e enjte, 21 tetor 2010

Vjeshta e nxehtë e Presidentit francez


Franca sfidon Nikolas Sarkozinë. Vendi është paralizuar. Mijëra studentë, profesorë dhe punëtorë kanë zbritur në shesh kundër reformës së pensioneve, por edhe greva e mjeteve të transportit publik dhe karburanti që është duke përfunduar. Kjo është vjeshta e nxehtë e Presidentit francez që nuk ka qenë kurrë kaq poshtë në sondazhe...


Prej disa kohësh Franca e Nikolas Sarkozisë nuk po zgjohet dhe nuk po fle më e qetë. Vendi duket sikur është paralizuar. Miliona qytetarë kanë dalë në shesh për të protestuar kundër reformës së pensioneve. Pothuajse 2 në tre francezë, sipas vëzhgimeve të fundit, e aprovojnë protestën që ka nisur që prej 7 shtatorit dhe ka hyrë tashmë në një fazë që mund të quhet decizive. Por imazhi i një përplasjeje mes kreut të shtetit dhe vendit që e zgjodhi tre vjet e gjysmë më parë, duket se nuk do të zhduket për shumë kohë nga sytë e francezëve. Rruga nga “Place de la Republique” në “Place de la Nation” është ajo klasikja e manifestimeve të së majtës. Njerëzit mblidhen në sheshin e Republikës dhe pastaj marshojnë drejt sheshit të Kombit. Të shtunën, më 16 tetor, u zhvillua protesta e pestë, (jo vetëm në Paris, por pothuajse në të gjitha qendrat e mëdha urbane) ndërsa dje u zhvillua e gjashta. Pothuajse çdo herë është abuzuar me numrin e protestuesve të pranishëm në shesh: një mesatare në të gjithë Francën sipas policisë është rreth 900 mijë burra dhe gra, ndërsa sipas sindikatave, ky numër shkon në tre milionë. Për qeverinë, mobilizimi është drejt rënies, ndërsa për organizatorët karakterizohet nga një dinamizëm i fuqishëm, por me ulje-ngritjet e veta. Në historinë e pasur franceze të protestave në bulevard, kjo vjeshtë meriton të zërë një vend të veçantë. Çdo manifestim është si një valë e fuqishme që përplaset në muret presidenciale të pallatit “Elize”, pa e shqetësuar, të paktën kështu duket, kreun e saj. Në fakt, Nikolas Sarkozi, nuk ka treguar asnjë shenjë ndryshimi. Në Sheshin e Republikës duket sikur ka festë. Shiten salsiçe, pije freskuese, flamuj, bluza me inicialet e sindikatave të ndryshme, të bashkuara provizorisht kundër reformës së pensioneve që është edhe qendra e konfliktit, por të gatshme për t’u ndarë sërish nëse senati do të aprovojë reformën, ashtu siç ka bërë Asambleja Kombëtare. Dhe është pikërisht kjo që pritet të ndodhë në mesjavë. Në përbërje të protestave gjen njerëz të kategorive të ndryshme. Ka shumë punëtorë, familjarë, përfaqësues të shtresës së mesme dhe shumë studentë që kanë braktisur shkollat për të qenë të pranishëm. Pikërisht përfaqësuesit e këtyre protestave që vazhdojnë prej më shumë se një muaji në Francë, tregojnë se përveç reformës së pensioneve duhet të ketë diçka tjetër, akoma më të thellë që ka bërë të gjithë vendin bashkë. Sipas sondazheve të fundit, Presidenti gëzon besimin e vetëm 30 për qind të francezëve. Në 70 për qindëshin tjetër që nuk aprovon politikën e tij, bëjnë pjesë edhe ata që bashkohen me reformën kundër rritjes së moshës së pensioneve. Protesta duket se po shkon përtej objektivit të deklaruar nga manifestuesit. Në sfond, sigurisht që qëndron Presidenti Sarkozi. Rënia kaq e madhe në sondazhe, për disa është kronike, për të tjerë është e përkohshme. Sindikatat i kërkojnë të negociojnë për reformën e pensioneve, pra të ndalojë aprovimin  tij në Parlament. Por nëse nuk arrin