e premte, 4 mars 2011

Kamerat filmuan vrasjen e Emmy-t, këngëtarja është tërhequr 100 metra zvarrë me makinë


Policia dhe grupi i hetimit kanë sekuestruar  imazhet e marra nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja. Pamjet që janë regjistruar natën e së shtunës duke gdhirë dita e diel, konsiderohen si një provë e rëndësishme për ngjarjen. Imazhet përputhen edhe me
deklarimet që ka dhënë në polici një prej rojeve të parkingut, i cili ka parë gjithçka që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 27 shkurt.
Burime nga grupi hetimor thanë se ngjarja është e regjistruar, që nga momenti kur Aziz Kelmendi ka dalë nga “Venue”, bashkë me të dashurën e tij të re, 24-vjeçaren Persida I. Kamerat kanë fiksuar momentin kur ai ka hipur në makinë dhe brenda pak sekondash pas tij ka dalë edhe Emmy. Ajo është afruar tek makina e tij dhe nga imazhet duket se ka tentuar të flasë me drejtuesin e mjetit. Rrezja e pamjeve që ka fokusuar kamera, nuk ka shkuar deri tek vendi ku ka ndodhur përplasja, por për disa metra janë regjistruar manovrimet me makinë dhe trupi i këngëtares që ishte i varur tek dera e shoferit.

SI NDODHI VRASJA
Në bazë të pamjeve filmike, dëshmisë së rojës së parkingut, gjurmëve që kanë lënë gomat e makinës tip “Tuareg” në asfalt, frenimi dhe vendi ku është gjetur e plagosur rëndë Emmy, grupi hetimor ka rindërtuar skenën e vrasjes së Emmy-t. Nga lokali “Venue”, ku të shtunën në mbrëmje këndonte këngëtarja Dafina Zeqiri, fillimisht ka dalë biznesmeni Aziz Kelmendi, i shoqëruar nga e dashura e tij, Persida I. Ata kanë hipur menjëherë në makinën tip “Tuareg”, me targë 612 KS 188, në pronësi të 47- vjeçarit Kelmendi.
Disa sekonda pas tyre, nga lokali ka dalë edhe këngëtarja Elsina Hidersha, e cila është drejtuar menjëherë tek makina e biznesmenit, duke tentuar të hapë derën, në anën e majtë të makinës, krahu i shoferit. Në këtë moment, Kelmendi ka mbyllur siguresat e të gjitha dyerve të makinës, në mënyrë që ajo të mos hipte. Pasi ka mbyllur dyert, ka hapur vetëm disa centimetra xhamin e derës së drejtuesit të mjetit. Në këtë moment, Emmy është kapur tek xhami i makinës me të dyja duart. 
Kelmendi ka mbyllur xhamin e derës duke i zënë gishtat dhe në këtë mënyrë Emmy nuk ka lëvizur dot. Më pas, i ka dhënë gaz makinës dhe ka lëvizur me shpejtësi nga “Venue”, në drejtim të kryqëzimit të “Varrit të Bamit”. Roja i parkingut ka deklaruar se përreth 100 metra këngëtarja është tërhequr zvarrë me makinë. Sipas tij, drejtuesi i mjetit ka ecur me shpejtësi dhe gjatë rrugës ka manovruar disa herë, në mënyrë që këngëtarja të shkëputej nga makina. 
Ajo ka rënë vetëm në momentin e frenimit dhe pasi trupi është shkëputur nga makina, goma e pasme e mjetit i ka kaluar sipër këmbës. Ky fakt vërtetohet edhe nga raporti mjeko-ligjor. Pas këtij momenti, Kelmendi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe mësohet se ka dërguar të dashurën e tij në hotel, për t’u rikthyer sërish aty, ku sipas tij ndodhi aksidenti dhe ka lajmëruar policinë.
Vëllai i Emmy-t:  Ajo e pështyu në fytyrë, Kelmendi e kërcënoi
Ai i jepte asaj mbështetje dhe siguri gjatë karrierës artistike, por është ndodhur në Greqi në kohën kur ndodhi vrasja. Dhjetëra arsye e shtynë vëllain e Elsina Hidershës që të shkonte dje tek vendi i ngjarjes, në afërsi të “Profarmës”, në Tiranë, aty ku motra e tij u plagos rëndë me dëmtime që më pas i sollën vdekjen. Deri dje, në orën 15:00 në vendin e ngjarjes vazhdonte të ishte e parkuar makina e këngëtares Emmy, një “Opel Corsa”, me ngjyrë gri. 
Çelësat e makinës u zhdukën bashkë me celularët që ndodheshin në çantën e Emmy-t dhe që nuk u gjet asnjëherë, as nga policia dhe as nga familjarët e saj. Andon Hidershën e takuam pranë makinës së Emmy-t, duke qëndruar në këmbë përballë vendit ku motra e tij u përplas për vdekje nga makina e biznesmenit kosovar, Aziz Kelmendi. Edhe pse aty kishte hedhur sheqer, karamele dhe petale lulesh, ende dukeshin njollat e gjakut të 22-vjeçares.

