e martë, 22 shkurt 2011

Shpina, përse na dhemb dhe si ta kurojmë

Dhimbjet e shpinës janë ndër dhimbjet më të zakonshme dhe më të përhapura. Ato nuk njohin moshë, mund të jenë kalimtare, por në disa raste edhe simptomat e disa sëmundjeve shumë serioze.

Sot në mëngjes, me siguri që nuk je menduar dy herë para se të ngrije çantën e rëndë e ta vendosje mbi shpatulla, ndërkohë që tentoje të mbyllje derën me njërën dorë dhe me tjetrën të fusje në gojë një patatinë. Mund të vijë një ditë, kur qoftë edhe njëri prej këtyre veprimeve të thjeshta e të përditshme mund të të shkaktojë një dhimbje të tillë shpine, aq të dhimbshme sa të të çojë direkt tek mjeku për vizitë, në më të mirin e rasteve. Ka edhe nga ata që sigurisht, për arsye kohe a arsye personale, reagojnë ndaj dhimbjeve vetëm duke përdorur qetësues.
 Një pjesë e madhe prej nesh, herët ose vonë do të nisin të kenë simptomat e dhimbjes së shpinës, por nuk është një situatë fatale, pasi mjafton të jesh i kujdesshëm e të kesh parasysh disa këshilla, që të mos bëhesh pjesë e statistikës. Ka shumë këshilla që i dëgjojmë lart e poshtë, që nuk janë të duhurat dhe nuk na ndihmojnë që të arrijmë rezultatin e duhur. Ja disa syresh që mund të të vijnë shumë në ndihmë në vitet në vijim.
Një pjesë e madhe e dëmtimeve shkaktohet jo nga ngritja e peshave të rënda, por nga mënyra se si bëhet një veprim i tillë. Po kështu, shpesh ne kryejmë veprime të shpejta e të pamenduara që lënë pasoja në mos të menjëhershme, afatgjata. Të tilla janë rastet kur përkulemi shumë mbi kompjuter, kur e kthejmë kokën befasisht shumë shpejt apo kur ngremë një peshë pa u menduar mirë dhe në mënyrë të menjëhershme. Këto veprime janë të gabuarat dhe në kohën e gabuar. 
Kështu, në rast se do të duam të ngremë një ngarkesë dhe njëherazi të mos kemi dëmtime, duhet të veprojmë në këtë mënyrë: të qëndrojmë me kurrizin drejt, të marrim objektin duke e afruar me ngadalë drejt trupit, dhe ta shpërndajmë gradualisht peshën në të gjithë trupin, duke angazhuar gjithë muskulaturën, jo vetëm atë të shpatullave e kurrizit, në mënyrë që kur ta kemi ngarkesën mbi krahë, i gjithë trupi të jetë në “dijeni” të rëndesës e ta përballojë si një i vetëm. Kjo nuk vlen vetëm për sendet e rënda, por qoftë edhe për marrjen e një pene të vogël nga dyshemeja. Pra, mbani mend se më e rëndësishme se pesha e një objekti, është mënyra e marrjes së tij.
E mbani mend mamanë kur iu thoshte ndërsa qëndronit para kompjuterit, që të mbanit kurrizin drejt në një kënd 90-gradësh? Sipas studimeve të fundit, ata që e kanë dëgjuar një këshillë të tillë kanë më shumë mundësi për t’u prekur nga dhimbja e kurrizit se ata që kanë qëndruar në një kënd 135-gradësh. Këshilla në këtë rast është ndryshimi i shpeshtë i pozicionit kur jemi ulur, e jo qëndrimi në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë. Mungesa e lëvizjes është po aq problematike sa edhe lëvizjet e tepruara, duke qenë se qëndrimi në të njëjtin pozicion për një periudhë të gjatë shkakton shumë presion në rruazat e shtyllës kurrizore. 
Nëse kalon një pjesë të madhe të kohës në tryezë, mundohu që të ndryshosh vazhdimisht qëndrim. Më i miri do të ishte një qëndrim me këmbët gjysmë të hapura dhe kurrizin në një kënd 135-gradësh. Kjo të ndihmon që të shpërndash peshën e trupit. Por pavarësisht mënyrave të qëndrimit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të tij, këshillohet që çdo 40 minuta duhet të ngrihesh nga tryeza e të bësh një ecje të shkurtër. Sipas studimeve të fundit, të punosh jashtë të paktën 3 herë në javë, e redukton rrezikun e dhimbjes së shpinës në 43%. Ushtrimet fizike në ajër të pastër e forcojnë shpinën tënde dhe muskujt e gjithë kurrizit, rrisin presionin e gjakut tek rruazat. 
