e mërkurë, 12 janar 2011

Mesazhi misterioz në oborrin e CIA-s

Kriptoja, skulptura misterioze që ndodhet në oborrin e zyrave qendrore të CIA-s ka vënë në provë prej kohësh aftësinë e të gjithë kodthyesve të botës.

Ata janë përpjekur që të zbërthejnë mesazhin që përmban ky rebus. Pas shumë përpjekjesh dhe arritjes së disa sukseseve ka mbetur të paktën një sekret i fundit ende i pazgjidhur në këtë
 mister.

Kjo enigmë e sheh agjencinë amerikane të inteligjencës “përballë” çdo ditë duke i bërë ende karshillëk me anën e saj të panjohur.

20 vjet pas vendosjes së saj në oborrin e madh të zyrës së Agjencisë Qendrore Inteligjente, skulptura me dredhëza dhe me material bakri ende mban një mesazh të kriptuar brenda saj, pra brenda 1800 germave që ndodhen në sipërfaqen e saj.

Misteri i fundit i Kriptos njihet si “Kodi i Everestit” dhe synohet si trofe për mendjet e qindra kriptografëve që duan ta zbulojnë të gjithë përmbajtjen e skulpturës. Ajo madje gjendej edhe në kapakun e librit “Kodi Da Vinçi” i Dan Brown. Në vitin 1999 u zbuluan tre pasazhe të rëndësishme të kësaj skulpture, por një i katërt shumë më i vështirë për t’u zbërthyer ende mbetet në “errësirë” si për çudinë e skulptorit që e krijoi Kripton, Jim Sanborn.


Dhe ai vetë që ka qenë një nga kriptologët dhe kodthyesit më të famshëm të brezit të tij kur u ngarkua për të krijuar këtë skulpturë të porositur nga CIA e dinte se kjo do të ishte një ndërmarrje jo e thjeshtë për krenarinë intelektuale dhe egon e shumë kodthyesve. Por, për t’i ndihmuar ata, ai u ka ofruar atyre një “çelës” duke u bërë publike 6 nga 97 germat e frazës së fundit. Në skulpturë ato lexojnë: NYPVRR dhe kur janë dekoduar kuptimi i tyre ishte BERLIN.

Ky zbulim rizgjoi edhe njëherë komunitetin e kodthyesve, pjesa më e madhe e të cilëve nuk e kanë parë kurrë objektin e punës së tyre përballë, por vetëm përmes fotove. Kjo sepse skulptura ndodhet në oborrin e zyrave qendrore të CIA-s në Langley, Virgjinia dhe jo çdokush ka mundësi që të hyjë aty.


Por për momentin, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të thyer kodin, përpjekje që shpesh bëhen me anë të algoritmeve të kompjuterëve, shifra që do të identifikojë të 91 germat e tjera të mbetura ende mister nuk është zbuluar. “Unë nuk kam menduar kurrë që do të duhej kaq shumë kohë për të zbuluar sekretin e skulpturës sime”, ka deklaruar vetë autori i saj, Sanborn. “Unë jam përpjekur që të ngushtoj shumë opsionet me të cilat duhet të punojnë specialistët e zbërthimit të kodeve dhe u kam dhënë atyre ndihmë si një çmim për profesionalizmin dhe këmbënguljen që kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve.

Ka nga ata që i janë afruar shumë zgjidhjes së enigmës dhe këtë e kanë paguar me një punë të jashtëzakonshme që mund të ketë vënë në rrezik karrierën dhe jetën familjare. Kjo e gjitha për shkak të obsesionit të madh që ata kanë që shpesh i kalon limitet e normalitetit”, shprehet autori i skulpturës. Ai ka krijuar edhe një uebsajt të posaçëm për të ndihmuar dhe mbajtur lidhje me të gjithë kodthyesit dhe në të ka marrë një sërë sugjerimesh me vlerë.

Pas daljes së fjalës BERLIN i gjithë komuniteti i kodthyesve zien nga dëshira për ta zbuluar të gjithë skulpturën më në fund dhe mundësitë në rrethanat e reja janë të shumta. Vetë skulptori thotë se pjesën më të vështirë e ruajti qëllimisht për në fund.


Të këtij mendimi janë të gjithë, sepse në radhë të parë kjo frazë e katërt misterioze përmban 97 germa, është relativisht e shkurtër dhe u jep kodthyesve më pak material për të zbuluar modelet e fjalëkalimit. Vetë Sanborn u prezantua me botën e kodeve të fshehta nga Ed Scheidt që ka qenë shefi i kodthyesve të CIA-s.

Çdo kodthyes ka një sistem të tijin për të hartuar dhe thyer kode. Disa përdorin një si sistem shumështresësh për të koduar materialet me gabime të qëllimshme në shqiptimin e fjalëve. Vetë Sanborn nuk ia ka dhënë askujt çelësat e misterit të tij edhe pse disa persona kanë vetëm një pjesë të tyre. Në vitin 1999, Jim Gillogly, një shkencëtar kompjuteri nga Kalifornia ishte i pari kodthyes që njoftoi zgjidhjen e tri pjesëve të para të skulpturës edhe pse më pas CIA njoftoi se edhe një nga analistët e saj e kishte zgjidhur misterin para kalifornianit duke përdorur në fakt një metodë shumë të thjeshtë me laps dhe me letër.


Fraza e parë ishte poetike, e dyta përfshinte pozicionin si kompas të zyrave të CIA-s dhe kishte edhe një referencë për shefin e kodthyesve të asaj kohe, ndërsa fraza e tretë ishte një paragraf nga Howard Carter, një egjiptolog, që kishte zbuluar varrin e Tutankhamunit në vitin 1922. Skulptura kryesore me tërësinë e germave të hedhura mbi panelet e saj të bakërta qëndron përballë një kafeneje në kopshtin e godinës mes ndërtesës së re dhe asaj të vjetër të zyrave.

 Ajo përmban edhe copëza granite me mesazhe të kodit mors që mendohet se janë gjithashtu pjesë e zgjidhjes. Kjo skulpturë që u ka goditur egot shumë mendjeve të ndritura brenda CIA-s është mesazh i asaj që ka ende shumë gjëra të pazbuluara dhe që është shumë vështirë që t’i zbulosh dhe se mendja e një personazhi të vetëm ka aftësinë e ndryshimit të kësaj situate në një moment të vetëm.
shko