e shtunë, 22 janar 2011

Elisa e Big Brother: Do ta le te dashurin per Algenin

Duke jetuar në një vend të huaj që në moshën 10-vjeçare, mbase 23 vjeçarja, Elisa Çaushi ka ndërtuar një personalitet dhe steriotip shumë ndryshe ng ajo e bashkëmoshatareve të saj në Shqipëri. Në këtë aspekt, Elisa është mjaft kompatibël me një format reality show, si ai i “Big Brother”,  i cili një nga kriteret
kryesore ka atë të lirshmërisë dhe të qenit pa komplekse. 


Që në ditët e para, Elisa ka kërkuar të krijojë simpatinë e shumicës së banorëve aty. Me ta ka dashur të ndajë detaje nga jeta e saj private dhe familjare, në mënyrë që ata ta njohin më mirë. Një nga historitë që ka çuditur jo pak banorët, jo shumë për thelbin e saj, sesa për lehtësinë me të cilën është treguar, është ajo e një aborti të kryer nga Elisa në moshë shumë të re. 


Krahas kësaj Elisa nuk ka ngurruar të rrëfejë edhe eksperiencat e ndryshme me djemtë dhe faktin se ka gjashtë muaj e lidhur me një djalë me emrin Fatjon, i cili, si ajo jeton prej disa vitesh në Angli. Mirëpo diçka që nuk ishte brenda parashikimeve të saj, ka ndodhur gjatë qëndrimit të saj brenda në shtëpi. Mesa duket nga zhvillimet e fundit, ajo i ka vënë syrin njërit prej djemve, Algenit, 34-vjeçarit nga Lezha, i cili është një ndër personazhet që ka ngjallur më shumë interes në këtë edicion në radhë të parë për të kaluarën e tij, e në radhë të dytë për temperamentin e zhurmshëm dhe të lirshëm që shfaq në komunikimin me banorët. 


Elisa i ka rrëfyer Klodianës dy ditë më parë në orët e vona të natës se i pëlqen shumë Algeni. “Është shumë i mirë, e kam parë edhe nga shikimet që edhe ai më pëlqen shumë mua. Unë me të vërtetë kam një lidhje jashtë, por që në start, edhe unë e Fatjoni, e dinim se kjo lidhje nuk do ishte jetëgjatë. E ndiej që me Algenin do të jem e lumtur, pasi ngjajmë shumë si tipa”. Këto janë fjalët e Elisës, e cila ka preferuar që të konfidohet me Klodin. 


Jo vetëm kaq, po Elisa ka shkuar edhe më tej duke i thënë shoqes së saj se e ka e menduar mirë se si do ta menaxhojë këtë histori. “Megjithëse më pëlqen shumë, nuk e kam ndërmend që t’ia var shumë se meshkujt e humbin kuriozitetin kur një femër i shkon nga mbrapa. Do ta lë atë të përpiqet të më afrohet, por gjithsesi mendoj që nuk është mirë të krijoj një lidhje brenda shtëpisë derisa të rregulloj punët që kam lënë jashtë. Më vjen çudi se nuk e kisha menduar që do më pëlqente dikush këtu brenda dhe ndihem shumë mirë për këtë fakt”, tregon Elisa. 


Pra ajo jep disa deklarata kontradiktore, duke e lënë disi të paqartë vazhdimësinë e lidhjes me Algenin, por një gjë është shumë e qartë, që ajo e pëlqen shumë atë. Krejt ndryshe shfaqet Algeni, i cili deri tani nuk ka rënë pre e stresit dhe tensionit që krijon kjo lojë, por ashtu siç e ka deklaruar edhe në skedën e tij personale, ai aty ka hyrë vetëm për të bërë qejf dhe po bën pikërisht këtë gjë. Po me këtë frymë, ai po i afrohet edhe Elisës, duke mos bërë as të dashuruarin dhe as indiferentin. Me një eksperiencë të gjatë nga e kaluara ku më e spikatuar është lidhja me Naike Rivellin, Algeni mesa duket është gjithnjë në start dhe gjithnjë i qetë dhe në humor të mirë.
shko