e premte, 25 shkurt 2011

Vetëvendosje uron “çiftin” Thaçi-Pacolli

Prishtinë, 25 shkurt – Lëvizja “Vetëvendosje” e ka quajtur koalicionin në mes të PDK-së dhe AKR-së, një martesë për interesa personale të dy udhëheqësve të dy partive. Anëtarët e kësaj lëvizje kanë shpërndarë postera
në qendër të Prishtinës, ku shihet kryeministri Hashim Thaç dhe Presidenti Bexhet Pacolli, pothuajse duke u puthur, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë Christopher Dell, pasqyrohet si ndërmjetës i kësaj martese me “shigjetën e amorit”. 
“Martesa e Pacollit me Thaçin shpreh lumturi për këta të dy por për popullin e Kosovës kjo martesë e simbolizon kurorëzimin e hajnisë. 



Thaçi e Pacolli janë çift ideal për të negociuar me Serbinë”, ka deklaruar aktivisti i kësaj lëvizje, Vlorian Molliqaj. Sipas tij, “Thaçi e kishte filluar këtë lidhje të fshehtë me Pacollin”, në kohën kur ka qenë në lidhje me Sejdiun. “Sa herë që iu desh ndihmë, Pacolli nuk hezitoi ta ndihmonte sepse Thaçi këtë të mirë ia ktheu me tenderë. Pra, kjo lidhje dikur e fshehtë tani është bërë publike dhe këtë e ka ndihmuar në forma të ndryshme, qoftë edhe me sms ambasadori Dell i cili nuk ka lënë çështje pa i futur hundët”, është shprehur Molliqaj. Sipas tij, “Vetëvendosje”, është kundër kësaj “martese”, për shkak të programit të këtyre dy partive. “Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër negociatave me Serbinë dhe rrjedhimisht është edhe kundër koalicionit PDK-AKR kur dihet që ky koalicion do t’i rifilloj këto negociata të cilat janë të padrejta dhe shumë të dëmshme për Kosovën. Arsye tjetër pse në jemi kundër kësaj martese është se ky koalicion do ta vazhdoj procesin e privatizimit edhe të këtyre ndërmarrjeve publike që kanë mbetur”, është shprehur Molliqaj. 
Deputeti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ditë më parë kishte deklaruar se kjo lëvizje do ta luftoj pa kompromis koalicionin në mes të PDK-së dhe AKR-së, ndërsa të premten, Molliqaj është shprehur se lëvizja do të angazhohet për ndalimin e negociatave me Serbinë dhe privatizimin e ndërmarrjeve publike, si dhe të gjitha projektet e dëmshme që tenton t´ia bëjë kjo qeveri popullit të Kosovës. “Këtë do ta bëjmë edhe përmes institucioneve edhe përmes aksioneve të tilla simbolike e demonstratave gjithë-popullore”./kn
shko