Personat mbipeshë janë tri herë më të predispozuar që të shkojnë në spital me probleme kurrizi se ata me peshë normale. Por edhe ushtrimet duhet të jenë të duhurat, sepse ushtrimet, dhe për më tepër kohëzgjatja e tyre e pakontrolluar, mund të ketë efekt të kundërt. Më të mirat e  mundshme janë ushtrimet aerobike, të ecurit, noti apo edhe vrapi i lehtë. Por mos harroni që të bëni fillimisht nxehjen. Pikërisht ky detaj që shpesh neglizhohet, është një ndër komponentët më të rëndësishëm të stërvitjes, pasi shërben për të çuar gjakun tek muskujt dhe për ta përgatitur trupin për gjendjen e re.
 Dhimbja e shpinës, në më të shumtën e rasteve nuk është pasojë e një goditjeje apo traume të vetme, por e mënyrës se si ne sillemi përditë. Sipas një studimi japonez, thjesht qëndrimi sedentar në shtëpi apo në punë, ju bën dyfish më të prirur për të pasur probleme. Gjithashtu, ndër shkaqet e mundshme mund të futet edhe stresi mendor apo edhe ai shpirtëror. Me kalimin e kohës, fibrat dhe muskujt zbuten, nuk janë më në gjendjen e viteve të rinisë dhe kjo shton rrezikun e plagosjes. 
Gjërat përkeqësohen edhe nga kundërpërgjigjja natyrore që ka trupi ndaj stresit: shtimi i tensionit muskular, pasi kjo mund të përkeqësojë problemet ekzistuese me shpinën. Kësisoj, kur e ndien rritjen e presionit nga stresi, bëj një pushim të shkurtër prej 30 minutash, pavarësisht se mund të jesh në ankth apo i nevrikosur. Një banjë e nxehtë apo dush me të mbërritur në shtëpi është një tjetër gjë pozitive, sepse në këtë rast kjo është çlodhje si për muskujt, ashtu edhe për mendjen. Sigurisht, për ata që kanë mundësi masazhi është një ndihmë e shkëlqyer, pasi i zbut muskujt, i shtendos dhe si pasojë, edhe dhimbja e shpinës zbutet.
 Në disa raste, mjekimet alternative mund të jenë më të efektshme se terapia konvencionale. Një studim i fundit gjerman zbuloi se më shumë se gjysma e pacientëve me probleme të dhimbjes së shpinës që kishin kryer seksione agupunture tek mjekët kinezë, kishin pasur shumë përmirësime të gjendjes së tyre shëndetësore. Ky lloj mjekimi alternativ shton fluksin e gjakut dhe qarkullimin e tij në zonat e prekura, duke vënë në punë edhe gjëndra të caktuara që lëshojnë lëngje hormonale qetësuese.
 Terapitë alternative e bazojnë kurimin e tyre tek ideja se shkaku i dhimbjes së shpinës është zhvendosja e vertebrave të shtyllës kurrizore, ndaj edhe përqendrimi është i gjithi tek vertebrat. Gjatë procedurës, mbi shpinë aplikohet një peshë jo shumë e madhe, e cila nëse fokusohet në vendin e duhur arrin të japë shumë rezultat dhe të çojë në vend vertebrat. Ka shumë mundësi që pikërisht shtrati ku flini të jetë edhe burimi i dhimbjeve tuaja. Nëse arrini të gjeni dyshekun e përshtatshëm, do të ishit me të vërtetë i fituar. 
Por cili është ai? Nëse do të kishit një dyshek shumë të butë, nuk do ishte mirë, sepse trupi do të krijonte gunga. Edhe nëse do të merrnit një dyshek të fortë, presioni mbi trupin tuaj do të rritej e si pasojë vjen tendosja e dhimbjet. Sipas një studimi, personat që flenë në një dyshek gjysmë të fortë kanë më shumë shanse të jenë të shëndetshëm dhe të përjetojnë më pak dhimbje se ata që flenë në dyshekë ose ekstremisht të butë, ose e kundërta./topLajm
shko