Nga Ministria e Financave është thënë se të enjten pritet që si rend i parë i ditës të miratohet nga deputetët zgjatja e afatit për shfrytëzimin e financave të shtetit edhe për muajin mars, sikurse janë shfrytëzuar edhe në shkurt dhe janar.
“Të enjten, pritet që propozimi i Qeverisë të miratohet në Kuvend. Deri më datën 3 mars, të gjitha financat e shtetit mbeten të bllokuara”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës i Ministrisë së Financave.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, të martën, ka thënë se deri në fund të muajit mars, eventualisht në ditët e para të prillit, pritet të miratohet buxheti për komplet vitin fiskal. Ai nuk ka dhënë detaje se a do të kalojë në Kuvend propozimi për zhbllokimin e financave për muajin mars.
Opozita nuk do ta bllokojë, por do ta përkrahë vendimin e Qeverisë pasi të jetë shtjelluar ai në hollësi nga deputetët.
Arben Gashi, deputet nga radhët e LDK-së, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie do të kërkojë debat rreth miratimit të propozimit të Qeverisë për financat e marsit.
“Besoj se do të kalojë, sepse është obligative, mirëpo do të ketë debat rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Gashi. Ai ka theksuar se LDK-ja do ta shqyrtojë në detaje para miratimit dokumentin e buxhetit të këtij viti. “Aty ka punë”, ka thënë Gashi, duke iu referuar miratimit të buxhetit.
Ligji i mbikëqyrjes së financave publike parasheh se në dy muajt e parë të secilit vit fiskal, në mungesë të miratimit të Ligjit mbi buxhetin, mund të ndahet një e dymbëdhjeta pjesë e buxhetit të vitit paraprak të ndarë në dy muajt e para me automatizëm.
Ndërkohë, sipas Ligjit, në muajin mars nuk lejohet të bëhet asnjë pagesë nga arka e shtetit nëse paraprakisht nuk merret një vendim i veçantë në Kuvendin e Kosovës.
“Vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar
fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal”, thuhet në pikën 2 të nenit 24 të Ligjit për mbikëqyrjen e financave publike.
Sipas Ligjit, nëse zgjatja e përcaktuar në një vendim të Kuvendit ka skaduar dhe Ligji i ri për ndarjet buxhetore ende nuk është miratuar, atëherë, asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.
Sipas Ligjit për mbikëqyrjen e financave publike, projektimi dhe miratimi i buxhetit në Kuvendin e Kosovës nuk guxon të kalojë muajin mars. Të gjitha ndryshimet në buxhet, Qeveria e sapoformuar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar detyrohet t’i bëjë gjatë muajit mars, ndërsa më pas në procedurë të përshpejtuar ta dërgojë draftin për miratim në Kuvend.
Deputetët e Kosovës për ta nxjerrë vendin nga kriza fiskale, bazuar në Ligjin për mbikëqyrjen e financave publike, duhet që të aprovojnë propozimin e Qeverisë, të nxjerrë të mërkurën e kaluar, për lejimin e bërjes së pagesave dhe zhbllokimin e fondeve publike deri më datë 30 mars. Po qe se Kuvendi nuk arrin ta miratojë buxhetin brenda muajit mars, vendin e pret një krizë e thellë financiare, duke u bllokuar çdo qarkullim financiar./kn