e premte, 21 janar 2011

Policia shqiptare:Zbatuam ligjin. Po hetohet për autorët e vrasjes

Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku, deklaroi se "grupe demonstruesish në prani dhe me nxitjen e drejtuesve dhe organizatorëve të demonstratës goditën me gurë e sende të tjera të forta punonjës të policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim
për të garantuar sigurinë publike.

Në vazhdim këto grupe demonstruesish tentuan të hyjnë me dhunë në ambientet e Këshillit të Ministrave, duke përdorur bomba molotov, mjete të tjera zjarrvënëse dhe shpërthyese, gurë etj.


Gjatë gjithë kësaj kohe Policia e Shtetit ka ruajtur gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe ka vepruar me profesionalizëm në zbatim të ligjit duke iu shmangur çdo provokimi të bërë.


Për pasojë janë plagosur 17 (shtatëmbëdhjetë) punonjës policie, të cilët janë dërguar në Spitalin Qendror Ushtarak dhe në Spitalin "Nënë Tereza" për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, si dhe rreth 100 punonjës të tjerë policie janë lënduar.


Janë djegur dhe shkatërruar plotësisht mbi 15 mjete dhe dëmtuar me dhjetëra të tjerë.
Pas largimit nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit" grupe vandalesh kanë vazhduar të shkatërrojnë, vjedhin dhe vandalizojnë objekte të ndryshme.


Në këtë moment në Spitalin Ushtarak kanë mbërritur 2 persona të vdekur dhe një i plagosur rëndë, i cili ndërroi jetë më pas. Policia e Shtetit njofton se drejtues të Prokurorisë së Tiranës dhe ekspertë mjeko-ligjorë kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes dhe autorët e tyre.


Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunës. Garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të siguruar rendin dhe qetësinë publike për qytetarët shqiptarë dhe mbrojtjen e institucioneve dhe shtetit ligjor". Nga ana e policisë nuk u mbajt asnjë përgjegjësi për tre vrasjet e ndodhura.


shko