e hënë, 24 janar 2011

Më shumë para sjellin rivalitet në Champions

Presidenti i Bayernit të Munichut, Karl Heinz Rummenigge, ka kërkuar dje që të dyfishohen të ardhurat që klubet gjermane fitojnë nga të drejtat televizive të transmetimit, pasi e
sheh këtë si mënyrën e vetme që gjigandët bavrezë të mund të mbeten kompetitivë në Europë.
“Mendoj se televizionet duhet të na paguajnë faturat që na detyrohen, pasi Bundesliga Gjermane dhuron një futboll sa tërheqës aq edhe interesant për t’u parë”, ka thënë Rummenigge për të përditshmen gjermane “Die Welt”.
Në të shkuarën Rummenigge e ka konsideruar këtë temë si ‘tabu’, por tani kërkon një reflektim nga të gjithë pasi ka besim të fortë te forca e Bayernit të Munichut dhe premton se skuadra bavareze e drejtuar nga Luis van Gaal do jetë sërish kompetitive për të avancuar sa më shumë në Ligën e Kampionëve.
Skuadra gjermane vitin e shkuar u mund në finale nga italianët e Interit, që drejtoheshin nga Jose Mourinho. “Çfarë kanë më shumë klubet italiane që fitojnë dyfishin e të ardhurave që fitojmë ne nga e drejta televizive?
Ne jemi një ndër pesë kampionatet më kompetitivë në Europë, kështu që nëse s’do të ketë ndryshime në këtë fushë, atëherë me keqardhje më duhet të pranoj se Bundesliga do të ketë probleme të mëdha financiare”, theksoi më tej Rummenigge. Bazuar në marrëveshjen që Bundesliga Gjermane ka me rrjetin e televizioneve Sky përfitimi shkon në 420 milionë euro.
Skuadra gjermane e Bayernit fiton vetëm 28 milionë euro nga kjo kontratë, ndërkohë që Seria A sipas tij fiton afërsisht 1 miliard euro. Premier Liga angleze kryeson listën e kampionateve që u japin skuadrave më shumë të ardhura nga e drejta televizive, pasi e kalon shifrën e mbi 2 miliardë eurove për sezon.
La Liga spanjolle është në kuotën e mbi 600 milionë eurove në sezon, por gjysmën e këtyre të ardhurave e marrin Reali dhe Barcelona, me mbi 150 milionë euro secila. Sportingu i Gijonit është skuadra që merr më pak të ardhura, vetëm 2.5 milionë euro në sezon./topLajm
shko