e premte, 21 janar 2011

Prokuroria shqiptare urdheron nisjen e hetimeve

Me anë të një deklarate për shtyp, Prokuroria shqiptare njofton se është ngritur një grup hetimor i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili është angazhuar me kryerjen e veprimeve të menjëhershme hetimore. 

Kjo e gjithë pas situatës së zhvilluar sot në mjediset para
Kryeministrisë, çka solli si pasojë edhe vdekjen e tre shtetasve.
Ndër të tjera thuhet se një pjesë e grupit hetimor është vendosur në vendin e ngjarjes, në mjediset pranë kryeministrisë, me qëllim kqyrjen e vendit, evidentimin dhe sekuestrimin e çdo prove materiale që gjendet aty. Krahas këtyre veprimeve është kryer marrja e librave të gadishmërisë dhe plani i masave pranë Gardës së Republikës si dhe kamerat e instaluara nga Policia e Shtetit në vendin e ngjarjes.
 
Një pjesë e grupit hetimor është vendosur në Spitalin Ushtarak dhe ka realizuar kqyrjen e viktimave, kqyrjen e veshjeve të viktimave dhe sekuestrimin e tyre me cilësinë e provës materiale, kqyrja dhe pyetja e të gjithë personave të plagosur, qofshin këta civilë apo efektiv të policisë. Ndërkohë janë marrë vendimet për kryerjen e të gjitha ekspertimeve kriminalistike të nevojshme.
 
Pjesa tjetër e grupit hetimor është vendosur në komisariatet e Policisë së Tiranës, për marrjen në pyetje të të gjithë personave të shoqëruar në komisariate nga Policia e Shtetit.
 
Ne vijim te deklarates, Prokuroria Shqiptare garanton se është e impenjuar për një hetim objektiv, të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve të ditës së sotme me qëllim individualizimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjesise ligjore, jashtë ndikimit te çdo faktori politik. 
shko