e martë, 8 mars 2011

Mashtroi në votime, gjashtë muaj burgim

Akuza të shumta janë derdhur se në zgjedhje ka pasur mashtrime, por askush deri më tashti nuk është dënuar. Ka qenë Gjykata Komunale në Gjilan, e cila i ka shqiptuar dënimin prej gjashtë muajve, ish-kryesuesit të ekipit të numërimit në vendvotimin në Pozharan.

Kryetari i trupit gjykues, Afrim Shala, i ka shqiptuar dënimin prej gjashtë muajve të akuzuarit Faruk Rexha, i cili do të mbajë dënimin me burgim pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, raporton Zeri.info.

Gjykata ka nxjerrë aktgjykimin edhe për një të akuzuar tjetër, Shaqir Zuka, po nga Pozharani, i cili është liruar nga akuza për mashtrim në votime.
I akuzuari Faruk Rexha është shpallur fajtor, ngase në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit 2007, në cilësinë e kryesuesit të ekipit të numërimit në njërin nga vendvotimet në Pozharan të komunës së Vitisë, ka manipuluar rezultatin e votimeve në zgjedhje, ngase duke vepruar në mënyrë të fshehtë, me pjesëmarrjen aktive apo me pranimin në heshtje, është ndryshuar numri i fletëvotimeve të vlefshme dhe të atyre të pavlefshme dhe për pasojë ka ardhur deri te anulimi i rezultatit në këtë vendvotim, vepër kjo që sipas ligjit në Kosovë konsiderohet mashtrim në votime.

Prokurori i Prokurorisë Publike Komunale, Isuf Sadiku, ka mbetur në tërësi pranë aktakuzës së ngritur, derisa të akuzuarit Shaqir Zuka dhe Faruk Rexha nuk kanë pranuar fajësinë, por pas mbajtjes së shqyrtimeve gjyqësore dhe administrimit të provave, gjykata gjeti se i akuzuari Shaqir Zuka nuk është fajtor, derisa për të akuzuarin Faruk Rexha gjeti se ka kryer veprën penale mashtrim në votime.

Këtë gjendje faktike, gjykata e konstatoi duke u bazuar deklaratat e dëshmitarëve, nga formularët e përputhjes të të dhënave dhe rezultateve për Kuvendin Komunal dhe për kryetar komune.
shko