e mërkurë, 22 shtator 2010

Endrra e pa realizuar e Hitlerit


Strategët nazistë, edhe para Luftës së Dytë Botërore kanë pasur plane për të goditur Nju Jorkun. Kjo në varësi të tyre mund të ishte një goditje me raketa, pilotë kamikazë, bombardime në shkallë të gjerë, apo edhe përmes agjentëve sekretë. Disa prej këtyre planeve ishin ambicioze, të tjerat qesharake dhe të parealizueshme, por ato të gjitha kishin një gjë të përbashkët: fundin e dështuar.

Kapiten Hans-Heinz Linder ishte duke e humbur gradualisht durimin. Ndërsa po shfaqej drita e parë e agimit të 13 korrikut të vitit 1942, makinat e para ishin duke lëvizur në fshatin e Amaganset, Long Island. Por U-202 kishte ndalur. Kolosi prej çeliku ngjyrë gri ishte ndalur rreth 200 metra larg bregut i pashpresë si një balenë e plagosur. Brenda pak orësh të gjithë do të ishin në gjendje që të shihnin nëndetësen gjermane që kishte ngecur në bregun e Atlantikut. Megjithatë, Linder ia doli që të çlirohej. U dha fuqi motorëve me gjithë forcën dhe me anë të një manovre shumë profesionale ia doli që të rifuste nëndetësen në det të hapur. U-202 rrëshqiti nën valë para se drita e diellit t’ia kishte bërë praninë e saj të njohur të gjithëve. Pasi rreziku tashmë ishte larguar, marinarët nisën që të festonin shpëtimin.
Ky rrezik që mund të kishte humbur këtë nëndetëse që operonte në bregun lindor të Amerikës ishte prelud i njërit prej operacioneve më të çuditshme të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore: infiltrimit të një grupi sabotatorësh në tokën amerikane. Rajhu i Tretë kishte kohë që bënte plane për të goditur Amerikën, madje bëhej fjalë për plane që synonin goditjen e Amerikës që nga themelet. Dhe mënyrat ishin nga më të ndryshmet. Një nga këto plane duhej që të realizohej përmes nëndetëses U-202, por në fakt ishte një plan që dështoi siç dështuan edhe shumë të tjerë para dhe pas tij. Ideja ishte që të infiltroheshin tetë agjentë super specialë gjermanë në tokën amerikane, por që në fakt ishte një dështim i vërtetë, madje spektakolar.
Edhe pse të gjithë agjentët kaluan disa kohë në Shtetet e Bashkuara para se të merrnin pjesë në operacion, asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë pune me një shërbim sekret amerikan. Në prill të vitit 1942, ata u dërguan në Gut Quenzee, një qytet 75 kilometra në perëndim të Berlinit për t’u instruktuar në lidhje me një sërë veprimtarish që duhet të kryenin në kuadrin e sabotazhit. Për 18 ditë, ekspertët ushtarakë u përpoqën që t’u mësonin se si të përdornin eksplozivin, se si të koordinoheshin me detonatorët dhe materialet e tjera shpërthyese, armët dhe granatat. Për të qenë në formë të mirë fizike ata praktikonin Jiu-Jitsu. Më pas në korrik, dy grupe me agjentë sekretë të rinj u hodhën secili përkatësisht në brigjet e Floridës dhe të Long Island, njëri përmes U-584 dhe tjetri përmes nëndetëses U-202.
Skuadrat u dërguan në Amerikë për të shpërthyer urat hekurudhore, uzinat dhe fabrikat energjetike, si dhe tunelet dhe të paralizonin pjesën më të madhe të faciliteteve industriale amerikane që ishin jetike për luftën e Amerikës. Sigurisht që një nga qëllimet ishte edhe demoralizimi i popullatës. Një historian e ka cilësuar këtë sipërmarrje naziste si “aktin e sabotazhit më të guximshëm në histori” Por në fakt, ky plan u shndërrua nga një plan shkatërrimi në “dhimbjen më të madhe të kohës” për kastën e lartë të qeverisëse gjermane. Agjentët gjermanë u zbuluan vetëm dy ditë pasi kishin dalë në terren nga agjentët e FBI-së, të cilët në këtë mënyrë ndërmorën edhe fushatën më të madhe të kërkimit të agjentëve që kishte ndodhur deri në atë kohë në historinë e shërbimeve sekrete amerikane. Përgjegjësia e parë e këtij zbulimi binte mbi shpatullat e Georg John Dasch, lideri 39-vjeçar i grupit të Long Islandit. Pasi thuajse ishte mbytur gjatë përpjekjes për të dalë në tokë, ai brenda një kohe shumë të shkurtër ishte zbuluar për shkak të disa pakujdesive shumë të patolerueshme dhe naive të tij.
