e diel, 6 mars 2011

Chuck Norris shqiptar: Lek Plepi – VIDEO

Historia Lek Plepi


Lek Plepi është fenomeni që u bë i famshëm për disa javë, vetëm prej një modeli flokësh.
Dikush e pa në Internet, ua tregoi shokëve. U mahnitën me tekstet e tij, dhe e shpërndanë aq shumë mes njëri-tjetrit), saqë për gallatë, u bënë rreth 100 mijë fansa në FB, aq sa nuk ka anëtarë as PD. Kuptohet, për gallatë. A nuk votuam monarkinë para nja 14 vjetësh, po për gallatë? Shyqyr që atëherë dikush me mend, manipuloi votat.
Pa ndonjë formim të qëndrueshëm artistik, pa asnjë background kulturor, i ardhur nga një enklavë gjeografike, me videoklipe amatore pa vlerë të xhiruara në oborrin e vet, me tekste naive këngësh që të bëjnë të qeshësh me të madhe, sikur po sheh komedinë më të bukur të vitit, Lek Plepi, e argëtoi aq shumë popullin e Facebook-ut sa bëri që në disa emisione televizive, ta merrnin për të ftuar, por që dukshëm, nuk donin ta merrnin seriozisht. Është koha për ta marrë shumë seriozisht Lek Plepin.



Muzika Lek Plepi?
E vetmja gjë që Lek Plepi do donte të bënte, është të këndojë për ne. E vetmja gjë që ne nuk duam prej tij, është që të këndojë për ne. Muzika e tij, për të gjithë ata që janë “fansa” të tij në FB, nuk vlen. Për ta, Leka ka vlera të tjera, kryesisht baluket. E megjithatë, Lek Plepi ka siguruar koncertet e veta të para, ku njerëzit, nuk do shkojnë për ta dëgjuar, por për “ta parë”.



Pse, Lek Plepi?
Pse, Lek Plepi e jo një tjetër? Youtube është i mbushur me amatorë që dëshirojnë të çajnë me muzikë, që kanë tekste po aq naive, mos më shumë, që kanë modele akoma më të frikshme flokësh.
Po, sepse janë disa “hollësira fatale”, do e kish quajtur Keko. “Koincidenca fatlume”, më mirë me thënë.
Lek Plepi, u bë mit sepse rastisi të bashkohen në të njëjtin çast disa faktorë: stresi i madh social i akumuluar dhe nevoja për ta shkarkuar këtë stres, nevoja për një figurë të re argëtuese, që duhet nxjerrë shpejt, se nuk ka kohë ta presim sa të dalë nga bankat e shkollës, nevoja për të gjetur një fenomen me të cilin të konfrontojmë vlerat tona.
Dhe, Lek Plepi qëlloi në çastin perfekt.
Naiviteti i zotit Plepi, bashkuar me modelin e flokëve, me naivitetin gazmor të teksteve të tij, me amatorizmin muzikor që ai e përjeton shumë seriozisht, me përhumbjen e tij naive kur del në ekran, me faktin që nuk kupton kodin e kryeqytetit (Çani: – A ke një të dashur me emrin Dorina? Leka: – Jo, nuk e ka Dorina, më duket).
Të tëra këto e bëjnë kandidatin perfekt për atë që publiku i Facebook-ut kishte nevojë.
Ne kishim nevojë, për një njeri me ato tekste, me atë model flokësh, dhe që nuk pranon duet me Robbie Williams, sapo merr vesh që ky, qenka gei.


Lek Plepi si Çak Norris
Ka një fenomen në rrjet, që quhet welovechucknorris.blogspot.com. Pak vjet më parë një grup njerëzish, filluan të shkruajnë për Çak Norris të gjithë gjërat që lexojmë sot për Plepin. Menjëherë u bë superhit në rrjet. “Maradonën e dërgoi zoti në Tokë për të mësuar futboll. Çak Norris, urdhëroi zotin për të dërguar Maradonën”.
Ka pasur disa tendenca më parë për të ndërtuar një version shqiptar të welovechucknorris, por kandidati perfekt nuk kishte ardhur ende.
Pra, ne nuk duam që Lek Plepi të flasë. Ne na argëton vetëm kur ai qesh në ekran kur dikush i lexon bëmat e tij në internet: “Lek Plepi është aq i shpejtë, sa lëpin sqetullën pa prekur qimet”. Dhe Leka vetë, qesh me të madhe, duke na bërë të lumtur.


