e martë, 12 prill 2011

Fatmir Sejdiu nderohet me Çmimin “Doctor Honoris Causa” të Universitetit Sakarya në Turqi

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, prof.dr.Fatmir Sejdiu po qëndron për një vizitë në Republikën e Turqisë, ku po zhvillon një varg aktivitetesh.
Në ditën e tij të parë të vizitës, z.Sejdiu vizitoi Universitetin Sakarya, ku ai u nderua me Çmimin “Doctor Honoris Causa”.

Rektori i këtij universiteti, prof.dr. Muzaffer Elmas, duke arsyetuar ndarjen e çmimit për prof.dr.Fatmir Sejdiun, theksoi kontributin e veçantë të tij si president i Kosovës në procesin e pavarësimit të Kosovës, ku ai udhëhoqi për tri vjet bisedimet që sollën pavarësinë.


Dr.Elmas gjithashtu vlerësoi lart punën shkencore të dr.Sejdiut, si dhe kontributin e tij dhënë paqes në rajon, veçmas intensifikimit të marrëdhënieve mes Turqisë dhe Kosovës.
Me këtë rast, prof.dr.Fatmir Sejdiu mbajti një fjalë rasti, në të cilën ai fillimisht falënderoi drejtuesit e Universitetit Sakarya për nderin që i bënë duke e nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”, duke theksuar se akordimin e këtij titulli e konsideron nderim edhe për Republikën e Kosovës.


“Kosova është pavarësuar më 17 shkurt 2008. Kjo ditë shënon përfundimin e një epoke të vështirë të vuajtjeve dhe sakrificave të popullit të saj. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një rezistence të gjatë e të gjithanshme përgjatë shekujve ndaj shtypjes sistematike që i bëhej popullit të saj, e cila kulmoi me brutalitet të paparë veçanërisht në fund të shekullit XX, me ardhjen në pushtet të Milosheviqit”, theksoi dr.Sejdiu në fjalimin e tij.


“Krahas rezistencës së fuqishme fillimisht paqësore dhe luftës së armatosur për liri, Kosovës iu gjet në mbështetje bashkësia ndërkombëtare, e cila përmes NATO-s, bëri ndërhyrjen e pashembullt ushtarake, duke e shpëtuar popullin e saj. Nuk mund të harrojmë asnjëherë përkushtimin e shumë vendeve anëtarë të NATO-s dhe në mesin e tyre rolin e Republikës së Turqisë dhe të njerëzve të saj të mirë. Ishte kjo koha e kthesës së madhe. Kosova, por edhe i gjithë rajoni (vendet e ish-RSFJ-së) mbyllën kapitullin e luftërave të përgjakshme që, fatkeqësisht, morën me vete qindra mijëra viktima. Kujto luftën në Kroaci, masakrat në Bosnje, vrasjet masive në Kosovë dhe shpërnguljen e dhunshme të gjysmës së popullsisë së saj”, shtoi ai.


Dr. Sejdiu tha në vijim se rruga e zhvillimit të Kosovës, pas periudhës së intervenimit ushtarak dhe vendosjes së administratës civile ndërkombëtare (UNMIK-ut) e deri në ditën e pavarësimit të saj më 17 shkurt 2008, ka qenë specifike.


Si president i Kosovës, - shtoi ai - në ato rrethana, kam udhëhequr proceset më të rëndësishme politike në vend, pra edhe Delegacionin e Kosovës. Bisedimet për status janë udhëhequr me urti nga Ish Presidenti i Finlandës z.Marti Ahtisaari si i deleguar special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. 


Në vijim, z.Sejdiu theksoi se procesi i bisedimeve ka zgjatur rreth tre vite dhe ai nuk ka qenë i lehtë, pasi obstruksionet nga ana e Serbisë kanë qenë të vazhdueshme. 
“Pavarësisht nga këto përpjekje të Serbisë, sot, Kosova është e njohur ndërkombëtarisht nga 75 vende nga i gjithë globi. Republika e Kosovës është e angazhuar për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e rajonit, si parakusht esencial e i domosdoshëm për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm e të përhershëm. 



