e martë, 7 shtator 2010

Meta perkrah lidereve te Kosoves ne OKB

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta nisi një tur takimesh në Nju Jork në mbështetje të çështjes së Kosovës, duke i paraprirë kështu Seancës së datës 9 shtator në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) ku vendet anëtare priten të diskutojnë në lidhje me Opinionin Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe të projekt-rezolutës serbe mbi këtë çështje.
Në këtë kuadër, z. Meta do të qëndrojë në Nju Jork ku do të takohet me faktorë të ndryshëm për të shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Opinionin e GJND-së dhe qëndrimin e vendit kundër projekt-rezolutës së Serbisë.
Sot, z. Meta u takua me Ambasadorë të vendeve të ndryshme në OKB me të cilët diskutoi mbi realitetin e ri që është krijuar në Ballkan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë këtyre takimeve z. Meta shprehu qëndrimin e Shqipërisë se projekt-rezoluta e Serbisë është konfliktuale, duke patur parasysh se ajo është në kundërshtim me Opinionin Këshillimor të GJND-së, i kërkuar prej vetë këtij vendi.
Duke folur nga Nju Jorku, z. Meta nënvizoi se “Serbia duhet të respektojë Opinionin e GJND-së dhe të dëgjojë më tepër sinjalet e qarta që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Projekt-rezoluta nuk i shërben aspak klimës konstruktive që ne kemi krijuar në Ballkanin Perëndimor dhe as vetë perspektivës evropiane të Serbisë”.
shko