e mërkurë, 16 mars 2011

Dafina Zeqiri, më e transmetuara në radiot kosovare


Ka përfunduar edicioni i shtatë i manifestimit tradicional të radiove nga gjitha trojet shqiptare, “Radiofest”. Të dielën në mbrëmje në qytetin e Gjakovës, nga nikoqirja e këtij evenimenti “Radio Gjakova”, edhe këtë herë janë
mirëpritur shumë njerëz që punojnë në radio, këngëtarë e artistë të ndryshëm me influencë në vend. Para publikut performuan: Muharrem Mici, Butrint Bicurri, Gentian Gojani, Albi Xhepa, Vesa Smolica, këngëtarë tjerë, grupi i vallëzimit modern “Art Dizajn” dhe humoristët Sevdai Radogoshi e Besim Dina.
Radiot garuan në kategorinë e radio reportazhesh dhe radio reklamës. Çmimi për reportazhin më të mirë i ka takuar “Radio Prizrenit”, ai për spotin publicitar “Radio Kosovës”. Festivali ka sjell edhe risi, është futur një çmim special që ka të bëj me zërin më radiofonik në Kosovë, i cili këtë vit i takoj gazetarit dhe moderatorit, Nderim Neziri.
Këtë çmim e ndau “Radio Dukagjini”. Neziri ka thënë se nuk ka pritur se që në vitin e parë të ndarjes së këtij çmimi të jetë ai fituesi. “Dëgjova që në kuadër të këtij festivali do të ndahet edhe çmimi për zërin më potent, më kumbues, më të mirë, por për asnjë çast nuk e kam menduar që unë do të jem fituesi. Më erdhi befasishëm, andaj e përjetova me më shumë gëzim. Prej vitesh punoj në fushën e gazetarisë pa pretenduar çmime apo përfitime shtesë, por qenkan të ëmbla”, ka pohuar për “Zërin” Neziri.
Dafina e emocionuar për çmimin
Në mbrëmjen finale të “Radio Festit” si çdo vit u bë edhe shpallja e këngëtares më të transmetuar, më prodhuese dhe më të dëgjuar. Nëse ne vitet tjera ky çmim i ka takuar këngëtareve si Adelina Ismaili, Altuna Sejdiu, etj, sivjet ai shkojë tek Dafina Zeqiri, e cila në pamundësi për të qenë prezentë në skenën e atij festivali, (gjendej në Suedi), ka lëshuar një deklaratë ku tregon gëzimin e madh të saj.
“Jam shumë e nderuar që radiot më kanë vlerësuar me këtë çmim. Nuk di si ta shpreh gëzimin që jam këngëtarja më e pëlqyer dhe më e kërkuar nga ata që dëgjojnë radio. Radio më ka ndihmuar shumë të arrij dhe të jem më afër publikut. Dihet që kjo media ka ndikim të madh dhe luan rol në ngritjen tonë. Radio dëgjojnë të gjithë, kudo që janë, në shtëpi, veturë, kafiteri, andaj duhet t’ia dimë vlerën”, ka thënë e emocionuar ajo.
Ndërkohë, këngëtarja Zeqiri premtoj që do të vazhdoj të punoj me të njëjtin ritëm. “Nuk do ti zhgënjej kurrë adhuruesit e mi dhe ata që e dëgjojnë muzikën time. E, këtë do ta dëshmoj edhe me albumin që do të dalë së shpejti”, tha këngëtarja më e pëlqyer nga dëgjuesit e radiove në Kosovë.
Drejtori i këtij festivali, Skënder Gola për “Zërin” ka kujtuar edhe një herë qëllimin e këtij festivali. “Qëllimi i këtij manifestimi që nga ditët e para e organizimit ishte dhe mbetet nxitja e gazetarëve dhe stafit teknik të radiove për t’i ofruar audiencës një program me vlera të qëndrueshme, siç pretendon gjinia e radioreportazhit, fatkeqësisht e munguar nëpër shumë radio nga viti në vit, si dhe përmes spoteve cilësore publicitare të ofrojë tregun dhe të sigurojë afarizëm normal për vet radiostacionet” tha Skender Gola, i cili premtoj që në vitet në vijim “Radio Festi” do të jetë edhe më i madh dhe më i dëgjuar.
Të shtojmë se mbrëmja premierë e edicionit të 7-të të “Radio Festiti” është transmetuar drejtpërdrejt nga “Radio Dukagjini”, “Radio Gjakova” dhe shumë radio të tjera në Kosovë./vi
shko