e premte, 4 mars 2011

Presidenti Pacolli ta bëjë publike pasurinë

Vitin e kaluar z. Behgjet Pacolli kishte kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) që të mos e bëjë publike pasurinë e tij. Një veprim i tillë nga vetë AKK-ja dhe z. Pacolli përbën
shkelje të ligjit për prejardhjen, kontrollin dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, i cili nuk e parasheh mbajtjen fshehtë të pasurisë mbi bazë të kërkesës së një zyrtari. Një veprim i tillë i z. Pacolli ngre pikëpyetje në përkushtimin e tij për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar – që janë problemet
kryesore të vendit.  
Lëvizja FOL kërkon nga Presidenti Pacolli që të kërkojë nga Agjencia Kundër Korrupsion të bëjë publike pasurinë e tij.
Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha se në përputhje me nenin 15, pika 1 e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, FOL kërkon nga Presidenti i vendit të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën sa më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit.  Ndërkaq AKK-ja në përputhje me nenin 14 të verifikojë pasurinë e kryetarit Pacolli në përputhje me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit si dhe Ligjin për Presidentin.
“Legjislacioni aktual nuk u lejon zyrtarëve publikë të  menaxhojnë aksione më shumë  se 20%  të vlerës në një kompani, si dhe të bartin këto aksione tek persona të afërt me z. Pacolli sipas nenit 6 të Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit”, tha Ilazi.
Në rastin e Presidentit të vendit, z. Pacolli, konsiderojmë se është joetike që ai të ketë interesa ekonomike përderisa ushtron funksionin më të lartë në vend. Prandaj, është ne interesin publik që z. Pacolli të sqarojë raportin që ka me bizneset e tij brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo do t’i ndihmojë në funksionimin e këtij institucioni, si dhe do të krijojë një standard të mirë për zyrtarët e lartë publik.
shko