e martë, 5 tetor 2010

Sting: "Fëmijëve të mi u them se suksesi nuk është sinonim i lumturisë”


Ish-lideri i grupit “Police” mbushi dje 59 vjeç dhe momentalisht ndodhet në një turne 4 ditor. “Publiku të ndjek, nëse nuk e zhgënjen”

Dje mbushi plot 59 vjeç. “Nuk do të ketë asnjë festë për ditëlindjen time”, thotë Sting, ndërsa qëndron ulur në një kolltuk të rehatshëm, para se të dalë në skenë. “Dua të jap një koncert madhështor. Biletat u shitën për një javë, ndërkohë që janë shitur 50 kopje të diskut. Goxha arritje, apo jo?”. Sting e ka nisur turneun e tij në Europë për të publikuar albumin e ri, ku do të riinterpretojë këngët klasike të grupit “Police” dhe të karrierës së tij solistike.
Është më e vështirë ndërthurja me orkestrën? Kërkon më shumë disiplinë? 
Disiplina është një fjalë që më pëlqen. Në fillim orkestra ishe si diçka abstrakte. Kishim frikë se nuk do të mund të sinkronizoheshim ashtu siç duhej me njëri-tjetrin. Tani gjithçka po shkon ashtu siç duhet. Unë kam pasur fatin e mirë të bashkëpunoj me një bandë profesioniste. Sa kompozitorë të zotë kanë pasur shansin të luajnë me një orkestër simfonike për një vit të tërë? Jo shumë. Do të isha një i çmendur nëse nuk do ta quaja veten me fat.

