e enjte, 3 mars 2011

Isa Mustafa i jep afat 100 ditë qeverisë Thaçi

Lidhja Demokratike e Kosovës më në fund ka thyer heshtjen. Partia më e madhe opozitare i ka dhënë 100 ditë “ultimatum” qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi, për të parë se “çfarë po bën e çfarë po punon”. 

Sipas kryetarit të LDK-së, kjo qeveri është e përkohshme, sepse, “asaj përpos që i mungon legjitimiteti, ajo ka para vetes sfida të papërballueshme”. Në një intervistë për të përditshmen “Zëri”, Mustafa shton se Kosova nuk ka nevojë të futet në bisedime të shpejta me Beogradin. Ai është shprehur kundër një “Grupi të Unitetit” për bisedimet, që është propozuar nga AAK-ja. 


Mustafa nuk e ka përjashtuar mundësinë që partia e tij ta dërgojë madje edhe tri herë para Gjykatës Kushtetuese çështjen e zgjedhjes së Pacollit në krye të shtetit. I pyetur se mos është ky insistim i LDK-së për ta “rrëzuar” me çdo kusht të sapozgjedhurin në postin e presidentit, si “hakmarrje” për Sejdiun, Mustafa ka thënë: “Jo, assesi. Kjo në asnjë rast nuk lidhet me rastin Sejdiu”.
shko