ta ndalë, ka shumë mundësi që Sarkozi të humbasë edhe atë pak besueshmëri që sondazhet i japin. Reforma e re ngre nga 60 në 62 vjeç dhe nga 65 në 67 moshën për pension të plotë (me 41 vjet kontribute). Sipas reformës aktuale të pensioneve, si meshkujt, ashtu edhe femrat dalin në pension në moshën 60-vjeçare nëse kanë paguar sigurime shoqërore për 40 vjet, edhe pse nuk mund të marrin një pension të plotë deri në moshën 65-vjeçare. Reforma e re e qeverisë kërkon që nga 60, mosha e tyre të shtyhet deri në 62 për të mbuluar kështu deficitin buxhetor. Miratimi i ligjit, që ka ndodhur edhe në vende të tjera, duket i pashmangshëm. Përqindja e ulët e të regjistruarve nëpër sindikata (8%) redukton efektin e apeleve të këtyre të fundit për grevë. Protestat sociale shprehen kudo, sidomos nëpër manifestime. Nëpër bulevarde, francezët kërkojnë të shfryjnë inatet e akumuluara prej disa vjetësh. Protestat paqësore, demokratike nxitën veprimin e sindikatave kryesore në vend, në sektorët më të ndjeshëm. Në veçanti ato të transporteve publike apo degëve që lidhen me to. Paralizimi i 12 rafinerive dhe depozitave të karburanteve ka nxitur panikun e konsumatorëve që po krijojnë radhë të pafundme përballë pikave të karburanteve, në disa raste të detyruar të mbyllen për shkak të mungesës së benzinës. Rreth 1500 stacione benzine në Francë i kanë mbaruar të gjitha rezervat dhe furnizimin e tyre, për shkak të grevës. Gjithsej në Francë janë prekur nga kjo grevë 12 mijë stacione karburantesh. Por sipas disa burimeve, të gjithë ata që do të kërkojnë furnizimin me karburant në Paris, apo rrethinat e tij, do të hasin shumë vështirësi. Probleme të mëdha me furnizimin me karburant ka edhe në veri të Francës dhe ky vend, po sipas disa burimeve, ka filluar që të ketë akses te rezervat e veta. Punonjësit kanë braktisur punën në 12 rafineritë e mëdha të vendit që prej një jave dhe si pasojë, pjesa më e madhe e industrisë nuk funksionon dot në këto kushte dhe herët a vonë, nëse greva do të vazhdojë, do të ndihet nevoja e përdorimit të rezervave. Kamionistët kanë nisur të bllokojnë trafikun. Në këtë përkeqësim të gjendjes sociale, paralizimi në shërbimet e transportit publik dhe pjesëmarrja e të rinjve përfaqëson një ankth për ata që qeverisin. Sipas mendimeve, thuajse unanimë të ekonomistëve të rinjtë nuk duan që të ndiejnë pasojat e zgjatjes së viteve të punës, duke qenë se do të rritet mosha e daljes në pension. Përkundrazi. Por jo pak shkolla në Francë janë braktisur nga shumë të rinj e të reja që marrin pjesë në manifestime. Profesorët janë shpesh në krah të tyre. Nga ana tjetër, grupet ekstremiste po përfitojnë nga kjo situatë duke thyer xhamat e vitrinave të dyqaneve dhe duke u konfrontuar me policinë. Shumë të rinj janë arrestuar. Disa të tjerë janë plagosur. Një 17-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë, sepse u godit në fytyrë nga një “flash ball”, armë me plumba prej gome, të përdorur nga policia gjatë manifestimeve të dhunshme. Pas këtyre incidenteve, ministri i Punëve të Brendshme, Brie Horefeux, e ka urdhëruar policinë që të përdorë metoda më pak drastike me të rinjtë. Qeveria u trembet veprimeve të opinionit publik, që është bërë njësh me studentët e zbritur në shesh. Familjet i mbështesin. Në lëvizjen kundër reformës së pensioneve, në një farë mënyre preket edhe problemi i të rinjve. Një në pesë të tillë e ka të vështirë