e martë, 19 prill 2011

FMN kërcënon Qeverinë e Kosovës

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërcënuar sërish Qeverinë e Kosovës rreth buxhetit që ka miratuar javë më parë, bën të ditur Radio Kosova.
Burime të kësaj Radioje kanë shpjeguar se zyrtarët e FMN-së i kanë përsëritur Qeverisë së vendit se mënyra se si kanë bërë buxhetin mund ta çojë vendin në kolaps financiar.

Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar vazhdojnë të mos pajtohen me skemën buxhetore, tashmë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ata nuk po rreshtin t’ua përsërisin zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se nuk do të mund të kenë kurrë pajtimin e Fondit Monetar me këtë skemë buxhetore.

Sipas burimeve brenda FMN-së të vetmin gjë që është pajtuar të bëjë Qeveria deri me tani është ulja e nivelit të rritjes së pagave prej 50 për qind, që kishte premtuar në fillim. 

Përveç vendimit për uljen e pagave për 10 për qind qeveria deri më tani nuk ka bërë kompromise të tjera.

Ndërkohë që FMN vazhdon të jetë besnike e sugjerimit të bërë paraprakisht se marrëveshje do të ketë vetëm nëse Qeveria i përmbahet një buxheti kredibël dhe me rritje pagash deri në 20 për qind. 

Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë nuk kanë pranuar të flasin rreth kësaj çështje. Përgjigje rreth kësaj nuk ka qenë e mundur të merret as nga Zyra për Media e Ministrisë së Financave dhe as nga ministri Bedri Hamza dhe asistentja e tij që ndodhen në SHBA, pohon RK.
shko