Fluturime të shpeshta, orare të mbingarkuara me punë, ndryshime klimatike... Si ja bëni që jeni kaq në formë? 
Kujdesem shumë për veten. Ha pak, vizitohem te mjeku dhe nuk bëj budallallëqe. Motoja ime është disiplina. Nuk dua të heq dorë nga linjat që kam: bark të sheshtë, një fytyrë të cilën e njohin të gjithë dhe që ka filluar edhe mua të më pëlqejë.
A është e vështirë për një legjendë të muzikës pop të marrë vendime të guximshme, pa rrezikuar që të mos u pëlqejë të tjerëve? 
Që kur grupi u nda, i kam marrë vendimet pa u vënë shumë në siklet. Publiku të ndjek nëse nuk e zhgënjen. Mund të më kishte braktisur kur u largova nga grupi, por nuk e bëri. Vazhdon të më ndjekë rregullisht.
Ribashkimi i grupit “Police”, dy albume me muzikë antike dhe tani një turne me këngë të vjetra. Mos vallë keni filluar të dembeloseni paksa si kompozitor? 
Unë dembel? Ky po që është sakrilegj! Sa më shumë që kalon mosha, aq më i vështirë bëhet krijimi: ke më shumë përgjegjësi, je i vetëdijshëm dhe ke një nivel të lartë autokritike. Kur je i ri, siç janë fëmijët e mi, shkruan instinktivisht, pretendon që gjithçka që bën të jetë e mirë. Konkretisht e shoh veten të pasqyruar tek entuziazmi i Joe (që tani është në turne me bandën e tij, “Fiction Plane”), në frymëzimin e rrebeshtë të Coco-s (në nëntor do të publikojë albumin “The Constant”, me emrin “I Blame Coco”). Me plakjen ky proces rrallohet, por cilësia përmirësohet.
E keni dëgjuar diskun e vajzës suaj? Është e ashpër, thotë se nuk e miraton stilin tuaj të jetës...
Është fantastik, një pop i vërtetë. Më pëlqejnë ndërthurjet e ëmbla të kitarës. Ndoshta nuk i pëlqej, por unë jam babai i saj dhe për mua të dy fëmijët janë gjëja më e shtrenjtë në botë. Gjithçka e ka vendosur vetë, nuk ka ndjekur asnjë nga këshillat që i dhashë. Tani gazetat përpiqen t’i atribuojnë imazhin e “punk”, të vajzës rebele. Kjo nuk është e vërtetë. Ajo është shumë e dashur dhe e përkushtuar.
Fëmijët tuaj i janë futur botës së spektaklit. Çfarë ndjesie ju jep juve dhe bashkëshortes suaj kjo gjë? 
Tashmë jemi mësuar. Nuk na bën shumë përshtypje. Pavarësisht se jemi përpjekur shumë t’i mbajmë jashtë “show”-t të biznesit, janë zhytur brenda deri në fyt. Dy janë bërë muzikantë, dy aktorë dhe një regjisor. Tani nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpresoj që Giacomo, më i vogli, të bëhet avokat. Joe-s dhe Coco-s u kam thënë gjithmonë: nëse doni të bëni muzikë, në fillim duhet të mendoni për kënaqësinë tuaj. Mos u nisni me idenë se do të bëheni të famshëm dhe do të fitoni shumë para. Përqendrohuni tek ajo çka muzika i dhuron shpirtit tuaj, sepse në të kundërt, rreziku për të përfunduar keq është tepër i lartë. Jemi krenarë për Coco-n. Duam që ajo të jetë e lumtur. E dimë se suksesi dhe lumturia nuk ecin në të njëjtin drejtim.
Për më tepër, industria e muzikës nuk lundron në ujëra aq të pastra...
Janë vite të vështira për muzikën pop. Duket se më e mira i përket së kaluarës. Është një krizë idesh. Por a nuk është e njëjta që po përjetojmë në nivel filozofik, fetar dhe politik?
Klasifikimet janë siguri e talenteve të reja, ndërkohë që shitjet kanë filluar të bien...
Spektakli amerikan “X-Factor” përdor stereotipat e muzikës pop për të krijuar shpresa të rreme. Për një të ri nuk ka asgjë më të dëmshme se sa të cilësohet si Sting-u i ri, Elton John-i i ri ose Beyoncé e re. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë prej këtyre talenteve të thotë që unë jam vetvetja dhe si i tillë dua të lë gjumë në botën e muzikës. Kush janë ata që i gjykojnë këto talente? Fjalët që u thonë nuk janë të vërteta. Muzika është diçka krejt tjetër. Unë në televizor shoh vetëm futboll.
Vendimi për të dhënë koncert në Uzbekistan, një vend ku të drejtat e njeriut shkelen, ka ndezur shumë debate. Kryeartikullshkruesit anglezë janë nxitur edhe nga një fotografi që ju shfaq në një sfilatë mode krah përkrah me Gulnara Karimova-n, vajzën e një presidenti të akuzuar, mes të tjerave, edhe për shfrytëzim në punë të minorenëve. Nuk keni menduar që kjo gjë mund të përbaltë historinë tuaj të gjatë të të qenit aktivist? 
Është e vërtetë, Uzbekistani është një vend që i shkel të drejtat e njeriut. Por nuk më rezulton të jetë subjekt i një embargoje kulturore, si Afrika e Jugut. Nëse do të ndodhte kjo gjë, shoqëria uzbeke do të bëhej më paranojake, më agresive ndaj nesh. Arti, gazetaria, sipërmarrja, qarkullimi i ideve të reja (dhe unë besoj në fuqinë e muzikës), janë të gjitha gjëra që u bëjnë mirë vendeve me regjim totalitar. Ndërsa për sa i përket Karimova-s, mesa duket do të jetë ajo që do ta qeverisë vendin një ditë, dhe të jeni të bindur se është më e ndjeshme se i ati ndaj kulturës. Atëherë pse jo? Përse të mos i lëmë dyert e hapura?
Në të ardhme do të luani sërish muzikë të vjetër?
Kam në mendje një spektakël teatror të bazuar te “The Soul Cages” (albumi i vitit 1991, i shkruar pas vdekjes së babait). Së fundmi ka shpërthyer mentaliteti që muzika duhet të jetë e lirë. Kështu që është më mirë të eksplorohen territore të reja, sepse ndoshta vitin tjetër do të hedh në treg një disk të ri.
shko