur se edhe Carla del Ponte e ka ndjekur në Zvicër për shkak të mosrespektimit të ligjeve. Ende është aktiv në biznes dhe është pyetje nëse ai do të mund t’i ndihmonte Kosovës, posaçërisht tash kur imazhi ynë jashtë vendit është nxirë, por, ka edhe një pengesë nga arsyet e sigurisë. 



Është e ditur se Behgjet Pacolli është i martuar me ruse. Përveç kësaj, ai ka edhe shumë punë në Rusi”, tha për “Politikën” Maliqi, duke theksuar se është shumë reale mundësia që në krye të shtetit të vendoset Agim Çeku, edhe pse, siç thotë ai, bashkësia ndërkombëtare insiston që shtetin ta udhëheqë një grua.

Kur bëhet fjalë për Veton Surroin, vazhdon “Politika”, një burim në Prishtinë ka thënë se ai nuk do të kandidohet, sepse do të duhej të udhëhiqte ekipin e Kosovës në bisedimet e ardhshme me Beogradin.


Në partinë e Thaçit e refuzojnë mundësinë që Edita Tahiri, kryetare e Alternativës Demokratike që deri tani ka qenë në koalicion me PDK-në, të jetë presidente e Kosovës.
“Sipas Kushtetutës na takojnë vendet e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa kur bëhet fjalë për Edita Tahirin, këto janë vetëm spekulime dhe supozime, sepse ajo nuk është nga radhët e partisë sonë. Në fakt, ne as që do të kërkojmë postin e presidentit”, ka thënë për “Politikën” Bajram Rexhepi, nënkryetar i PDK-së.


Në anën tjetër, “Politikë citon edhe analistë që thonë se në AAK-në e Ramush Haradinajt janë të përmbajtur në lidhje me mundësinë që Blerim Shala, nënkryetari i parë i kësaj partie, të ketë përkrahjen për t’u zgjedhur president i Kosovë./kn
shko