Kriza e krijuar politike, tensionimi i situatës ndëretnike së fundmi dhe paralajmërimet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme paraqesin elemente, të cilat negativisht dukshëm ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë vlerësojnë ekspertët.
Por, ky konstatim kundërshtohet nga ministri i Financave, Stavrevski, i cili zgjedhjet i sheh si shtytje për zhvillimin ekonomik të vendit me zhbllokimin e dialogut politik.Zhvillimi ekonomik në Maqedoni tashmë një kohë të gjatë mbahet peng nga politika, thekson Hristo Kartallov, ligjërues në Universitetin e Shkupit, duke theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni drejtpërdrejt do të ketë pasoja në ekonominë e vendit dhe në tërheqjen e investimeve të huaja apo nga biznesi i brendshëm.
“Në kushtet kur në plan të parë zë vend mostoleranca ndëretnike dhe ajo ndërfetare me çka krijohet një situatë ku në çdo moment mund të eskalojë gjendja politike, gjithsesi ndikon tejet negativisht në ambientin e biznesit”, thekson Hristo Kartallov nga universiteti i Shkupit, sipas të cilit në periudhë zgjedhore bizneset i ndërpresin të gjitha aktivitetet e tyre investuese, sepse presin një klimë më të sigurt për kapitalin e tyre.
Nga ana tjetër, Visar Ademi, ekspert për çështje ekonomike nga Gostivari thekson se situata e krijuar me bllokimin e dialogut politik dhe elektricitetin negativ të shkaktuar nga kjo periudhë e mbajtjes eventuale të zgjedhjeve të parakohshme përfundimisht ndikon në vendimet e politikave ekonomike, të cilat fokusohen në absorbimin e simpatisë së elektoratit dhe jo instalimin e një ekonomie zhvillimore për Maqedoninë.
“Ky paralajmërim për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ka një kosto financiare që nuk është parashikuar në buxhetin e këtij viti. Unë nuk kam parë gjatë hartimit të buxhetit një zë kontabël që qeveria i ka planifikuar zgjedhjet, andaj dhe shpenzimet e paplanifikuara për procesin zgjedhor që do të thithen gjithsesi nga zërat tjerë kontabël, në një mënyrë do t`i dëmtojnë investimet publike të planifikuara për këtë vit”, thotë Visar Ademi, ekspert për çështje ekonomike.
Ademi e vlerëson si pozitive mundësinë që partitë politike shqiptare për herë të parë të përqendrohen dhe në politikat zhvillimore ekonomike që dukshëm do të ndikonin në përmirësimin e mirëqenies sociale të popullatës shqiptare dhe njëherësh të drejtojnë investimet edhe në pjesën perëndimore të vendit, ku shumica është shqiptare, dhe jo të fokusohen vetëm çështjet e hapura në planin politik.
“Partitë politike shqiptare përfundimisht duhet të dalin me një ofertë për zhvillimin ekonomik. Unë shpresoj që alternativat e tjera do të dalin me ofertë konkrete për politikat zhvillimore në ato segmente që prekin interesat e qytetarëve shqiptarë”, vlerëson Ademi.
Ndryshe nga ekspertët, ministri i Financave i Maqedonisë, Zoran Stavrevski, thotë se ka para të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat ai i sheh shtytje për të zhbllokuar ambientin politik dhe ekonomik pas braktisjes së Parlamentit nga ana e opozitës.
“Zgjidhja e kësaj krize përmes zgjedhjeve të parakohshme vetëm do të ndihmojë për zbatimin e reformave dhe për të gjithë do të jetë e qartë se kush do ta ketë pozitën për të formuar qeverinë, e cila do të formojnë politikën ekonomike dhe kjo është çështje më e rëndësishme për subjektet ekonomike. Sa më shpejt të dalim në zgjedhje dhe sa më shpejt ta përfundojmë, më mirë është për ekonominë, sektorin privat, për biznesmenët dhe reformat në Maqedoni”, pohon Stavrevski. /rel/