e hënë, 14 shkurt 2011

Serbia ende nuk ia kthen Kosovës artefaktet

Kthimi i 1.247 eksponateve, të cilat mbahen në Serbi, synohet të jetë një nga temat e dialogut të ardhshëm Prishtinë-Beograd. Këtë të paktën do ta kërkojë Muzeu i Kosovës. Me pretekstin e ekspozimit në Beograd, eksponatet aso kohe ishin marrë nga autoritetet serbe në fund të shekullit të kaluar. 


Drejtori i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri ka thënë se do të kërkojnë që në agjendën e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, që pritet të ndodhin pas formimit të qeverisë së re, të jetë dhe çështja e 1.247 eksponateve arkeologjike dhe etnologjike, të cilat janë marrë hua nga muzetë e Kosovës për ekspozim të përkohshëm në Beograd gjatë viteve 1998-’99. 


Ajo që është marrë me vete nga pushteti serb gjatë luftës së fundit, ka një vlerë të rëndësishme të trashëgimisë së luajtshme kulturore, ka thënë drejtori i Institutit të Monumenteve të Prishtinës, Haxhi Mehmetaj. Pos Hyjneshës në Fron, e cila është kthyer me iniciativën e përfaqësuesit të atëhershëm të UNMIK-ut, Mihajl Shtajner, në vitin 2002, koleksioni i eksponateve të Kosovës në Serbi ka një vlerë të rëndësishme kulturore, disa prej tyre janë që nga epoka e Neolitit, rreth 6 mijë vjet më parë. Madje, aneksi i pestë për trashëgiminë fetare dhe kulturore neni 6.1 i Pakos së Ahtisarit kërkon nga Republika e Serbisë t’i kthejë artefaktet, arkeologjike dhe etnologjike, në Kosovë./kn
shko