e mërkurë, 8 dhjetor 2010

SHUHET ALBANOLOGU - ISTVÀN SCHÜTZ

Istvàn Schütz (Ishtvan Shyc), një emër i mirënjohur në fushën e studimeve albano-ballkanologjike dhe në fakt, përfaqësuesi më i denjë i albanologjisë hungareze të ditëve tona u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, më 27 nëntor (u varros më 7 dhjetor) të vitit 2010.

Studimet albanologjike në Hungari, ngushtësisht janë të lidhura me emrin e Istvàn Schütz-it, i cili për 62 vjet më radhë, u mor me studimin e gjuhës shqipe. Ishte shumë këmbëngulës, kishte durim të jashtëzakonshëm dhe nuk u trembej sfidave debatuese, duke mos llogaritur se kush ishte emri me të cilin debaton, ai dha një kontribut të çmueshëm dhe të lëvdueshëm në lëvrimin e gjuhës shqipe.
I gatshëm për ndihmë për të dhënë konsultime, i papërtueshëm për saktësime të hollësishme, dashamirës dhe shumë mikpritës, profesori, siç e thërrisnim ne, do të mbetet në kujtesën tonë për këto veti të mrekullueshme.
Gjatë njohjes sonë shumëvjeçare me të, në takimet e shumta në Tiranë, Prishtinë e Budapest, asnjëherë nuk bezdisej me pyetjet e diskutimet tona. Nuk ishte e huaj, pos gjuhësisë dhe të gjitha disiplinave të saj, për të, as historia, etnologjia, folklori, letërsia, përkthimet etj., ku shquhej për një njohje të thellë prej eruditi, duke folur në një shqipe të pastër toskërishte, që ishte mjaft vështirë, për ata që nuk e njihnin, ta dallonin që nuk ishte shqiptar.
Istvàn Schütz lindi më 27 mars 1923 në një fshat rumun në kufi me Hungarinë. Duke qenë në kufi, shkolla e fshatit u kushtonte shumë rëndësi gjuhëve të huaja, si klasike, ashtu edhe moderne, kështu që djaloshi Schütz doli nga kjo shkollë me njohuri shumë të mira jo vetëm në hungarisht e rumanisht, po edhe në latinisht e frëngjisht. Gjatë Luftës së Dytë Botërore përfundoi ndër trupat francezë, duke bërë punën e përkthyesit, dhe pas luftës u vendos përfundimisht në Hungari ku vazhdoi studimet universitare për gjuhë e letërsi hungareze dhe latine.
Istvàn Schütz ishte 25 vjeç dhe sapo kishte mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi hungareze e latine, kur ra në kontakt me studentët e parë shqiptarë që shkuan në Hungari, në vitin 1948, dhe që kishin nevojë të mësonin brenda një kohe sa më të shkurtër hungarishten (një gjuhë joindoeuropiane, me strukturë gramatikore tepër të veçantë). Meqenëse u duhej një profesor me të cilin të merreshin vesh në frëngjisht ose në italisht, Schützi u pranua menjëherë si profesor i hungarishtes, dhe ai filloi menjëherë nga puna, jo vetëm t’u mësonte atyre hungarisht, por të mësonte edhe vetë shqip
shko