e mërkurë, 13 prill 2011

Kapet në Tiranë kosovari me 7.400 dollarë fals

Arrestohet në Tiranë kosovari me 7.400 dollarë amerikanë të falsifikuar, ndërsa policia shpall në kërkim një të dytë të dyshuar si bashkëpunëtor të tij.
Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në kryeqytet, kur shërbimet e policisë së kryeqytetit të njoftuar nëpërmjet një informacioni, ndaluan 37-vjeçarin Luz Bisaku, nga Gjakova, i cili udhëtonte me një automjet të markës "Opel", raporton Shekulli.

Pas ndalimit dhe kontrollit të kryer në veturën e tij, policia gjeti dhe bllokoi të gjithë sasinë e parave prej 7.400 dollarësh, kartëmonedha të prerjes 100 dollarëshe. Paratë mësohet se u gjetën në sediljen e pasme të veturës në një portofol që ndodhej në ndenjëse.

 
Efektivët e Antikrimit Ekonomik të Drejtorisë së Policisë së Tiranës u informuan nëpërmjet një telefonate se në afërsi të kryqëzimit të "Zogut të Zi", në një pikë karburanti një person që ndodhej në një automjet me targa të Kosovës, kishte një sasi kartëmonedhash të falsifikuara. Sipas informacionit, kartëmonedhat ishin prerje 100-dollarësh, por kishte edhe prerje të tjera 50 apo 20-dollarësh.


Menjëherë pas informacionit, oficerë të Antikrimit Ekonomik, mbërritën në zonë dhe menjëherë kontrolluan mjetin me targa 274 KS 719, që ishte një autoveturë e markës "Opel". Në veturë ndodhej një person, të cilit hetuesit i pohuan se duhej të bënin një verifikim dhe një kontroll të mjetit. Sapo kryen kontrollin, gjetën sasinë e konsiderueshme të parave, si dhe konstatuan se përshkrimet e dhëna nga informatori i panjohur përputheshin me ato që ata shihnin.


Menjëherë, Bisaku, u shoqërua për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku u mor në pyetje nga specialistët e Antikrimit Ekonomik. 


Gjatë marrjes në pyetje të Bisakut, hetuesit mësuan se bashkë me të në veturë kishte qenë edhe një person tjetër, i cili ishte larguar nga vetura pak momente përpara se policia të mbërrinte pranë pikës së karburantit për të kryer kontrollin. Vetë Bisaku ka pohuar se nuk kishte dijeni për kartëmonedhat e falsifikuara, pasi edhe kuleta në të cilën ato ndodheshin ishte në ndenjësen e pasme të veturës, pikërisht, sipas tij, në vendin ku kishte qenë personi tjetër nga Kosova, i cili ishte larguar që aty pak momente më parë.


Pas veprimeve të kryera, policia arrestoi në flagrancë gjakovarin Luz Bisaku, 37 vjeç, me akuzën e posedimit dhe transitimit të kartëmonedhave të falsifikuara, ndërsa shpallën në kërkim personin tjetër me shtetësi kosovare, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia./kn
shko