Vetëm gjykatat mund të vendosin tani se deri ku mund të shkojë platforma e Assange. E megjithatë “Amazon” dhe sajte të tjera thjesht kanë vendosur që ta bllokojnë “Wikileaks”, pa pritur më parë sqarimin që do të jepte gjykata. Dhe situata në të cilën ndodhemi është ajo në të cilën kompanitë frikacake janë duke rrezikuar lirinë e internetit
Zhgënjimi ishte i madh. Inati edhe më i madh. Përse vallë kompani të tilla si “Amazon” dhe “PayPal” vendosën që të përjashtonin “Wikileaks” nga lista e klientëve të tyre? Qytetarët e inatosur kanë bërë thirrje për bojkot të tyre në forumet online, “Facebook” dhe “Twitter”. Të shumtë janë edhe ata që i akuzojnë këto kompani për aplikim të censurës. Ky term në fakt nuk është i saktë. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një situatë censure. Për këtë duhet një gjykatë që të vendosë në lidhje me një çështje që ka të bëjë me lirinë e shtypit. Dhe ky nuk është rasti, kryesisht sepse kompanitë e internetit as që e marrin mundimin që të ndërmarrin një rrugë ligjore. Pavarësisht gjithë presionit politik që është ndërmarrë ndaj “Wikileaks”, në Shtetet e Bashkuara nuk është aspak një akt i paligjshëm që të përcjellësh para për një platformë që shpërndan dokumente. E megjithatë “Amazon” dhe “PayPal” kanë vendosur që të mos e bëjnë një gjë të tillë më.
“Wikileaks” mund të vazhdojë të komunikojë përmes “Facebook” dhe “Twitter” dhe shumë njerëz mund të kenë akses në të përmes provajderëve të ndryshëm të internetit. Dhe kjo sepse ka edhe shumë kompani të tjera që nuk ia kanë mohuar Wikileaks shërbimin e tyre. Pikërisht këtu kemi një dilemë, pra te reagimi i ndryshëm i firmave të internetit ndaj publikimeve të “Wikileaks”. Shumë qytetarë e konsiderojnë internetin si një hapësirë publike, por në fakt interneti është një sferë private. Dhe kompanitë që kontrollojnë thuajse të gjitha forumet në web mund të ushtrojnë të drejtat e tyre të pronësisë dhe të ndalojnë komentet që duan. Shkalla e lirisë së qytetarëve në internet varet nga këto kompani dhe përfshirja ose jo e tyre në konflikte me shtetin, apo firma të tjera, për shembull kompanitë e të drejtave të autorit. Ka një shprehje që thotë: duhet të zgjedhësh herët a vonë në cilën anë të konfliktit kërkon që të jesh. Dhe në këtë rast gjigandët e internetit “PayPal” dhe “Amazon” kanë vendosur qartësisht që të mos jenë në krah të “Wikileaks” në këtë betejë. Ato kanë vendosur që të shmangin konfliktin dhe e kanë përjashtuar nga sajtet e tyre, duke u nxjerrë si pretekst termat dhe kushtet. Dhe kanë të drejtë që ta bëjnë një gjë të tillë. Kompanive u duhet lejuar që të bëjnë rolin e frikacakut, nëse rreziku me të cilin përballen në të kundërt është shumë i madh për to.
Dhe rreziku në këtë rast mund të jetë një kërcënim i përgjithshëm nga estabilishmenti politik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose inati i konsumatorëve amerikanë, një pjesë e të cilëve e konsiderojnë “Wikileaks” si një platformë për tradhti ndaj shtetit. Një inat i tillë mund të godasë kompanitë shumë më tepër se revolta e aktivistëve që i dolën në mbrojtje “Wikileaks” dhe që aktualisht po bëjnë thirrje për një bojkot të “Amazon” dhe “PayPal”.
Por nga ana tjetër, edhe këto thirrje për bojkot duhen përshëndetur. Këto thirrje duhet që t’i tregojnë kompanive se situata është aktualisht krejt ndryshe nga sa pretendojnë ato dhe se ka shumë mundësi që ato ta kenë pasur gabim në lidhje me reagimin e ashpër ndaj “Wikileaks” dhe në këtë mënyrë kanë larguar nga vetja shumë më tepër klientë nga sa mund ta imagjinonin. Ndoshta një herë tjetër, kompanitë do të vepronin ndryshe. Fakti realisht shqetësues është shpejtësia me të cilën këto kompani e morën vendimin për të braktisur “Wikileaks”. Mënyra e tyre e përballimit të momenteve të vështira e dëmton shumë internetin, pavarësisht se dëmin në këtë rast e pësoi “Wikileaks”.
Ndërkohë edhe aktivistët e “Wikileaks” janë duke e shmangur vetë një konfrontim ligjor. Në vend që të hedhin në gjyq “Amazon”, ata thjesht i çuan të dhënat e tyre në një tjetër server dhe kjo lëvizje demonstroi shumë pragmatizëm. Por në këndvështrimin afatgjatë do të ishte shumë më e dobishme për internetin në Shtetet e Bashkuara që çështjet të përfundonin në gjykatë për të sqaruar nëse “Amazon” mundet apo jo të “fshijë” përmbajtjen e një klienti.
Çështja në Shtetet e Bashkuara është nëse Kushtetuta i jep mbrojtje apo jo publikimeve kontroversale të “Wikileaks”. Mbetet për t’u shpresuar që gjykata do ta sqarojë këtë situatë me “Wikileaks” dhe nuk do të lejojë që kompani private të marrin vetë vendime të bazuara në pritshmërinë e tyre ndaj opinionit publik dhe konfliktin potencial me politikanët.
Vetëm falë kompanive që janë më bujare në interpretimin e të drejtave themelore, interneti mund të vazhdojë që të funksionojë si një hapësirë publike.