Komandanti në detyrë në Stacionin Policor të Podujevës, Naim Latifi, ka thënë se rreth orës 17:25 kanë marrë një informacion se në rrugën “Llapi”, gjendet një femër e varur.
“Njësitet policore kanë dalë në terren dhe kanë gjetur viktimën femër të varur në një pemë në oborrin e një shtëpie të pabanuar. Sipas informacioneve që i kemi, viktima e cila është nga fshati Sfeçël, nuk ka asnjë lidhje me vendin ku është gjetur e varur”, ka thënë ushtruesi i detyrës së komandantit në këtë stacion. Naim Latifi thotë se sipas dyshimeve të para, motivet që e kanë shtyrë këtë vajzë të vetëvaret janë personale.
Vdekjen e Eljeses e ka konstatuar mjeku kujdestar nga Qendra Emergjente në Podujevë, ndërsa është dërguar në Mjekësinë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, gjatë ditës së martë, në gjimnazin “Aleksandër Xhuvani” nuk është mbajtur mësimi.
Drejtori Naim Salihu ka thënë se pasi vajza ka qenë maturante e kësaj shkolle dhe duke mos pasur atmosferë për të mbajtur mësim, nuk kanë zhvilluar mësim fare.
Sipas tij, nxënësja ka qenë e sjellshme, e urtë dhe me sukses mesatar.
Ndërsa, bashkëfshatarë të Eljeses thonë se ajo ka qenë edhe e fejuar në një fshat të Podujevës./kn