e mërkurë, 22 shtator 2010

Beteja e Kosovës - Lufta Kibernetike!

Ngritja e flamujve në territorin e armikut është një mënyrë e vjetër për ta deklaruar kundërshtarin të mundur. 


Konflikti i Kosovës ka përfunduar me intervenimin e NATO-s në vitin 1999 për t’i lëshuar vend një lloji modern të fushëbetejës, të bartur tashti nga tinejxherë të fiksuar mbi tastiera. Viktimat e tyre janë web faqet zyrtare të institucioneve, kurse armë i kanë fibrat optik që shfrytëzojnë numra të IP-ve si municion.



Ata shohin kundërshtarin nëpërmjet numrave binar, por fitoren e shpallin me një gjuhë të infektuar nga parullat e politikanëve ekstrem nacionalist. “Kosova është Serbi”, ose “Republika e pavarur e Kosovës”, janë mesazhe që shpesh vendosen pas sulmeve të tyre në faqet zyrtare të institucioneve. Në moshë relativisht të re, shumica e këtyre hakerëve nuk e kanë përjetuar luftën , por sot të organizuar në grupe, ata janë bërë luftëtar virtual. Motivin e gjejnë te gjuha e ashpër e akterëve politikë dhe urrejtja ndëretnike që po vazhdon të mbajë nën tension komunitetin serb dhe shqiptar. Por, lufta kibernetike mes serbëve dhe kosovarëve kishte filluar gati në të njëjtën kohë me luftën e vërtetë. Në vitin 1998, grupi i hakerëve serbë i quajtur “Crna Ruka” (dora e zezë) kishte sulmuar faqen e Aleancës Euroatlantike- NATO, pikërisht në kohën kur kjo forcë gjuante bomba mbi Jugosllavinë e atëhershme. Një vit më vonë, edhe kosovarët fillojnë sulmet virtuale. Rrëzohen disa nga serverët serbë ”IRC Server”, ku serbët komunikonin ndërmjet vete. Në Chat kanalin e tyre, për të parën herë është shfaqur flamuri shqiptar.


Sulmet sporadike kanë vazhduar deri në ditën kur Kosova shpalli pavarësinë, por kanë fituar në intensitet që nga ajo ditë dhe për disa vite me radhë thyerja e faqeve është bërë thuajse përditshmëri. Me qindra faqe zyrtare të internetit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, janë thyer nga hakerë të të dyja vendeve. Zyrtarët kosovarë janë mësuar që faqja e tyre e internetit të gdhijë me një flamur serb të vendosur në te dhe me mesazhin se “Kosova është Serbi”, ndërkaq që kolegët e tyre nga Serbia, janë mësuar me flamurin shqiptar dhe mesazhin se ekzistojnë “Shtetet e Bashkuara të Shqipërisë (United States of Albania)”.


Lufta e këtyre të rinjve, shumica prej tyre të mitur, sanksionohet me ligj nga të dyja shtetet. Me Kodin Penal të Republikës së Kosovës kushdo “që në mënyrë të paautorizuar publikon, shlyen, asgjëson a shkatërron të dhëna kompjuterike” varësisht nga dëmi, mund të dënohet deri me pesë vjet burgim.Për kryeprokurorin e Kosovës, Ismet Kabashi edhe pse Kosova nuk ka ende ligj specifik për krime kibernetike, Kodi Penal ka shërbyer si bazë e mirë ligjore për rastet e trajtuara.


“Kemi punuar bashkë me ndërkombëtarët dhe kemi pasur ndjekje të përfunduara me sukses”, ka thënë Kabashi.


Serbia gjithashtu krimin kibernetik e vlerëson si vepër penale që mund të dënohet edhe me burg, varësisht nga dëmi. Policitë e të dyja vendeve kanë arrestuar të rinj që garojnë duke e shkelur ligjin. Që nga viti 2006, Policia e Kosovës ka arrestuar 16 persona si të dyshuar për krime kibernetike. Me të njëjtin dyshim që nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë, Policia e Serbisë ka hetuar 1120 persona, ka arrestuar 32 dhe ka ndaluar 120 të tjerë. Por, puna e policisë nuk u bënë përshtypje Hitmanit apo Mr. Spy-it. Ata e arsyetojnë luftën e tyre me politikë. Janë të bindur se dëme po i shkaktojnë shtetit kundërshtar.


KHG vs. SHG


Kosovo Hackers Group” dhe “Serbia Hacking Group” janë emrat “zyrtarë” me të cilat luftojnë këta të rinj të fiksuar pas kompjuterit.


