e mërkurë, 9 mars 2011

Sot raundi i dytë i bisedimeve Serbi-Kosovë

Nga Brukseli njoftohet se tashmë ka filluar raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Siç
pritet bisedimet e sotshme do të zgjasin deri në orët e pasditës. 
Bashkëbiseduesit, Edita Tahiri me ekipin shoqërues të Republikës së Kosovës, dhe Borko Stefanoviq me atë Republikës së Serbisë, është paralajmëruar të kenë në tavolinë për diskutim çështjet e transportit ajror, telekomunikacionin dhe vulat e doganave. 

Pas këtij raundi bisedimesh përfaqësuesja e lartë e BE për Politikë të Jahtme dhe Siguri, Catherine Ashton, pritet të dalë me një komunikatë, kurse përfaqësuesit e Kosovës e të Serbisë do t’u drejtohen gazetarëve.
Raundi i dytë i bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës, i filluar mbrëmë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, do të zhvillohet sot në zyrën e konsulorit në Këshillin e BE-së, Robert Cooper, i cili do të kryesojë këto takime. 
Kryesuesja e delegacionit të Kosovës, në këto bisedime, Edita Tahiri, mbrëmë, pas takimit të parë u shpreh se procesi i dialogut do ta përforcojë agjendën evropiane, si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë. Zonja Tahiri tha se kreativieti mund t’u ndihmojë të dyja palëve për të përmirësuar jetën e njerëzve , por edhe për çuarjen përpara të agjendës evropiane të të dyja shteteve. 

Ndërkaq, kryesuesi i delegacionit të Serbisë, Borisllav Stefanoviq, në një takim me gazetarë tha se temat e para që po diskutohen janë qarkullimi ajror, problemi i doganave dhe disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me kadastrat. 
Bashkimi Evropian edhe një herë ka përsëritur se pret që të dyja palët do të jenë konstruktive në këtë dialog dhe se zgjidhja e problemeve në mënyrë graduale do ta avancojë edhe dialogun. Sipas zyrtarëve të BE-së, pritet që në përgjithësi në dialog të shtrohen rreth 20 tema që duhet të zgjidhen.

Merret vesh se në takimin e parë u bisedua për librat e amzës dhe për kadastrat, kurse sot do të bisedohet edhe për doganat, për hapësirën ajrore si dhe për CEFTA-n. 

Në BE kanë pohuar se “në raste të nevojës dhe domosdoshmërisë” do të ftohen edhe përfaqësues të organizatave dhe vendeve të tjera për të marrë pjesë në dialog, janë disa çështje ku prania e tyre duket e domosdoshme. Kështu, kur është fjala për trafikun ajror, edhe nëse bëhet ndonjë marrëveshje me lehtësimin e BE-së, fjalën e fundit duhet ta ketë NATO-ja. Disa diplomatë të vendeve të BE-së dhe të NATO-s kanë rikujtuar se përgjegjëse për hapësirën ajrore mbi Kosovë është Aleanca e NATO-s. 
Nëse Serbia vendos të heqë bllokadën tashmë 12-vejeçare për shfrytëzimin e hapësirës së saj ajrore për avionët që kanë destinacion Aeroportin e Prishtinës, atëherë doemos këtë duhet ta pranojë dhe zbatojë dhe KFOR-i. Pos se nuk mund të fluturojnë mbi Serbinë avionët civilë që vijnë apo fluturojnë nga Prishtina kanë vetëm një korridor ajror për hyrje – dalje nga Kosova, atë në drejtim të Maqedonisë. 
Nëse bëhet ndonjë marrëveshje, atëherë NATO-ja duhet të hapë edhe korridore të reja ajrore për hyrje-dalje në Kosovë dhe duhet të vendosur edhe për mundësinë e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Kosovës për fluturime ndërkombëtare civile. Pritet që të ketë tema, në të cilat edhe UNMIK-u do të ftohet të marrë pjesë./kn
shko