e mërkurë, 13 prill 2011

Legjenda Solskjaer e quan Berishën diamant të Norvegjisë

Legjenda e futbollit norvegjez dhe ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka ngritur në qiell mesfushorin kosovar të skuadrës së Vikingut, Valon Berisha, shkruan të martën gazeta "Aftenposten". 

Solskjaer, që aktualisht është trajner i ekipit Molde, ka thënë se pos Vikingut edhe futbolli norvegjez ka gjetur yllin e vet, e që sipas tij është Berisha. Kosovari 18 vjeç, shënoi gol dhe ishte ndër më të dalluarit në barazimin e Vikingut me Molden 2:2, të hënën mbrëma në ndeshjen e javës së tretë të Superligës së Norvegjisë. Ai shënoi në minutën e 36-të nga distanca për t'ia dhënë epërsinë Vikingut.


Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Solskjaer ka vrapuar në fushë për t'ia shtrënguar dorën Berishës dhe për ta uruar për golin dhe lojën që tregoi.
"E kam përcjellë Berishën prej moshës 14-vjeçare dhe qysh atëherë e kam vërejtur se ky është një futbollist i veçantë. Ai më impresionoi shumë me lojën që tregoi kundër ekipit tim", tha Solskjaer. "Ai luftoi gjatë tërë ndeshjes dhe vazhdimisht bënte zgjidhjet e duhura në fushë. Më duhet të pranoj se Berisha na shkaktoi shumë telashe. Vikingu dhe futbolli i norvegjez e kanë gjetur diamantin e vet".


Berisha ka mbetur i shtangur me përgëzimet e Solskjaerit, të cilin edhe e ka pasur idhull në kohën kur legjenda norvegjeze luante me Manchester Unitedin. Për Berishën ky ishte goli i parë jo vetëm në këtë edicion, por edhe në stadiumin e Vikingut. Ai tha se shpreson që edhe në ndeshjet e tjera të shënojë gola, por për fitore. 


"Solskjaer më përgëzoi për lojën dhe më tha vetëm fjalë të mira dhe më uroi fat në të ardhmen. Edhe më përpara e kam takuar dhe natyrisht që ndihem krenar kur marr lëvdata nga një njeri si Solskjaeri", është shprehur Berisha. "Më vjen keq që nuk shënuam fitore dhe mund të them se isha me fat që topi përfundoi në portë. Tash shpresoj të shënoj edhe më shumë gola në ndeshjet e tjera dhe ta ndihmoj Vikingut të marrë sa më shumë pikë". 


Berisha në edicionin e shkuar ka debutuar për ekipin e parë të Vikingut dhe në dhjetë ndeshje të zhvilluara ka shënuar një gol. Ai ka kontratë me skuadrën e Vikingut deri në vitin 2015. Berisha është pjesë e Përfaqësueses U-19 të Norvegjisë dhe deri më tani ka zhvilluar tri ndeshje.  


Pas tri javëve të zhvilluara në kampionatin norvegjez
, Vikingu, ka tubuar katër pikë dhe zë vendin e dhjetë në klasifikim.
shko