Kjo ceremoni glamuroze, e cila më së miri e simbolizon shkëlqimin e Holivudit, sërish do të mbledhë në një vend ajkën e kinematografisë botërore.
Nikoqirë të ndarjes së sivjetme të Oskarëve janë aktorët e rinj En Hathauej dhe Xhejms Franko, të cilët mysafirët do t'i argëtojnë jo vetëm me humor, por edhe me këngë dhe vallëzim. Në dorëzimin e statuetave të arta, atyre do t'u ndihmojnë edhe disa yje të tjera të filmit, si Hillari Suonk, Xhosh Brolin, Skarlet Johanson, Rasel Brand, Robert Dauni Xhunior, Hju Xhekmen, Anet Bening, Xhad Llo, Ris Uitherspun dhe Opra Uinfri.
Sipas kritikëve të filmit, mes dhjetë realizimeve të shkëlqyeshme të cilat këtë vit janë në garë për çmimet Oskar, veçohen dy favoritët kryesorë.
I pari është drama historike britanike "Fjalimi i mbretit", i cili ka gjithsejt 12 nominime për Oskar. Ky rrëfim prekës rrëfen për raportin ndërmjet mbretit të ardhshëm britanik Xhorxhi i Gjashtë, i cili tenton ta tejkalojë problemin me belbëzimin, dhe një njeriu të zakonshëm, i cili e ndihmon në atë punë. Ky film tashmë e ka fituar çmimin e Shoqatës amerikane të regjisorëve, producentëve dhe aktorëve filmik, kështu që vlen si favoriti kryesor për Oskar në kategorinë e filmit më të mirë.
Pothuajse gjasa të njëjta, kritikët dhe mediumet i japin edhe filmit "Rrjeti social" i Dejvid Finçer, i cili gjithashtu është xhiruar sipas ngjarjes së vërtetë. Filmi rrëfen për studentin e "Harvard"-it, Mark Cukenberg, idetë programuese të të cilit transformohen në rrejtin global social "Fejsbuk", gjë që për vetëm gjatë vite do ta bëjë atë miliarderin më të ri në histori.
Në konkurrencën me realizimin më të mirë filmik janë edhe trileri psikologjik "Mjellma e zezë" e Daren Aronofskit, "127 orë" e Deni Boil, drama sportive "Luftëtari" i Dejvid O. Rasell dhe uesterni avanturistik "Njeriu i quajtur trimëri" i Xhoel dhe Ithan Koen.
Në garën për Oskar për regjinë më të mirë janë nominuar Daren Aronofski për "Mjellmën e zezë", Dejvid O. Rasell për "Luftëtarin", Tom Huper për "Fjalimin e mbretit", vëllezërit Koen për "Njeriun e quajtur trimëri" dhe Dejvid Finçer për "Rrjetin social", të cilit kritikët i japin gjasa më të mëdha.
Pothuajse të gjithë kritikët dhe parashikuesit janë të sigurtë se çmimin për rolin më të mirë mashkullor do ta marrë Kolin Fërth për rolin e Mbretit Xhorxhi i Gjashtë në "Fjalimin e mbretit". Krahas tij, për Oskar për rolin më të mirë mashkullor janë nominuar edhe Havier Bardem për "E mrekullueshme", fituesi i vitit të kaluar Xhef Brixhis për "Njeriun e quajtur trimëri", Xhesi Ajzenberg për "Rrjetin social" dhe Xhejms Franko për "127 orë".
Në konkurrencën për Oskar për rolin më të mirë femëror, favorite kryesore është Natali Portman për rolin e balerinës në "Mjellma e zezë". Krahas asaj, për këtë çmim janë të nominuara edhe Anet Bening për "Fëmijët janë në rregull", Nikoll Kidman për "Rruga drejt të panjohurës", Mishell Uiliams për "Blue Valentine" dhe Xhenifer Lorens për "Dimër i ashpër".
Në konkurrencën për çmimin Oskar për rol episodik femëror janë Melisa Leo për "Luftëtarin", 14-vjeçarja Hejli Stejnfelld për "Njeriun e quajtut trimëri", helena Bonam Karter për "Fjalimin e Mbretit", Ejmi Adams për "Luftëtarin" dhe Xheki Viver për "Mbretëria e kafshëve".
Ndërkaq kandidatë për çmimin Oskar për rol dytësor mashkullor janë Kristian Bejll për "Luftëtarin", Xhefri Rash për "Fjalimin e mbretit", Xhon Houks për "Dimër i ashpër", Mark Rufallo për "Fëmijët janë në rregull" dhe Xheremi Rener për "Qyteti i vjedhësve".
Në kategorinë Oskar për filmin më të mirë nga hapësira folëse joangleze janë nominuar filmi meksikan "E mahnitshme" e Alehandro Gonzales Injeritu, filmi danez "Në botë më të mirë" i Suzane Bir, filmi grek "Dhëmbi i syrit" i Jorgos Lantimos, filmi kanadez "Zjarret" i Deni Vilnev dhe filmi algjerian "Hors la loi" i Rashid Busharebe.
Për filmin më të mirë të animuar, kandidatë për Oskar janë "Rrëfimi për lodrat 3", "Iluzionisti" dhe "Si ta trajnoni kulçedrën".
Nëse të gjitha këto parashikime dhe spekulime do të realizohen, megjithatë do të bëhet e ditur të dielën në mbrëmje kur yjet do të fillojnë të arrijnë në tapetin e kuq para teatrit "Kodak" në fillim të ceremonisë së sivjetshme të ndarjes së Oskarëve./yp