Hitman është pseudonimi i 23 vjeçarit kosovar, që thotë se dhoma e tij është e mbushur me fotografi të heronjve shqiptarë. Ai gjatë ditës frymëzohet me ta ndërsa natën fillon gjahun. Hitman prezantohet si lider i hakerëve të shtetit më të ri në Evropë. Në kushte anonimiteti, ai ka shpjeguar se grupi që e udhëheq ekziston që nga viti 2008. Sipas tij, grupi u desh të formohej për t`u dhënë përgjigje serbëve që sulmonin faqet zyrtare të institucioneve të Kosovës. Megjithatë Elion Gashi një person tjetër më i shtyrë në moshë, pretendon se është themelues i KHG-së, që nga viti 1998. Ai këtë e ka dëshmuar edhe me fotografi të sajteve të thyera nga ai dhe shokët e tij. Sido që të jetë, grupi i hakerëve kosovarë kanë një gjë të përbashkët me rivalët e tyre serbë, e ky është motivi “patriotik” i thyerjes së faqeve. Mr. Spy që ka thënë se është një i ri katërmbëdhjetë vjeç nga Serbia, pretendon se është lider i “Serbian Hacking Group”.


Sipas tij, edhe grupi i serbeve është themeluar në vitin 2008. “Ko to kaže, ko to laže, Srbija je malа” (“Kush thotë, kush gënjen se Serbia është e vogël”, këngë patriotike serbe) është kënga e tij e preferuar.Për këtë të ri, shqiptarët e kanë marrë Kosovën nga serbët. “Në qoftë se shqiptarët nuk do të kishin vrarë dhe dëbuar serbë nga Kosova, kjo luftë kibernetike nuk do të ndodhte”, ka thënë ai. Edhe Mr Spy veprimet e tij i ka arsyetuar me “patriotizëm”  


I vlerësuar si njëri nga hakerët më të mëdhenj në botë, thyesi i ueb faqeve ndër të tjera edhe të gjigantëve kompjuterikë Microsoft e Yahoo, amerikani Adrian Lamo ka pranuar që t`i bëjë një analizë kësaj lufte mes shqiptarëve dhe serbëve. Njeriu që qe ndjekur nga FBI për thyerje të shumë faqeve të bankave të mëdha botërore, gjigantëve medial, por që është liruar nga përgjegjësia penale, tash punon si gazetar në një të përditshme amerikane.


Ai ka vlerësuar se ndërhyrjet si ato mes Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë çdo here kur ka konflikte në mes dy shteteve apo dy etniteteve.


“Do të thosha që shumica, janë hakerë oportunë dhe e shohin këtë si detyre patriotike të bëjnë diçka në mënyrë që të ia vështirësojnë jetën palës tjetër. Por në realitet, ata e përdorin këtë justifikim për të ushtruar talentin e tyre. Këtë e bëjnë duke qenë të sigurt se nuk do të ndiqen penalisht, me arsyetimin se po e sulmojnë armikun politik”, ka thënë Lamo.


Kryehakeri botëror Lamo: Fat që lufta nuk i ka kaluar faqet zyrtare


Faqet zyrtare të institucioneve kosovare dhe serbe sipas Lamos janë shumë lehtë të depërtueshme. Ish- hakeri më i madh në botë ka vlerësuar se është fat që këto sajte nuk janë të rëndësisë së lartë, ndërkaq që hakerët e të dyja shteteve nuk kanë mundur që të kalojnë aktivitetin e tyre përtej këtyre sajteve.


“Imagjinoni tërë qytetin pa rrymë dhe pa ujë, shërbimet e transportit publik të bllokuara... të gjitha këto mund të shkaktohen nga hakerë të shkathët në një sistem të kompjuterizuar”, ka shpjeguar Lamo.


Njeriu që dikur ishe edhe vetë i fiksuar pas thyerjes së faqeve, megjithatë ka vlerësuar se ka diçka pozitiva nga kjo luftë. Ai duke u nisur edhe nga përvoja e tij ka thënë se sulmi nga hakerët i vetëdijeson institucionet për rëndësinë e sigurisë së faqeve të internetit.


Institucionet:
Haker pa aftësi


Përfaqësuesve të institucioneve të të dyja shteteve u ka “ardhur në majë të hundës” loja e këtyre të rinjve. Zyrtarët e të dyja vendeve, vlerësojnë se këta të rinj nuk kanë ndonjë aftësi të veçantë, por shfrytëzojnë hapësira që sipas tyre gjithmonë mund të gjenden në një faqe interneti.


Slobodan Markoviq, këshilltar i lartë në Ministrinë e Telekomunikacionit dhe Informacionit të Serbisë mendon se kjo "luftë kibernetike" është vetëm një ekzagjerim medial që nuk sjell asgjë të mirë në jetën e serbëve apo shqiptarëve.


“Faktet janë këto: `ushtarët kibernetik` në të dyja anët nuk janë ndonjë `krenari e kombit` apo persona me aftësi të mëdha në fushën e sigurisë`, por janë vetëm disa fëmijë që përdorin mjete lehtësisht të disponueshme”, ka thënë Markoviq.


