e martë, 8 mars 2011

Ja cilat janë 8 femrat që drejtojnë sot Shqipërinë

Shprehja “nëse do që diçka të bëhet mirë, jepja ta bëjë një femër”, i korrespondon më së miri kupolës femërore që po qeveris Shqipërinë. Jo vetëm që në krye të shtetit shqiptar ka femra që dinë të qeverisin, por për
më tepër ato kanë treguar që dinë të jenë kurajoze dhe ndoshta të mbizotërojnë edhe mbi gjininë mashkullore.


Reagimi rebel i Kryeprokurores Ina Rama, në Komisionin e ligjeve ndaj kërkesë së deputetëve demokratë për dëshminë e saj, është rasti më i freskët që tregon se ajo grua është fortë dhe guximshme. 


Masat ndëshkuese të Kryeparlamentares Jozefina Topalli ndaj deputetëve që i drejton për më shumë se pesë vite, tregojnë sërish se edhe legjislativi ka një dorë të hekurt në krye. Në ditën e 8 marsit, që është dita që simbolizon luftën e grave për të drejtat dhe liritë e tyre, gazeta boton emrat e tetë grave më të fuqishme që drejtojnë Shqipërinë. 

Femrat pushtetare
Tetë është numri i pushtetareve më të rëndësishme në Shqipëri. Po e fillojmë nga Kryeprokurorja Ina Rama dhe për tu ndalur më tej tek të tjerat. Ina Rama drejton institucionin më delikat të vendit që ka për detyrë vetëm të akuzojë dhe të hetojë. Ndodhet në mënyrë konstante nën presionin e politikës dhe deri tani ka përballuar proceset më të vështira të këtij dhjetëvjeçari të fundit, duke kaluar parashikimet e klasës politike dhe duke ecur përtej imazhit të parë që të ofron pamja e saj. 



Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli është një ndër femrat më të rrepta, që ka përballuar mjaft grindje në Parlament dhe ka treguar se di ti qetësojë ujërat. Ka pasur edhe shpërthime nga ana e saj, të cila nuk kanë qenë surprizuese për deputetët, pasi nuk janë të rralla. Megjithatë Topalli ka ditur të bëjë edhe një lobing të fortë me ndërkombëtarët për liberalizmin e viza dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Po ashtu, edhe Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, konsiderohet si një “dorë e hekurt” në sistemin gjyqësor. Asaj i duhet të menaxhojë edhe procese të tjera të rëndësishme si ai i Gërdecit. 


Gjithashtu ndodhet në mesin e një reformimi të shpallur në tërë sistemin gjyqësor shqiptar. Deputetja socialiste, Arta Dade, njihet si grua e fortë dhe mjaft kurajoze. Dade është një ndër figurat më të rëndësishme në Partinë Socialiste dhe aktualisht mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS. Megjithëse e re në moshë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka mundur të fitojë besimin që i dha kryeministri Sali Berisha. Ndodhet edhe për një mandat tjetër në krye të Ministrisë së Integrimit dhe ka bërë një punë të paqme për proceset integruese të vendit. 


Monika Kryemadhi njihet se femër rebele dhe mjaft e shkathët. Pas kandidaturës për deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës, Monika Kryemadhi është bërë pjesë e strukturave organizative të kësaj force. Vasilika Hysi ka qenë e para në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, duke sfiduar në këtë mënyrë vetë kreun e mazhoranës, Sali Berisha. 


Edhe pse e re në fushën e politikës, kreu socialist Edi Rama i ka besuar asaj postin e nënkryetares së Grupit të PS-së. Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, është e vjetër në politikë dhe me një begraund mjaft të pasur. Tashmë ajo mban postin e kryetares së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Mandatin e kaluar, Leskaj ka qenë kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së.

Ina Rama
Prokurore e Përgjithshme
Vjeç: 39

Është kryeprokurorja më e re të cilës i ka rënë mbi supe procese të rëndësishme për ti menaxhuar. Drejton institucionin më delikat të vendit që ka për detyrë vetëm të akuzojë. Ndodhet në mënyrë konstante nën presionin e politikës dhe deri tani ka përballuar proceset më të vështira të këtij dhjetëvjeçarit të fundit. Humbi dy betejat me gjykatën ndaj dy ministrave të qeverisë “Berisha”. 



Lulzim Bashës, për abuzimet me rrugën Durrës-Kukës dhe Fatmir Mediut për përgjegjësinë mbi tragjedinë e Gërdecit. Megjithatë kjo nuk e ka disinkurajuar dhe aktualisht ka ndërmarrë një fushatë kundër korrupsionit në këtë institucion. Ka krijuar marrëdhënie të mira me homologët evropianë dhe është e besuara e ambasadës amerikane në Shqipëri. Shpeshherë krah saj ndodhet ambasadori Arvizu. Njihet si një grua që nuk pranon kompromise.

Jozefina Topalli
Kryetare e Kuvendit
Vjeç:47

Kryetare e Kuvendit për të dytën herë, por drejton një Parlament të cilësuar si “jofunksional”. Është një nga besniket e kryeministrit Berisha dhe udhëton në të njëjtën gjatësi valësh me këtë të fundit. Ka influencë në Parlamentin shqiptar si gjatë mandatit të kaluar dhe këtë aktual. 



