e martë, 21 shtator 2010

Hyseni kerkon njohje!

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka zhvilluar një seri takimesh me ministra të punëve të jashtme që po qëndrojnë në Nju Jork gjatë sesionit plenar të Asamblesë së Përgjithshme.


Hyseni ka pasur sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Ganës, Muhammad Mumuni. Gana është anëtar i Këshillit të Sigurimit dhe shtet që ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Në takim, Ministri Hyseni ka folur për zhvillimet më të fundit për dhe rreth Kosovës, duke u përqendruar veçanërisht te Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme në lidhje me këtë   Mendim të Gjykatës.
Në këtë kontekst, Ministri ka thënë se, Gjykata qartazi ka vendosur në favor të pavarësisë së Kosovës, duke mos gjetur asgjë në kundërshtim, qoftë me të drejtën ndërkombëtare, apo me rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese. Në vijim të Mendimit, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar një rezolutë, të hartuar nga Bashkimi Evropian dhe të bashkë-sponsorizuar me Republikën e Serbisë, e cila rezolutë mirëpret Mendimin e Gjykatës dhe mbyll përfundimisht mundësinë e bisedave për status. Në këtë mënyrë, Ministri ka ripërsëritur thirrjen për njohje formale të Republikës së Kosovës nga Gana. Duke e njohur Kosovën, ka vazhduar Ministri, ju e ndihmon si Kosovën ashtu dhe Serbinë. Kosova do të ndihmohej përmes zënies së vendit të saj të merituar në familjen e kombeve të lira, ndërsa Serbia ndihmohej që të çmonte realitetin e krijuar, një realitet i cili nuk mund të kthehet mbrapa.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Ganës, është shprehur se, mbi të gjitha, Gana beson në vetëvendosje. Po ashtu, Ministri Muhammad Mumuni ka thënë se, Gana është duke i përcjellë nga afër të gjitha zhvillimet rreth Kosovës, është duke e shqyrtuar njohjen dhe në kohën e duhur do ta bëjë të njohur edhe publikisht qëndrimin e saj.

Një takim tjetër të veçantë, Ministri Hyseni ka pasur edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Indonezisë, Dr. Marty M. Natalegawa. Të dy ministrat u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin. Nga ky takim, është vërejtur një interesim i shtuar nga Indonezia pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme.     

Gjatë ditës, Ministri Hyseni ka takuar edhe Ministrat e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu dhe të Portugalisë, Luis Amado, si dhe një numër përfaqësuesish të tjerë të lartë nga vende të ndryshme.

Gjatë pasdites së sotme, Ministri do të takojë edhe disa Ministra të Jashtëm të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
shko