Këngëtarja Liljana Kondakçi, e njohur si “La mamma” në rrjetin e trafikut të drogës në Itali, është dënuar ditën e djeshme nga Gjykata e Katanxaros me 4 vjet e 8 muaj burg. Sipas mediave italiane mësohet se gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dhe procesi gjyqësor për Kondakçiun, e cila ishte e përfshirë në operacionin e antidrogës të koduar “Shkodër”.
Sipas vendimit të Gjykatës së Katanxaros, mësohet se grupi në fjalë kryente trafik të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali, nën drejtimin e eksponentëve të organizatës mafioze“Ndrangheta Cosentina”. Gjyqtari Assunta Maiore e shpalli fajtore këngëtaren shqiptare vetëm për akuzën pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, kërkesë kjo e cila ishte parashtruar dhe më parë nga avokati i Kondakçiut. Nga ana e tij, prokurori Vincent Luberto kishte kërkuar tetë vjet burg për këngëtaren shqiptare, por gjykatësi vendosi t’i shtojë dhe 1 vit e 10 muaj dënimit të dhënë më parë nga Gjykata për Hetimet Paraprake e Castrovillarit, e cila e kishte dënuar Kondakçiun me 2 vjet e 10 muaj burg për akuza të tjera që lidhen me shitjen e lëndëve narkotike.
Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj burg, dënim të cilin Liljana Kondakçi është duke e vuajtur në një burg në Cosentino, pas arrestimit në Greqi, për llogari të drejtësisë italiane. Artistja e mirënjohur Liljana Kondakçi ishte një ndër të dyshuarit e operacionit të kryer nga Guardia di Finanza dhe për këtë fakt është lëshuar një urdhër arresti për të. Në maj të vitit 2006, Kondakçiu është ndaluar në stacionin hekurudhor të Barit me një sasi prej 3.3 kilogramësh heroinë. Ajo thirrej në mes të anëtarëve të grupit si “Mamaja” ose ” Këngëtarja “.
Siç bëhet e ditur nga përgjimet, Liljana Kondakçi kishte marrë përsipër rolin e korieres së drogës, duke përdorur popullaritetin e saj për të shmangur kontrollet e Policisë Shqiptare. Proceduarat e arrestimit nisën në vitin 2006 dhe pas gjykimit Kondakçiu u dënua me 2 vjet e 10 muaj burg. Ajo u dërgua në një institut murgeshash, ku do të kalonte dënimin, por që aty arriti të largohej për në Greqi, ku ra sërish në pranga.
Gjatë super-operacionit “Shkodra”, hetimet e të cilit filluan në vitin 2005, u arrit të sekuestrohej një sasi prej 500 kg heroinë, kokainë dhe marijuanë. Trafiku i drogës, sipas Prokurorisë Italiane, drejtohej nga një shqiptar dhe një rumun, por kishte edhe eksponentë kalabrezë, të cilët kujdeseshin që droga e ardhur nga Lindja, të hidhej në treg pa kaluar më parë në Altomonte. Në qytetin e vogël të Cosenzas, sipas hetuesve, banda do të kishte ndërtuar një bazë të vërtetë të përpunimit dhe shpërndarjes së drogës që vinte nga Shqipëria./vi