Në mjaft raste ka debatuar me opozitën dhe në rastin e deputetit socialist Taulant Balla nxiti truprojat ta nxirrnin përjashta me frazën e famshme në dialekt “Nxirreni prej zhelesh këtë”. Megjithatë në mandatin e kaluar nuk është kufizuar vetëm me aktivitetin e një Kryeparlamentareje por nisi edhe një tur intensiv diplomatik për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE.

Shpresa Beçaj
Kryetare e Gjykatës së Lartë
Vjeç: 59 vjeç

Muaj më parë kur sapo ishte zgjedhur në krye të Gjykatës së Lartë nga Presidenti Bamir Topi, Shpresa Beçaj ka hapur një debat, i cili e ka origjinën e tij nga bojkoti parlamentar i opozitës socialiste dhe zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo i ka kërkuar politikës që të gjejë një gjuhë të përbashkët për ta kaluar sa më shpejt emërimet e anëtarëve të rinj. 



Ndërkohë që kjo e fundit i ka kërkuar që ta kalojë këtë proces pa nevojën e kartonëve jeshil. Por në të njëjtën kohë asaj i duhet të menaxhojë edhe procese të tjera të rëndësishme si ai i Gërdecit. Gjithashtu ndodhet në mesin e një reformimi të shpallur në tërë sistemin gjyqësor shqiptar.

Arta Dade
Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS
Vjeç: 58

Njihet si grua e fortë dhe mjaft kurajoze. Nga ato femra që fjala i peshon shumë. Arta Dade është një ndër figurat më të rëndësishme në Partinë Socialiste dhe aktualisht mban postin e Sekretares për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, dhe deputete e kësaj force. Dade është bashkëpunëtore e ngushtë e kryesocialistit Edi Rama dhe ngre zërin për gjithçka që i duket e padrejtë. 



Deputetja socialiste ka dhënë mbështetje edhe në proceset ndërkombëtare, gjithashtu ka dhënë mendime e këshilla për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Ajo është deputete prej disa mandatesh dhe ka treguar se ka ditur të përballojë mjaft situata, edhe në kohën kur ka qenë ministre Kulture.

Majlinda Bregu
Ministre e Integrimit, deputete e PD-së
Vjeç: 37

Megjithëse e re në moshë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka mundur të fitojë besimin që i dha kryeministri Sali Berisha. Ndodhet edhe për një mandat tjetër në krye të Ministrisë së Integrimit dhe ka bërë një punë të paqme për proceset integruese të vendit. 



Bregu ka mobilizuar gjithë administratën dhe e ka vënë në punë që të plotësojë të gjitha pyetjet e pyetësorit të KE-së. U ka qëndruar në gatishmëri vizitave diplomatike dhe ka lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por nuk mund të lihet pa përmendur edhe fushata e ndërmarrë për liberalizmin e vizave dhe premtimi i dhënë që prej shumë kohësh nga ministrja Bregu.

Monika Kryemadhi
Sekretare organizative e LSI-së,
drejtuese e LSI-së për Tiranën
Vjeç: 37

Njihet se femër rebele dhe mjaft e shkathët. Pas kandidaturës për deputete të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës, Monika Kryemadhi është bërë pjesë e strukturave organizative të kësaj force. E kemi parë shpesh të bëjë fushatë për LSI-në, duke e mbështetur atë si forcë dhe po ashtu bashkëshortin e saj si drejtues të LSI-së. 



Po ashtu, Kryemadhi ka qenë mjaft aktive edhe gjatë grevës së urisë të përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në prill të vitit të kaluar kur u bënë ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë. Monika Kryemadhi është dhe drejtuese e LSI-së për Tiranën dhe do të ketë mjaft punë për menaxhimin e zgjedhjeve lokale të 2011-ës në Tiranë.

Vasilika Hysi
Deputete e PS-së dhe nënkryetare e grupit të PS-së
Vjeç: 51

Vasilika Hysi është një emër i ri në politikën shqiptare që u bë i njohur në zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Megjithëse është për herë të parë në Parlamentin shqiptar, Hysi nuk është shmangur nga zhvillimet e politikës, por është treguar mjaft aktive dhe e disponueshme.



Vasilika Hysi ka qenë e para në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, duke sfiduar në këtë mënyrë vetë kreun e mazhoranës, Sali Berisha. Edhe pse e re në fushën e politikës, kreu socialist Edi Rama i ka besuar asaj postin e nënkryetares së Grupit të PS-së. Edhe në udhëtimin drejt Strasburgut, tek restorant “Krokodili” Rama ishte i shoqëruar nga deputetja Vasilika Hysi.

Valentina Leskaj
Deputete e PS-së dhe nënkryetare e Grupit Parlamentar të PS
Vjeç: 53

Është e vjetër në politikë dhe me një begraund mjaft të pasur. Tashmë ajo mban postin e kryetares së Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Mandatin e kaluar, Leskaj ka qenë kryetare e Grupit Parlamentar të PS-së. 



Njihet si bashkëpunëtore e kreut socialist, Edi Rama dhe shpeshherë përfaqëson grupin socialist në fjalën e saj në poltronin e Kuvendit. Edhe me kreun e mëparshëm të Partisë Socialiste, Fatos Nanon, Leskaj ka patur marrëdhënie mjaft të mira. Në vitin 2003, Leskaj ka qenë ministre e Punës dhe e Çështjeve Sociale. Gjithashtu, ajo njihet si femër më mjaft autoritet brenda Grupit të PS-së.
shko