Historia e zbulimit të këtyre agjentëve gjermanë është një histori më vete, e gjatë, ende e pazbuluar edhe sot në të gjitha detajet e saj dhe mbi të gjitha një histori që simbolizon një nga dështimet më të mëdha të planeve të fshehta të nazistëve për të sulmuar Amerikën dhe mbi të gjitha për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore. Gjithsesi, fundi i agjentëve gjermanë ishte i dhimbshëm dhe mbi të gjitha ishte një mësim i mirë për nazistët dhe planet e tyre të mëtejshme ogurzeza. Më 8 gusht të vitit 1942, karriera e shkurtër e 6 spiunëve gjermanë përfundoi në karrigen elektrike. Dënimi u ekzekutua në Burgun e Distriktit të Kolumbias. Ndërkohë që dy spiunët e tjerë u falën nga Presidenti Rusvelt dhe u dënuan vetëm me 30 vjet burg respektivisht. Por nazistët pavarësisht këtij dështimi shumë të madh dhe shumë të rëndë e diskreditues në të njëjtën kohë ende ishin të obsesionuar, Hitleri veçanërisht, me idenë e një Nju Jorkut të përfshirë nga flakët dhe shkatërrimi e paniku i njerëzve. Ai mendonte se kundërshtari i fortë i nazizmit që ishte në bregun tjetër të Atlantikut duhej të detyrohej me të gjitha mënyrat që të dilte nga lufta dhe të mos e pengonte Hitlerin dhe vizionin e tij nazist për pushtimin dhe shndërrimin e Europës dhe të botës mbarë. Dhe për këtë duhej medoemos kryer një sulm frontal, i befasishëm, shkatërrimtar në zemër të Nju Jorkut që ishte edhe zemra e Shteteve të Bashkuara. Një sulm në këtë qytet do të ishte fatal edhe për moralin e njerëzve, të cilët më pas do të ndikonin për të larguar qeverinë nga planet e luftës në Europë dhe fronte të tjera në botë. Sipas disa dëshmitarëve Hitlerit i pëlqente shpesh që të shihte filma nga Londra në flakë apo Varshava në flakë, duke imagjinuar edhe djegien e Nju Jorkut në të njëjtën mënyrë. Siç shkruan edhe arkitekti famëkeq i nazizmit, Albert Speer: “Hitleri ishte thuajse i “helmuar” nga ideja e rënies së Nju Jorkut dhe gjunjëzimit të tij nga forca e flakëve”.
Falë këtij entuziazmi shumë të madh të Hitlerit për të parë të djegur “zemrën” e Amerikës nuk është për t’u çuditur edhe vazhdimësia e planeve për realizimin e një ëndrre të tillë makabre. Madje, krijimi i planeve të tilla daton edhe para Luftës së Dytë Botërore. Kështu, në vitin 1937, për shembull, gatë një vizite të Hitlerit në fabrikat e qytetit gjerman të Augsburgut, atij i prezantuan prototipin e një avioni bombardues me katër motorë të fuqishëm “Messerschmitt Me 264” i cili ishte projektuar pikërisht që të arrinte brigjet e Amerikës nga Europa. Hitlerin e entuziazmonte ideja e bombardimit të Amerikës me anë të një apo disa avionëve të ngarkuar me eksploziv, të cilët do të rrafshonin disa qytete amerikane me një të rënë të lapsit. Tani të vijmë në ditët e fundit të Luftës së Dytë. Pikërisht kur nazistët e humbën shpresën se do të fitonin, ushqyen më shumë se kurrë idenë e krijimit të një arme të shkatërrimit në masë që do të ishte në gjendje të ndryshonte “mrekullisht” fatin e luftës. Shkencëtarët ushtarakë në qendrën e kërkimeve në Peenmunde, një fshat në ishullin balltik të Usedomit, ishin të përfshirë nga ide të ndryshme shkatërrimtare. Pikërisht nga kjo qendër kishin dalë edhe raketat V-2 që në vitin 1942 supozoheshin që të godisnin brigjet amerikane në momentin kur lufta të kishte marrë fund. Konstruktorët dhe teknologët gjermanë nuk njihnin kufij në punën e tyre; për të krijuar një armë shkatërruese masive dhe për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në mënyrë të papritur dhe mbi të gjitha përfundimtare. E gjithë teknologjia naziste mundësohej jo vetëm nga mendjet e mbrapshta të disa shkencëtarëve, por edhe në punën e detyruar të njerëzve që ishin marrë në ndërmarrje të tilla me forcë dhe jo me vullnet të lirë. Qindra punëtorë humbën jetën në fabrikat e prodhimit të armëve sekrete. Por për hir të së vërtetës duhet thënë se në radhët e tyre kishte edhe vullnetarë që ndanin me Hitlerin ëndrrën e shkatërrimit të Amerikës.
Në fund të gjitha aventurat e çmendura të Hitlerit për të bombarduar, apo kallur në zjarr Amerikën patën një fund të përbashkët: dështimin.
shko