Prej disa muajsh në gazetat më të rëndësishme të botës një lajm zë vend në faqet e para herë pas here. Lajmi është i njëjtë dhe në çdo rast që botohet ky lajm interesimi i pjesës më të madhe të botës është po aq i madh. Bëhet fjalë për një njeri me emrin Steve Jobs dhe gjendjen e tij shëndetësore.
Spekullimet filluan 5 vite më parë, kur ky zotëri deklaroi publikisht që kishte një lloj kanceri në pankreas jo shumë të rrezikshëm.
Por kush është Steve Jobs dhe pse teshtimat e tij ngrenë kuriozitetin e gjysmës së botës?
Steven Paul Jobs lindi në San Fransisko të SHBA, jetim i birësuar në vitin 1955. Arsimimi i tij nuk shkon përtej gjimnazit dhe një semestër fakultet, por në moshën 21-vjeçare ai, bashkë me 3 shokë, themeluan kompaninë APPLE.
Në fillim prodhonin kompiutera të rinj me pjesë të përdorura, por pas pak kohësh doli në pah delli krijues i Steve Jobs dhe me këtë bota pa “Macintosh”-in, kompiuterin e parë personal komercialisht të suksesshëm.
Në gjithë karrierën e tij ky njeri ka bërë mbi 230 shpikje të ndryshme të certifikuara me patentat përkatëse.
Nga koha kur flinte në konvikte dhe mblidhte kanaçe në kuptimin e parë të fjalës dhe deri sot, ai ka arritur të krijojë një pasuri personale që vlerësohet 6.1 miliardë dollarë.
Një nga karakteristikat e këtij njeriu enigmatik është pasioni dhe vizioni i tij për teknologjinë funksionale por edhe shumë estetike në të njëjtën kohë. Por, karizma e tejkaluar ka krijuar si ndjekës ashtu dhe kritikë.
Lajmi i fundit mbi shëndetin e tij qarkulloi vetëm pak ditë më parë dhe lajmëronte se pronarit gjenial të Apple i kanë mbetur dhe diçka më pak se 6 javë jetë.
Fakti është që aktualisht ai është me raport mjekësor dhe ditët në vijim do të na tregojnë më shumë për njeriun që bashkë me shumë pak të tjerë i kanë dhënë formë botës moderne ku jetojmë./tch