Këto raporte edhe janë të vendosura me të gjitha vendet e fqinjësisë së parë dhe ato të rajonit, me përjashtim të Republikës së Serbisë, raportet me të cilën besojmë se në të ardhmen do të ndryshojnë pozitivisht. Aktualisht me Republikën e Serbisë janë duke u zhvilluar bisedime për disa çështje të karakterit teknik, si nevojë e dyanshme për relaksimin e marrëdhënieve midis dy shteteve sovrane”, vijoi ai. 

“Pavarësisht nga “dhembjet e lindjes” që janë përjetim normal i çdo vendi të ri pas pavarësimit, Kosova ka kapërcyer suksesshëm provat e shtetndërtimit, duke përmbyllur formësimin e gjithë organeve shtetërore, mbështetur në parimet themelore të demokracisë. Kosova është përcaktuar që të jetë atdhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie e feje, me sigurimin e të drejtës së përfaqësimit të tyre në të gjitha institucionet vendimmarrëse, si në Parlament, Qeveri, institucione të pushtetit lokal, gjë që garantohen me kushtetutën dhe ligjet e vendit”, shtoi z.Sejdiu, duke shtuar se Republika e Kosovës është thellësisht e interesuar që, në një të ardhme të afërt, të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, e OKB-së dhe e NATO-s, si dhe të jetë partnere e mirë e bashkëpunimit me të gjithë vendet e e botës demokratike bashkëkohëse.


“Kosova është thellësisht falënderuese për mbështetjen e madhe që e ka marrë në vazhdimësi nga Republika e Turqisë, nga shteti dhe nga bizneset, institucionet arsimore e shkencore, kulturale e shëndetësore. Kjo mbështetje është më domethënie të veçantë, sidomos duke pasur parasysh faktin e lidhjeve historike dhe kulturore midis dy popujve tanë. Vetë prezenca e komuniteteve, si atij turk në Kosovë, po ashtu edhe atij shqiptar në Turqi, dhe roli i tyre i madh në ndërtimin dhe zhvillimin e dy shteteve tona, është kuptimi i vërtetë edhe i ndërtimit të marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme e të gjithanshme”, tha mes të tjerash në fjalën e tij prof.dr. Fatmir Sejdiu.


Po kështu, z.Sejdiu u prit edhe nga valiu i Ada Pazarit, z. Mustafa Büyük dhe kryetari i komunës metropolitane, Zeki Toçoğlu, me të cilët, në një bisedë të gjatë dhe miqësore, diskutuan për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes të dy vendeve tona mike, sidomos në sferën e ekonomisë dhe të arsimit. 


Në ceremoninë e ndarjes së Çmimit “Doctor Honoris Causa” për dr.Fatmir Sejdiun mori pjesë edhe një delegacion i Universitetit të Prishtinës, i kryesuar nga rektori, prof.dr. Mujë Rugova. 
Në takimet që u zhvilluan me drejtuesit e Universitetit Sakarya u shtrua nevoja e bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve akademike, sidomos në shkëmbimin e kuadrove dhe ndihmën që Universiteti Sakarya mund të japë për studimet në nivelin master dhe të doktoratës për studentët nga Kosova. 



Universiteti Sakarya ka mbi 50 degë studimesh dhe mbi 50 mijë studentë. Në këtë drejtim, gjatë muajit maj do të nënshkruhet një marrëveshje zyrtare, me të cilën do të zyrtarizohet ky bashkëpunim dhe do të mundësohet shtimi i numrit të studentëve nga Kosova që do të kryejnë studimet në këtë universitet.

Gjatë qëndrimit në Turqi, dr.Fatmir Sejdiu do të marrë pjesë edhe në punimet e 
Samitit Ekonomik të Euroazisë, organizuar nga Fondacioni Marmara, në të cilin marrin pjesë presidentë, ish-presidentë dhe përfaqësues të lartë politikë nga vende të ndryshme të Evropës dhe të Azisë.


Me këtë rast, Sejdiu do të mbajë një fjalim në temën “Sfidat dhe perspektivat e Kosovës”../kn
shko