VELLAI I KENGETARES
“Erdha të marr makinën e Emmy-t, sepse çelësat u zhdukën bashkë me celularët dhe çantën. Por doja të shihja nga afër gjithçka, sepse fatkeqësisht nuk ndodhesha këtu kur ndodhi ngjarja”, tregoi vëllai i Emmy-t. Pa fjalë të shumta, në fytyrë ai shpreh qartë dhimbjen që ndjen nga brenda për ngjarjen tragjike. Në kohën që priste të vinte karroatreci të merrte makinën, Andoni kishte shkelur me këmbë çdo centimetër, nga lokali “Venue” ku ndodhej Emmy mbrëmjen e së shtunës, e deri tek vendi ku ajo u përplas me makinën e Kelmendit. 
Nga ana tjetër, arsyeja më e fortë që e kishte çuar Andonin deri aty ishin dëshmitarët. I bindur se dikush duhet të ketë parë se çfarë ka ndodhur atë natë, vëllai i këngëtares ka trokitur derë më derë, duke kërkuar me doemos të fliste me dikë që kishte parë ngjarjen. “Duke qëndruar këtu, mësova se disa persona e kanë parë se çfarë ka ndodhur. Trokita në disa dyer, por askush nuk m’u përgjigj”, u shpreh Andoni duke drejtuar gishtin në një prej banesave pranë vendit të ngjarjes. 
Ai nuk është ende në gjendje për të ndërtuar në mendjen e tij një variant, a një motiv se përse mund të ketë ndodhur e gjitha kjo, por gjithçka e lidh me disa kërcënime që kishin nisur që në Kosovë.

