Fatos Klosi, ish shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, gjatë kohës së cilës i referohet reporteri i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka thënë se “Shërbimi është i paingranuar në gjëra të tilla”.
“Këtë e them me përgjegjësi të plotë, duke njohur dhe aktivitetin e UÇK-së, duke pasur kontakte të përditshme dhe të përnatshme me atë ushtri, jam pothuaj i bindur se këto akuza janë absurde.
Praktikisht ishte e pamundur në konditat në të cilat ishin ata, e pamundur që të sillnin robër lufte në Shqipëri, për vetë faktin se kufiri ynë me Kosovën ka qenë i minuar dhe i pamundur të kalohej. Nisur nga teknologjia që duhet për të bërë transplant organesh dhe kushtet në të cilat kjo bëhet, unë mund të them se Shqipëria edhe sot e ka të pamundur një gjë të tillë dhe jo atëherë në kondita lufte”, ka thënë Klosi në një intervistë për të përditshmen “Panorama”.Klosi ka thënë gjithashtu se asnjëherë nuk ka dëgjuar nga shërbimet e huaja të zbulimit më te cilat është bashkëpunuar për akuza të kësaj natyre, “qoftë dhe elementë fare ordinerë, për ndonjë trafik e jo më akuza kaq të rënda”.
“Kështu që më duket se më shumë kërkohet të inskenohet një situatë për t’i bërë presion Hashim Thaçit, ish-luftëtarëve të UÇK-së, sesa kemi një pasqyrim të së vërtetës në këto informacione”, ka thënë Klosi.