e mërkurë, 8 shtator 2010

Te painkuadruarit mund ta mbeshtesin Serbine

Projektrezoluta e paraqitur nga Serbia pavarësisht se a do të ketë ndryshime në tekstin fillestar, pritet të debatohet e mbase edhe të votohet nesër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.


Sipas burimeve në Kombet e Bashkuara, deri tash nuk është dorëzuar asnjë projekt-rezolutë tjetër për të njëjtën çështje.
Serbia llogarit në mbështetje nga anëtarësia e vendeve që përbëjnë të ashtuquajturën Lëvizjen e të Painkuadruarve, e ato janë 118 vende. Blloku më i madh është ai i vendeve të Konferencës Islamike, 57 sish si dhe ato të Amerikës Latine, të cilat nën ndikimin e Spanjës kanë ngurruar të njohin Kosovën. Janë këto vende të dy blloqeve njohja e Kosovës nga të cilat do ta tejkalonte atë pragun e domosdosshëm të të dy të tretave për të filluar procedurën e anëtarësimit në organizatën botërore.
Pritet gjithashtu që shumica e vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në radhë të parë vendet perëndimore të votojnë kundër saj. Ato tashmë kanë deklaruar se janë kundër gjuhës në tekstin e projektrezolutës në të cilën Serbia konteston statusin e pavarur të Kosovës duke kërkuar bisedime, siç thuhet ‘për të gjitha çështjet e hapura’ ndërsa është i papranueshëm edhe komenti që e shoqëron tekstin ku thuhet se ‘dënohet shkëputja e njëanshme’ e Kosovës. Për miratimin e rezolutës kërkohet shumica e thjeshtë, pra 50 për qind e votave të pranishmëve plus një.
Një ‘aleat’ i Kosovës në ditën kur debatohet dhe eventualisht votohet për rezolutën mund të jetë festa e fitër Bajramit, kur shumë delegatë nga vendet e Konferencës Islamike nuk do të jenë në sallë, e kjo do të thotë më pak vota në favor të Serbisë. (RTK)
shko