E Ardhmja e Lek Plepit.
Nëse dikush mendon që Lek Pelpi është gaztori i radhës, e ka shumë gabim. Lek Plepi ka për të mbetur gjatë. Bota njeh shumë raste të tillë. Nëse ne vazhdojmë të pompojmë të tilla raste, nuk do mund t’i shfryjmë më. Sot, ne bëjmë “gallatë” me zotin Plepi. Nesër, kur, Lek Plepi të ketë bërë shumë para falë qejfit ët femrave për të bërë gallatë me flokët e tij, apo qejfit të meshkujve për t’u shkrirë gazit me tekstet e tij, nuk do jemi më ne që do bëjmë gallatë me Lek Plepin. Nesër, ai mund të blejë një stacion radioje e të flasë për VIP-at, mund të zërë kohë TV duke dhënë këshilla për jetën, mund të blejë dhe një kanal muzikor e të luajë tërë ditën këngët e tij, mund të blejë kompozitorët më të mirë, regjisorët më të mirë, dhe anti-artin e vet të na e servirë në një pjatë argjendi, pa na e dhënë mundësinë që t’i themi “jo”. Mund të garojë dhe për deputet, e ta kemi me imunitet.
Shumë hiçe artistike janë ngulitur përjetë në gardhin tonë artistik tashmë, sepse kanë krijuar pavarësinë financiare për të na u imponuar.
Për momentin, mund të duket se është një lodër gazmore në kohë të turbullta. Por, nesër, mund të ndërrojmë vendet. Jo mundet, por sigurisht që po. Lek Plepi do të ketë bërë aq shumë para, sa do mund të na blejë të tërëve, neve, simpatinë tonë, mbështetjen tonë dhe gustot tona.

lek plepi Chuck Norris shqiptar: Lek Plepi   VIDEO
Lek Plepi në FB.

“Fenomeni” Lek Plepi rikonfirmon edhe një herë që FB, që duhej të ishte vetëm një “gadget” për të na argëtuar është një qenie tashmë, që mund të ndryshojë fatet e një njeriu. I vetmi problem me këtë kafshëz në dukje lozonjare që quhet Facebook, është që mund të sillet në mënyrë të pakontrollueshme. Madje, problemi i vërtetë është nëse dikush, do jetë aq i zgjuar sa ta përdorë këtë kafshë për qëllimet e veta (larg qoftë, të zeza).

My name is…

Tërë kjo gallatë në Internet të kujton një batutë të vjetër:
My name is Bond, James Bond.
My name is Off, Fuck Off.



Shifra të jashtëzakonshme popullariteti

Ka mbi 100 mijë shqiptarë fansa në vetëm 2 muaj. Ka më shumë faqe në Facebook se Adi Krasta dhe Ardit Gjebrea mbledhur bashkë në vite dhe ia kalon edhe Çiljeta Xhilagës për numrin e vizitorëve online.


Ardit Gjebrea 
Nëse kërkon në Facebook për këngëtarin, prezantuesin dhe personin Ardit Gjebrea të shfaqen 39 faqe. Vetëm katër faqe janë hapur nga fansat dhe në to gjenden 13.835 njerëz që e pëlqejnë. Faqja më e madhe e Ardit Gjebresë mban emrin e tij dhe ka 13.069 njerëz që e pëlqejnë. Dhe këto shifra, për vite të tërë aktivitet artistik.


Lek Plepi
Personazhi Lek Plepi, rreth 34 vjeç, nga Dukagjini me banim në Shkodër, ka “pushtuar” Facebook-un vetëm në 2 muaj. Nëse kërkon për të, të shfaqen më shumë se 150 faqe. Vetë Lek Plepi nuk ka hapur asnjë faqe, të gjitha janë hapur nga njerëzit e tjerë. Vetëm një nga faqet e Lek Plepit (e titulluar Lek Plepi është Legjendë. Sepse, si thotë ai ashtu bëhet) ka 48.809 njerëz që e pëlqejnë.

Adi Krasta 
Nëse kërkon në Facebook, emri i Adi Krastës shfaqet në 36 faqe të ndryshme. Vetëm njëra prej tyre është faqe që janë anëtarësuar dashamirësit e Krastës. Në total Krasta ka 8228 dashamirës. Faqet e tjera janë individë të ndryshëm që kanë emrin Adi Krasta, apo kanë hapur faqe për të. Nëse kërkon në youtube, emri i Adi Krastës shfaqet në 91 video të ndryshme. Kryesisht janë video nga emisionet e tij, ku personazh kryesor janë të ftuar të ndryshëm.