KERCENIMET
Vëllai i këngëtares Elsina Hidersha, tregon se motra e tij është kërcënuar me vdekje nga biznesmeni Aziz Kelmendi për dhjetë ditë me radhë, derisa ai i la kërcënimet dhe bëri realitet vdekjen e saj. Andon Hidersha nuk ishte në dijeni të këtyre kërcënimeve, por pasi ishte kthyer nga Greqia, i kishte treguar i ati. “Di që motra ime i ka pështyrë në fytyrë Aziz Kelmendit, herën e fundit që ishte në Kosovë për një koncert. Siç duket, për këtë arsye ai ka nisur ta kërcënojë, sepse nuk e ka duruar dot atë që ajo i bëri”, tregoi dje e vëllai i Emmy-t. Gjithashtu u shpreh se shtetasi kosovar, Aziz Kelmendi, i dërgonte Elsinës çdo ditë mesazhe kërcënuese në telefon. Vëllai i këngëtares tregon se këtë fakt e ka mësuar nga babai, Ali Hidersha, të cilit Emmy ia kishte rrëfyer vetë si shqetësim para se të ndodhte ngjarja tragjike.
Kelmendi dhe Emmy shkëmbyen sms gjatë mbrëmjes në lokal
Aziz Kelmendi me të dashurën e tij dhe Emmy me mikeshën e saj, një këngëtare nga Kosova, janë ndodhur në të njëjtin lokal të shtunën në mbrëmje, deri rreth orës 01:30 të së dielës, kur vendosën të dalin. Gjatë gjithë kohës që ata kanë qëndruar aty, Kelmendi dhe Emmy mësohet se kanë shkëmbyer mesazhe telefonike me njëri-tjetrin. Burime nga policia e konfirmuan këtë fakt pas këqyrjes së celularit që i është sekuestruar biznesmenit nga Mitrovica, menjëherë pas arrestimit. 
Të vënë në dijeni për praninë e njëri-tjetrit në të njëjtin lokal, me sa duket dy personat kanë pasur komunikim në distancë me anë të celularëve. Në telefon është gjetur edhe informacioni mbi një telefonatë që Emmy i ka bërë Kelmendit rreth orës 01:30, pasi ai kishte dalë nga lokali. I pyetur rreth bisedës që është bërë gjatë kësaj telefonate, Kelmendi ka deklaruar që Emmy e telefonoi duke i thënë ta priste jashtë lokalit, sepse donte ta takonte. 
Menjëherë pas kësaj telefonate ajo ka dalë jashtë, fakt që e konfirmon edhe këngëtarja V.B., dëshmitare e ngjarjes, e cila ka dhënë deklarime në polici. Ajo thotë se Emmy ka dalë nga lokali dhe është drejtuar për tek makina e Kelmendit, ku ai ndodhej bashkë me të dashurën e tij. Këtë moment, biznesmeni e ka përdorur si pjesë të alibisë së tij, duke pretenduar se Emmy kishte shkuar tek dera e pasagjerit për të sulmuar të dashurën e tij që ndodhej në makinë. Sipas tij, për këtë arsye ai është detyruar të largohet me shpejtësi, duke vënë në lëvizje automjetin, me të cilin u krye edhe aksidenti.
Dëshmitarja kryesore, e dashura e biznesmenit
TIRANE – Dëshmitarja kryesore e grupit hetimor që po merret me zbardhjen e vdekjes së këngëtares, është e dashura e biznesmenit Aziz Kelmendi, vajza që ndodhej me 47-vjeçarin natën kur ndodhi ngjarja, e cila ka qenë në sediljen e parë të makinës. Burime nga policia thanë se ajo është 24-vjeçarja Persida I., nga Përmeti dhe banuese në Tiranë. Vajza ka qenë gjatë gjithë të shtunës me Kelmendin, brenda tek “Venue”. Më pas ka dalë me të, ka hipur në makinë dhe ndodhej aty kur Emmy shkoi për të biseduar me ta. 
Ajo ka parë gjithçka dhe për këtë arsye menjëherë pas ngjarjes është thirrur për të dëshmuar në polici. Burimet nga hetimi sqaruan se Persida rrëfen për një ngjarje aksidentale, por deklaron se në një moment, kur ka parë që Emmy vazhdonte të ishte e varur tek xhami, edhe pse makina ishte në ecje, i ka kërkuar Kelmendit që të ndalonte, sepse po e vriste. “I thashë ndalo, se po e vret kështu siç po ecën ti. Por ai tha që nuk po ecte shpejt dhe nuk do i ndodhte asgjë…”, mësohet të ketë deklaruar në polici 24-vjeçarja. 
Më pas, ajo ka treguar se Kelmendi e ka dërguar në një hotel që të qetësohet, sepse do të rikthehej aty ku u “aksidentua” Emmy dhe do të lajmëronte policinë. Mësohet se dëshmitarja është paraqitur vetë në polici, pasi ka biseduar me Aziz Kelmendin në telefon dhe ka marrë një taksi për të shkuar deri atje./vi
shko