Edhe pse ishte planifikuar që të mbahet më 15 dhjetor, evenimenti është shtyrë për muajin janar dhe siç tregojnë organizatorët, kjo ka ndodhur për shkak se disa bashkëpunëtorë kanë qenë të angazhuar në zgjedhjet parlamentare, si dhe xhirimet për festat e fundvitit.
Spektakli edhe këtë vit do të organizohet nga kompania "Art Motion", në bashkëpunim me fotografin Fadil Berisha, si dhe RTV21. Përgatitja për vajzat finaliste do të nisë në fillim të janarit dhe do të jenë në dispozicion afro 10 ditë.
Pritet që të paraqiten një numër i madh i bukurosheve kosovare brenda dhe jashtë vendit, por në garë do të kalojnë gjithsej 28 vajza, kurse finaliste në garën më të fortë do të jenë 20 prej tyre. Shumë prej vajzave që kanë hedhur kandidaturën janë nga Kosova, por janë edhe dy të tjera, ku njëra vjen nga Suedia, ndërsa tjetra nga Belgjika. Surprizë në këtë garë është emri i modeles dhe këngëtares së njohur, Afërdita Dreshaj. Edhe pse njëri ndër organizatorët e spektaklit, Agron Selimi, e arsyetoi faktin se cila nga vajzat mund të jetë pretendente për çmimin kryesor, kur flitet për Afërditën, sigurisht që ajo do të jetë mes njëzet finalisteve.
Kjo, pasi Afërdita, e dashura e Shpat Kasapit, deri tani ka pasur përvojë të gjatë në fushën e modës, duke qenë pjesë e shumë sfilatave të organizuara në Shtetet e Bashkuara dhe vende të ndryshme të botës. Këtë vit flitet që spektakli "Miss Universe" do të mbahet në Brazil, por deri më tani nuk është dhënë ndonjë vendim i saktë. Vitin e kaluar si përfaqësuese e Kosovës ishte bukuroshja Kështjella Pepshi, e cila nuk arriti të kishte ndonjë sukses të madh në krahasim me Marigona Dragushën, që u rendit në "Top 3", të femrave më të bukura në botë.