Çiljeta Xhilaga
Këngëtarja dhe anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Çiljeta Xhilaga ka më shumë se 100 faqe në rrjetin social Facebook. Pothuajse të gjitha faqet janë hapur nga njerëz të ndryshëm dhe kanë fotografinë e Çiljetës. Në total faqet e Çiljetës pëlqehen nga rreth 55 mijë njerëz. Faqja kryesore mban emrin e saj dhe ka 45.077 njerëz që e pëlqejnë. Në youtube emri i Çiljeta Xhilagës shfaqet 875 herë. Kryesisht janë këngë të ndryshme të Çiljetës.

Kujdes, është “ngjitëse”…
Kur i telefonuam nga redaksia një sociologu, bashkëpunëtor i vjetër i Shekullit dhe i folëm rreth idesë për të shkruar mbi Lekën e çuditshëm si fenomen social, ai kërkoi një gjysmë ditë kohë. Dje në drekë, u lidh në telefon me redaktorin përkatës dhe i thotë: “Shkrimi është gati, hidhi një sy në e-mail dhe më thuaj..”
Pas 10 minutash, mes sociologut dhe redaktorit zhvillohet kjo bisedë online:

Redaktori: Shumë bukur, të falënderoj. Isha i bindur që do shkruaje atë që duhej…

Sociologu: Ehh… Epo për Lek Plepin, fjalët rrjedhin vetë
Redaktori: Hahaaa, më duket se nise dhe ti nga batutat
Sociologu: Jo, jo, më shpëtoi pa dashur… Mos harroni ta vini në listën e honorareve.
Redaktori: Pa merak. Për Lek Plepin, bankat kryejnë pagesa pa u derdhur lekë nga kompanitë…

Kaq ishte dialogu. Të dy, si sociologu, si redaktori ranë në “kurthin” e batutave me Lekën. E shihni? Me sa duket, është ngjitëse, kujdes!
Flasin Zyhdi Dervishi dhe Artemisa Shehu
Pro dhe Kundër, dy vështrime

sociologësh për Lekën si dukuri
Ne e quajtëm sot në titullin e Shekullit “Nastradini i ri shqiptar”. Sepse batutat dhe historitë e tij, kanë mbushur rrjetet sociale, dhe tani çdo gjë, edhe ato që Leka nuk i ka parë as në ëndërr, i atribuohen si veprime këtij djali të ardhur nga hiçi. Ka vetëm pak ditë që “qarkullon” dhe në Google mund të gjesh menjëherë rreth 60 mijë rezultate me emrin e tij. Për të mos përmendur fansat në Facebook.

Mund ta quash me shumë zemërgjerësi një “kantautor amator”, por në fakt as ai vetë nuk e di çfarë është. Ti vesh një emër kësaj dalldisje pas tij, prapë është e vështirë. Biseduam me dy sociologë dhe ata kanë këndvështrime të ndryshme mbi Lekën si dukuri sociale.

Për sociologun e njohur Zyhdi Dervishi, fenomene të tilla marrin jetë nga një rrjet që ka të bëjë me arsimimin dhe komunikimin e dobët, rrjet të cilin z.Dervishi e quan “të kufizuar, të thjeshtë dhe vulgar”. Por sociologia Artemisa Shehu sheh diçka tjetër tek kjo dukuri. “Lek Plepi mund të klikohet edhe për guximin që ka, duke kërkuar dhe provuar të konkurrojë me të tjerët”,-thotë znj.Shehu.

Zyhdi Dervishi: Dukuritë si Leka i pjell vegjetimi në boshllëk

Në shoqërinë shqiptare ka një diferencë të madhe nivelesh. Nëse përpara viteve ’90-të ata që shkolloheshin kishin një nivel më të arrirë, tani ka mjaft që po mbarojnë shumë shkolla, dy-tre fakultete njëkohësisht, por niveli kulturor, teorik është shumë i ulët. Kemi shumë shqiptarë me disa diploma e mastera, por që mund të quhen ‘analfabetë me diplomë’. Patjetër që ka përgjegjësi dhe shteti. Një shtet që funksionon normalisht. Por në Shqipëri ka kohë që shteti nuk funksionon. Shteti është shndërruar në një ndërmarrje ‘sh.p.k’ për të mbushur xhepat dhe interesat e nëpunësve, e jo si një mekanizëm në shërbim të qytetarëve. Një shtet demokratik me parametra normalë, as të mira apo shumë të mira, por normalë, ka përgjegjësi të madhe për mirëarsimimin e të rinjve. Por shtet që lejon të abuzohet hapur, që bën sehir në të gjitha nivelet e shkollimit, nuk është shtet.