të gjejë punë. Të rinjtë dhe të rejat që marshojnë nga Sheshi i Republikës në Sheshin e Kombit e shpjegojnë kështu praninë e tyre: të vjetrit në pushtet janë egoistë. Pensionet janë një simbol. Franca shqetësohet vetëm për të moshuarit”. Arsyet e deklaruara nuk janë gjithmonë në sintoni me ato të protestave që tregojnë për një konflikt të përgjithshëm. Prania e pamenduar dhe e papritur e studentëve u jep një tjetër forcë protestave dhe shqetëson pa masë qeverinë që duket se mezi po pret pushimet e vjeshtës që nisin javës tjetër. Mbyllja e shkollave mund të çmobilizojë edhe mësuesit dhe t’i bëjë familjet e studentëve më pak pjesëmarrës në manifestime. Të hënën në mbrëmje, në prag të një proteste të re, François Fillon u shfaq në ekranet e televizorit për të treguar se pavarësisht protestave reforma e pensioneve ka për të kaluar në senat. Sipas tij, qeveria, si zakonisht, është gati ta përballojë krizën pa e përdorur Kryeministrin si “qetësues të situatës” sipas traditës së presidentëve të Republikës së Pestë. Nikolas Sarkozi ka mbetur kësaj here pas kuintave. Ndoshta për këtë arsye nxori Fillonin për t’u hequr frikën konsumatorëve të detyruar të mbajnë radhë të pafundme nëpër pikat e karburantit për të mbushur serbatorët e makinave të tyre. “Nuk do të lejoj që ekonomia franceze të mbytet nga kriza e furnizimit me karburant”, tha ai. E drejta e grevës nuk mund të pengojë aksesin ndaj depozitave të karburanteve që mendohet të hapen në rast nevoje. Presidenti Sarkozi, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga miratimi i ndryshimeve në sistemin e pensioneve, i ka kërkuar qeverisë që të merret me furnizimin e industrisë përmes rezervave të shtetit edhe nëse situata do të vazhdojë që të jetë e trazuar. Ndërkohë, Kryeministri i vendit ka deklaruar se ai dhe qeveria e tij nuk do të lejojnë që greva të prekë rezervat e shtetit. Nga mënyra e se si foli Kryeministri u kuptua se qeveria është gati të ndërhyjë për të riaktivizuar 12 rafineritë e bllokuara si pasojë e grevës. Në fund të fundit Fillon bëri detyrën e tij duke marrë përsipër një rol të vështirë në një situatë kaq kritike. Ndoshta kreu detyrën e tij të fundit, sepse Sarkozi prej disa muajsh ka deklaruar që shumë shpejt do të bëjë ndryshime në qeveri, përfshi edhe vetë Kryeministrin. Duke llogaritur edhe këtë krizën e fundit, është thuajse e sigurt që kjo qeveri nuk e ka jetën shumë të gjatë. Presidenti ka nevojë për ministra të rinj për të përballuar një rizgjedhje të tij (edhe pse kjo duket shumë e vështirë) pas një viti e gjysmë. Megjithatë, Fillon nuk arriti të qetësojë konsumatorët që vazhdojnë të zgjasin më tej radhët në pikat e karburantit dhe as t’u ndryshojë mendjen grevistëve. “Nëse greva e punonjësve të rafinerive do të vazhdojë, kjo gjë mund ta përkeqësojë më shumë situatën”, thonë sindikalistët. Megjithatë, Sarkozi ka një tjetër mendim pozitiv në mendjen e tij. Protestat mund të qetësohen si pasojë e pamundësisë për të lëvizur nga mungesa e karburanteve. Nga ana tjetër, me mbylljen e shkollave për pushime mendon se të rinjtë dhe mësuesit do të largohen nga manifestimet duke ridimensionuar kështu protestat. Por pavarësisht asaj që mendon Presidenti, që tanimë asnjë nuk e do, është e vështirë që kjo situatë të mbyllet me një fund të lumtur. Dy në tre francezë nuk janë dakord me atë që Presidenti bën dhe kjo është me të vërtettë fatale.
shko