Sipas këtij zyrtari serb, ekzistojnë programe kompjuterike që përdoren si skaner për të kontrolluar ueb faqet “serbe” dhe “shqiptare”. Sipas tij, për të treguar papjekurinë e tyre këta të rinj edhe “mesazhet që i vendosin në faqet e internetit i kanë me plot gabime të pakuptimta”.


“Unë nuk mendoj se autorët e këtyre veprave duhet të dërgohen në burg, por veprimet e tyre duhet të cilësohen si turp publik. Gjithashtu, pronarët e web faqeve duhet t'i kushtojë shumë më tepër rëndësi mirëmbajtjes së faqeve të tyre. Të instalojnë azhurnime të rregullta të sigurisë dhe t’i kushtojnë vëmendje dublimit të rregullt të të dhënave të rëndësishme”, ka pohuar Markoviq duke u sugjeruar edhe medieve që të mos u thurin vargje lavdie këtyre shkelësve të ligjit.


Edhe Gani Zogaj, udhëheqësi i Divizionit për Siguri dhe Operime Qendrore ne Qeverinë e Kosovës ka thënë se hakerët sulmues nuk kanë ndonjë aftësi të jashtëzakonshme. Sipas tij, ata i përdorin lëshimet që bëhen nga mirëmbajtësit e faqeve zyrtare. Sipas tij, jo të gjitha institucionet lokale dhe qendrore i lënë faqet nën administrimin e këtij departamenti, duke u dhënë ato kompanive private.


“Shumica e faqeve zyrtare që janë atakuar apo edituar nga haker të ndryshëm nuk kanë qenë të hostuara në istemin tonë”, ka theksuar Zogaj. Megjithatë, Zogaj ka pranuar se janë thyer edhe faqe të hostuara nga departamenti ku ai punon.


Sido që të jetë faqja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Minierave është atakuar edhe pse hostohet nga ky departament. Zogaj thotë se administratori i faqes ka përdorur një fjalëkalim të sigurisë së ulët.


“Me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës apo edhe të përvjetorit kemi angazhuar kujdestari në sistemin tonë 24 orësh. Edhe pse kemi pasur sulme vërtet të mëdha nga Serbia, Çeçenia, Rusia dhe Anglia, nuk ka pasur gjasa që as për një çast të vetëm sistemi ynë të bie”.


Thyhet faqja e presidentit serb Boris Tadiq nga hakerët kosovarë, serbët përgjigjen menjëherë, pos që thyejnë faqen e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu ata “hackiratin” edhe web faqen e presidentit shqiptar, Bamir Topi


“Në përgjigje te shokëve tone, KHG:Yo, ju djelmosha goditet duke sulmuar web faqen jo zyrtare te presidentit tonë? Duhet admiruar këto dështime. Për t’u hakmarrë kemi vendosur të godasim aty ku dhemb më së shumti. Kështu duhet bërë kjo punë. Dhe po, Kosova është Serbi!” , ky është mesazhi që kishin lënë hakerët serbë në faqen e presidentit Topi. Kohë më vonë, kur në Kosovë ishte çuar shumë pluhur rreth nënshkrimit të një protokolli mes Serbisë dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë-EULEX, për të cilin ishin deklaruar kundër si politikanët ashtu edhe shoqëria civile, hakerët kosovarë në faqen zyrtare të EULEX-it dhe të Kuvendit të Serbisë shprehin revoltën e tyre ndaj këtij protokolli.


“Përshëndetje serbë. Jeni kureshtarë ta dini se pse po e shihni këtë në faqe? Ne e bëjmë sepse mundemi dhe do vazhdojmë ta bëjmë... Jemi të inatosur me ju edhe EULEX-in që nënshkruani memorandume që nuk ju përkasin, problemet i bartni te një shtet tjetër...Kosova nuk është Serbi. Gjithmonë do e kujtojmë atë çfarë u keni bërë njerëzve tonë. I keni zhvendosur afro 1 milion njerëz, keni vrarë 14 000, keni dhunuar më shumë se 20 000 femra. Dhe ju besoni se ne do të shtiremi sikurse asgjë nuk ka ndodhë mes nesh. Fjala jonë e fundit është se ne respektojmë çdo familje që i është vrarë ndonjë anëtar në luftë kundër jush. Duam drejtësi dhe të na ktheni të zhdukurit”, ky mesazh ishte i vendosur me orë të tëra në faqe të ndryshme të internetit në Serbi.


Përderisa institucionet do të duhet të përkujdesen për sigurinë e faqeve të tyre, shqiptarët Hitman , Bomerang , cHs , në anën tjetër hakerët serbë, Mr. Spy me Bagsy e Niko do të vazhdojnë luftën e tyre. Mesazhet që lënë në web faqet e thyera janë të ngjashme me ato që politikanët e të dyja vendeve i thonë çdo ditë. 




E.Panduri / publikuar në gazetën Zëri
shko