Ndaj mjaft segmente të shoqërisë shqiptare të ditëve tona vegjetojnë në boshllëk. Nuk kanë objektiva vetjake për të arritur, nuk kanë kërkesa ndaj vetes. Kalojnë kohën në komunikimin elektronik. Dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse përqafohen dukuri si ‘Lek Plepi’.

Artemisa Shehu: Leka klikohet edhe për guximin për të konkurruar
Lek Plepi mund të klikohet edhe për guximin që ka, duke kërkuar dhe provuar të konkurrojë me të tjerët.

Nuk paragjykoj asgjë të tij. As pamjen. Shoqëria sot është heterogjene. Nuk mund t’i ndajmë dot veç ca, e veç ca. Sot janë përzier ngado nëpër Shqipëri banorë të zonave rurale me ato qytetare si një shoqëri në përzierje, tranzicion. Nëse nuk bëhemi homogjenë, është vështirë të ecim me atë lloj hapi që duam.
Fakti që ka gjetur shumë fansa është edhe prej risisë që ai sjell. Nuk ka ndodhur shpesh në mënyrë të tillë, por ja që, sado e rëndomtë qoftë, ndodh. Kërkohet diçka trandy, e çuditshme, e paprovuar më parë, ndaj ky pëlqehet. Rinia sot po largohet nga kultura, tradita, vijimësia.

Këngëtarët për Lekën…
Ai është bërë i famshëm fillimisht nëpërmjet Facebook-ut, por vetëm në pak ditë fama e tij “ka zbritur në tokë”. Ndoshta merita më e madhe në këtë situatë i takon atij që ka shpenzuar fillimisht kohë dhe ka krijuar faqe online për Lekën, ndoshta pas “njeriut të famshëm” fshihet një dorë që e bëri të tillë. Sidoqoftë, sot jemi në një dalldi të vërtetë online, siç tregojnë shifrat e Facebook-ut, por jo vetëm. Ata që e përdorin rrjetin social me siguri i ka dal qoftë edhe një herë të vetme emri i Lek Plepit përballë. Ne kemi pyetur edhe disa këngëtarë për Lekën. Shumica prej tyre nuk kanë dashur të komentojnë, ndërsa emrat që po ju paraqesim më poshtë kanë ndarë me ne mendimet e tyre për djalin e çuditshëm që mbrëmë ka arritur kulmin e vet i ftuar në një nga lokalet e natës më në zë të Tiranës, Venue Club.

Orgesa Zaimi
“T’ju them të drejtën nuk e di ca është. Veçse më kanë mbyt me linke të këtij njeriu, por s’di ca të them. Fama dhe popullariteti i tij është diçka që mua më ka bërë padiskutim përshtypje. Mendoj se gjërat e çuditshme, të ndryshme, gjithmonë ju bëjnë përshtypje shqiptareve. Unë mendoj se ashtu siç po e ngrenë këtë personazh ashtu do e rrëzojnë. Nuk parashikoj datë apo kohë, por di të them që “çudia më e madhe këtu te ne tre ditë zgjat”.

Beatrix Ramosaj
“Çdo njeri ka vendin e vetë në këtë botë. Është publiku ai që bën selektimin. Lek Plepi është kthyer tanimë në një legjende virtuale. Për sa kohë ky është fakt, tregon se në personalitetin e këtij djali ka diçka të veçantë. Se çfarë është kjo e veçantë nuk mund ta them, ndoshta duhen pyetur përdoruesit e Facebook-ut ose vetë Lek Plepi…”

Devis Xehrahu
“Unë sot erdha në Shqipëri dhe po sot dëgjova për herë të parë bëmat e këtij humoristi. Më vjen për të qeshur tani që po flas, sepse më folën disa miqtë e mi për të dhe nga sa kuptova ai qenka tip i lezeçëm. Mesa duket di të jetë vetvetja, domethënë humorist. Por, për më shumë do ta dëgjojë sonte tek Venue ku këndoj edhe vetë dhe mund të them më tepër pasi ta takoj”./shm


shko